Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reagime – “Databaza e Patronazhistëve” ngre shqetësime për abuzim dhe cenim të lirisë së shtypit

Rreth një javë më parë, media Lapsi.al bëri me dije ekzistencën e një databaze në të cilën Partia Socialiste ka mbledhur të dhënat personale të 910 mijë votuesve në Tiranë. Veç reagimit qytetar dhe shtimit të fjalës “patronazhist” në artikulimin e përditshëm, ngjarja u pasua me një sërë qëndrimesh nga organizatat dhe institucionet e vendit.

Avokati i Popullit, në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare në Facebok, e konsideron mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nga çdo parti politike si të paligjshme, përveç rastit kur qytetarët kanë dhenë një autorizim të posaçëm.

Mbledhja e të dhënave personale të shtetasve pa pëlqimin e tyre, lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre private. E drejta për mbrojtje të të dhënave personale bën pjesë tek të drejtat e mbrojtura nga neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cili garanton të drejtën për respektim të jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës dhe përcakton kushtet sipas së cilëve lejohen kufizimet e kësaj të drejte, e për të cilën Gjykata Europane e të Drejtave të Njeriut ka një jurisprudencë të pasur”, -thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit mes të tjerash i bën thirrje institucioneve ligj zbatuese që të marrin masa për të parandaluar përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale. Po ashtu Avokati i Popullit shprehet me shqetësim për lirinë e medias, teksa kërkon garantim të saj dhe të hapësirës demokratike në vend.

KShH: “Cenim i privatësise dhe fshehtësisë së votës”

Në po të njëjtën rrjedhë logjikë ka reaguar më herët edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit i cili ka kërkuar të ruhet privatësia dhe fshehtësia e votës.

“KShH tërheq vëmendjen për faktin se, nëse zgjedhësit pyeten nga partitë politike apo çdo person tjetër, për bindjet politike dhe se për cilin subjekt zgjedhor do votojnë, dhe këto të dhëna përpunohen dhe ruhen, sipas identitetit të zgjedhësit dhe/ose pa pëlqimin e tij/saj, kjo përbën premisë për cenimin e fshehtësisë së votimit të sanksionuar në nenin 45/5 të Kushtetutës dhe/ose të së drejtës për privatësi. Gjithashtu, problematik është fakti i krijimi të profilit të zgjedhësit për bindjet politike, pa marrë pëlqimin e tij/saj”, -thuhet në reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

KSHH i ka bërë thirrje partive politike që garojnë në zgjedhjet qendrore 2021 që të zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare që tashmë janë të ratifikuara nga vendi ynë, teksa ndodhemi shumë pak ditë nga zgjedhjet parlamentare.

Një javë pas “patronazhistëve”, reagon Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucion që merret drejtpërdrejt me mbrojtjen e të dhënave persoanle ka reaguar ndër të fundit për ekzistencën e një “databaze” me të dhëna personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës nga partitë politike.

“Zyra e Komisionerit ka nisur tashmë një proces hetimi administrativ, rezultatet e të cilit do të bëhen publike brenda afateve ligjore. Dispozitat urdhëruese të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale në fuqi, si dhe çdo standard etik profesional i çdo kontrolluesi, publik apo privat, detyron këta të fundit të ndërpresin çdo veprim të kundërligjshëm që lidhet me publikimin e të dhënave personale të shtetasve”,-thuhen në deklaratën e Komisionerit.

Po ashtu, Komisioneri vlerëson se qarkullimi online i të dhënave të qytetarëve është përtej interesit publik dhe përbën cenim të jetës private të qytetarëve, ndërsa bën thirrje qytetarëve për mos përfshirje në skema mashtruese.

Apelojmë çdo qytetar që të mos bëhet pjesë e skemave mashtruese me të dhënat personale, të vëna në zbatim nëpërmjet faqesh interneti apo aplikacionesh të ndryshme, pasi, siç po ndodh në praktikë, abuzimi me to mund të realizohet lehtësisht, ndërsa riparimi i pasojave të dëmshme për jetën private mund të jetë afatgjatë dhe, madje, i pakthyeshëm”,-thuhet në përfundim të deklaratës.

Këshilli Shqiptar i Medias: “Sekuestrimi i serverit të Lapsi.al vë në rrezik burimin e informacionit” 

Një ditë më herët, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë kërkuar sekuestrimin e serverëve, kompjuterave dhe aparateve telefonikë të medias Lapsi.al me qëllim që të identifikojnë gjithë procesin e shpërndarjes së të dhënave personale të qytetarëve. Në një vendim të Gjykatës të publikuar në Lapsi.al thuhet se prokuroria e ka konsideruar përhapjen e të dhënave të 910 mijë qytetarëve shqiptarë si cenim në masë të gjerë të të dhënave personale dhe përpunimin e tyre si të kundërligjshme.

Burimi: Lapsi.al

Për kërkesën e Prokurorisë ndaj medias Lapsi.al për sekuestrimin ka reaguar edhe Këshilli Shqiptar i Medias, i cili e ka konsideruar si rrezik për burimin e informacionit.

“Për më tepër, sekuestrimi i serverit të medias Lapsi.al vë në rrezik jo vetëm burimin e këtij investigimi por dhe gjithë burimet e investigimeve të mëparshme të LAPSI.AL, duke dekonspiruar të gjithë burimet konfidenciale të mëhershme të kësaj medieje. Pasoja indirekte e këtij veprimi të papërgjegjshëm nga ana e Prokurorisë është se do të shkaktojë një frikësim tek çdo person (whistleblower) që ka denoncuar dhe mund të denoncojë tek gazetarët në mënyrë konfidenciale abuzimet e pushtetit”,-thuhet ne reagimin e KSHM.

KSHM i bën thirrje Prokurorisë që të tërhiqe nga ky veprim pasi e sheh si cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe të papërgjegjshëm.

Mes të tjerash, KSHM I bën thirrje edhe organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare me qëllim mbrojtjen e shtypit të lirë.

“KSHM i bën thirrje organizatave kombëtare e ndërkombëtare të gazetarëve, Këshillit të Europës, OSBE-së, Ambasadorit të BE-së, Ambasadores Amerikane dhe Ambasadave të tjera europiane në vend, të mbështesin këtë deklaratë të KSHM në mbrojtje të një prej shtyllave kryesore për funksionimin e  një shtypi të lirë”,-përfundon deklarata e KSHM.

Reporterët pa Kufij: Shqipëria problematike sa i përket lirisë së medias

Organizata “Reporterët pa Kufij” ka publikuar së fundmi një raport në lidhje me lirinë e medias. Ky raport bazohet në të dhënat e publikuara më herët nga Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2021.

Sipas raportit pandemia ka ndikuar negativisht në lirinë e medias.

“Indeksi i këtij viti, i cili vlerëson situatën e lirisë së shtypit në 180 vende dhe territore çdo vit, tregon se gazetaria, e cila është pa dyshim vaksina më e mirë kundër virusit të dezinformimit, është bllokuar plotësisht ose e penguar seriozisht në 73 vende dhe e kufizuar në 59 të tjera, të cilat së bashku përfaqësojnë 73% të vendeve të vlerësuara”,-thuhet në raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij” .

Të dhënat e Indeksit pasqyrojnë një përkeqësim të qasjes së njerëzve në informacion dhe një rritje të pengesave për mbulimin e lajmeve. Në raport thuhet se pandemia e shkaktuar nga COVID-19 është përdorur si bazë për të bllokuar hyrjen e gazetarëve në burimet e informacionit dhe raportimin në terren. Të dhënat sipas tyre tregojnë se gazetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të hetojnë dhe raportojnë histori të ndjeshme, veçanërisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evrope.

Shqipëria, mban vendin e 83 në listë, nga 180 vende të marra në monitorim, e cila në krahasim me një vit më parë është ngjitur një vend më lart në renditje. Megjithatë, Shqipëria vazhdon akoma të mbetet si një vend ku gazetaria has probleme. Duke përmendur këtu presionin mbi median nga qeveria me miratimin e një ligji të ri i konsideruar ndryshe si “paketa anti-shpife”, megjithëse Komisioni i Venecias e kritikoi atë.

“I bllokuar nga një veto presidenciale në vitin 2020, ky ligj ka të ngjarë të rezultojë në një rritje të censurës në një vend ku qeveria tashmë kufizon aksesin e gazetarëve në informacionin e mbajtur nga shteti dhe përdor alokimin e licencave për të kontrolluar peizazhin e mediave transmetues”,-thuhet në hapësirën kushtuar Shqipërisë në raport.

Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria qëndron më poshtë Kosovës, e cila qëndron në vendin e 78, pesë vende më mirë se Shqipëria, edhe pse në raportin e 2020 ishte tetë vende më mirë.

Serbia renditet në vendin e 93, ndërsa Maqedonia e Veriut në një pozicion më të mirë sikurse vendi i 90, nga I 92 që ishte një vit më herët. Në vendet e para të renditjes në listë, të cilat konsiderohen si vende me liri më të madhe të medias janë Norvegjia, Finlanda, Suedia, Danimarka e Holanda.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *