Citizens.al

Mbi 1200 qytetarët firmosin nismën “Një bibliotekë për Vorën”

Të rinjtë përfaqësues të Bordit Rinor Vorë, dorëzuan dje në Bashkisë së qytetit një peticion me mbi 1200 firma i cili kërkon përfshirjen në planin e rindërtimit të një bibliotekë dhe një qendre rinore.

“Në Vorë ka pasur rreth 18 pallate të dëmtuara, kuptohet që prioritet është strehimi, por plani i rindërtimit nuk parashikonte asnjë hapësirë të dedikuar të rinjve, përveç një fushe sporti, që edhe ajo është e përfshirë në fazën e dytë”, u shpreh për Citizens Channel Gentjan Hajdari.

Plani i qeverisë për rindërtimin e zonës së Vorës parashikon 2515 metra infrastrukturë rrugore, krijimin e tregut të ri në aksin e bulevardit, krijimin e disa hapësirave të gjelbra por asnjë hapësirë sociale – kulturore për të rinjtë.

Dorian Alla, një nga përfaqësuesit e Bordit Rinor të Vorës tregon se në qytet nuk ka as teatër, as kinema dhe asnjë qendër multifunksionale për të rinjtë.

“Qyteti nuk ka pasur kurrë bibliotekë, që me rënien e komunizmit, përveç bibliotekave që kanë shkollat, po ato nuk janë të askesueshme nga të gjithë personat”, tregon 27-vjecari Alla.

Eni Mesi, një tjetër aktiviste kujton se më përpara në qytet kishte  një qendër rinore “Tamam Albania” e krijuar po nga vetë të rinjtë, por pas tërmetit të 26 Nëntorit nuk është më funksionale.

“Kemi krijuar vetë klube libri në tre gjimnaze të Vorës, ku janë përfshirë 60 të rinj të cilët mblidhen çdo muaj dhe ky është një tregues i dëshirës së të rinjve për lexim” vijon Mesi.

Pas dorëzimit të peticionit aktivistët kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Vorës, e cila ka premtuar marrjen e një godine me qira fillimsht derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare.

“Marrëveshja nuk e parashikon afatin e realizimit por nga takimi djeshëm ne shpresojmë që brenda majit të realizohet” citon Hajdari.

Aktivistët konfirmojnë se nuk do të ndalen së insistuari derisa çështja të marr një zgjidhje konkrete. Në një situatë që qyteti po rindërtohet nga e para ata e shohin si moment të përshtatshëm edhe plotësimin e kërkesave të tyre.

“Procesi i rindërtimit në Vorë është shumë i vonuar në të gjitha aspektet, edhe për shkak të problemeve politike me kryetarët e bashkisë, në një vit janë ndërruar 4 herë kryetarë të emëruar”, përfundon Gentian Hajdari.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW