Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fushata zgjedhore: Partitë politike rrethuan sheshet pa paguar asnjë tarifë

Shqipëria ka hyrë sot zyrtarisht në ditën e fundit të fushatës zgjedhore. Që prej 25 marsit, pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të COVID-19, partitë politike nuk i kursyen grumbullimet masive gjatë aktiviteteve elektorale. Spektakli politik në sheshet kryesore të vendit, këtë vit u përpoq fillimisht të ruajë distancimin social (rasti i Partisë Socialiste) e herë jo (rasti i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim), duke shkelur kësisoj edhe vendimin e Komitetit të Ekspertëve për grumbullime deri në 10 persona në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Në mbyllje të fushatës së Tiranës, distancimi u la mënjanë nga të gjitha palët që u vendosën në sheshet kryesore të qytetit. Sheshi Skënderbej u rrethua me gardhe hekuri e u mbush me qindra karrige plastike që kompletonin koreografinë, duke përfituar edhe nga fakti se hapësira publike është një e mirë për të cilin disa paguajnë, e disa jo.

Sa kushton qeraja e 1 metri katror hapësire publike në Tiranë?

Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për realizmin e aktiviteteve në hapësira publike pranë qendrës së Tiranës, biznese, panaire, koncerte apo aktivitete të tjera, duhet të paguhet një tarifë prej 1500 lekësh për metër katror. Megjithatë, listës së publikuar nga Bashkia i mungon përshkrimi i aktiviteteve partiake.

Vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë

Në një kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, nëse partitë politike kanë paguar tarifën për zënien e shesheve “Skendërbej” dhe “Nënë Tereza” përgjatë këtij muaji të fushatës elektorale shpjegohet se bazuar në një sërë ligjesh dhe vendimesh, partitë politike janë të përjashtuara nga tarifa e zënies së hapësirave publike.

Në mbështetje të ligjit nr.8580, datë 17.3.2000 “Për partitë politike” (i ndryshuar), të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor I republikës së Shqipërisë” (I ndryshuar) dhe vendimit nr.130, dt.15.11.2018 të Këshillit bashkiak për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës”, Bashkia Tiranë për llojin e aktivitetit të zhvilluar nga subjektet e sipërcituara, nuk aplikon tarifë ëpr zënie hapësire publike”,-thuhet në përgjigjen e Bashkisë Tiranë.

Aktivitetet politike jashtë listës së subjekteve të përjashtuara nga pagesa për hapësirën publike

Me gjithë renditjes së ligjeve dhe vendimeve që përjashtojnë aplikimin e tarifës për zënien e hapësirës publike nga Bashkia Tiranë në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion, nuk ka dhënë një shpjegim të qartë dedikuar tarifës për aktivitet politike.

Sipas avokates Enida Bozheku, shfrytëzimi i hapësirave publike nga partitë dhe raporti në lidhje me tarifën vendore nuk figuron në asnjë prej vendimeve të bashkisë, dhe rastet e përjashtimin janë të përcaktuara në rregulloren nr.130, dt.15.11.2018.

“Nga sa prezumohet me interpretim do të thotë që në mungesë të një përjashtimi specifik nga ana e ligjvënësit nga pagesa e hapësirës publike ajo duhet te paguhet ne zbatim te nenit 11 te Rregullores ne fjale, por nga ana tjetër, nuk ka një vendim te Këshillit Bashkiak që të parashikojë pagesën tarifore për këto subjekte”,-sqaron Bozheku.

Enida Bozheku

Vendimi nr.130, datë 15.11.2018 “Për Kushtet dhe Rregullat e Zënies së Hapësirës Publike në Bashkinë e Tiranës” në nenin 63 ku listohen subjekte që përjashtohen nga pagesa për zënien e hapësirës publike, aktivitetet elektorale të partive politike nuk përfshihen.

Vendim nr.130, datë 15.11.2018

Ndërsa në ligjin nr.8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike” përpos shpjegimeve mbi entitetet politike dhe rolit të tyre, nuk ka një nen të dedikuar sa i përket shfrytëzimit të hapësirave publike në vrazhdën e fushatës zgjedhore.

Vetëm në aspektin e mbulimit mediatik citohet e drejta e partive politike për të përdorur informimin masiv publik pa shpërblim në fushata elektorale. (neni 22, shkronja a).

Ndryshe nga ku mbështetej përgjigja e Bashkisë Tiranë në lidhje me përjashtimin e taksimit të aktiviteteve elektorale në hapësirat publike, edhe në Kodin Zgjedhor, nuk ka një hapësirë të dedikuar për këtë çështje. E vetmja hapësirë përjashtimi për fushatën zgjedhore është ajo që i dedikohet medias në tërësi, ku çdo parti politike ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.

Në të gjitha nenet që rendisin format e komunikimit mediatik të partive politike përgjatë fushatës zgjedhore, nga neni 77 deri në nenin 84, askund nuk përcaktohet aspekti i aktiviteteve elektorale në hapësirë publike.

Sipas avokates Erinda Bozheku përcaktimi i një tarife për manifestimet e partive politike në hapësirat publike duhet të përfshihet në një nga ligjet dhe vendimet që prekin fushatën zgjedhore.

“Në heshtje të ligjit në lidhje me këtë problem, do të thotë që edhe partitë politike ti nënshtrohen pagesës së zënies së hapësirës publike kur organizojnë manifestime. Kjo pjesë duhet të rregullohet nga Bashkia që do të modifikojë nenin 63 të Rregullores duke shtuar në fushën përjashtuese edhe aktivitetet politike të subjekteve politike, ose të shtohet kjo në modifikim të ligjit për partitë politike dhe kodin zgjedhor, ose të vendoset një përllogaritje pagese me vendim të Këshillit Bashkiak ashtu si për bizneset”,-përfundon Bozheku.

“Hapësira publike në kërkim të statusit”

Krijimi i një diskursi elektoral për disa orë të një partie politike duke u vendosur në një hapësirë publike të përbashkët, ashtu sikurse vendosja e “gardheve” kontrolluese për këdo që tenton të hyjë në një aktivitetet të këtillë me të drejtë për qëllime sigurie, në plan të parë është një normalitet i pranuar.

Me gjithë këtë, hapësira publike si kontekst dhe infrastrukturë fizike vuan për një status të saj, shpjegon Ervin Goci, ekspert i komunikimit.

Në fakt kjo nuk ka të bëjë thjesht me një normë administrative të mbrapshtë e të pa barabartë po ka të bëjë me statusin e munguar të hapësirës, të cilën e përçudnojmë në disa forma. E komercializojmë fare pa kriter, e zëmë kur na e do qejfi. Nevojat e përdorimit të hapësirës nuk konsultohen me publikun po janë disa burokratë matrapazë që e vendosin.

Ervin Goci, aktivist Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Ne shohim hapësira që rrinë rrethuar për muaj të tëra duke ia hequr publikut nga përdorimi dhe duke na lenë vetëm rrugën, si ata venezuelianët e shkretë që përplaseshin te portat e shteteve fqinje, apo sirianët që rrinë për muaj të tërë në “no man’s land” në kërkim të një hapësirë permanente. Madje këta hapësirën e kanë nxjerrë të gjithën në ankand, ia japin ofertuesve privatë për të bërë ndërtesa gjoja në partneritet për shërbime publike”,-sqaron Goci.

Sipas tij, problemi ynë me hapësirën dhe publiken është edhe kushtetues.

“Ne kemi një problem kushtetues me hapësirën dhe me publiken, pa u sqaruar këto, dhe pa u krijuar infrastruktura e nevojshme normative qe qytetaret t’i kërkojnë të drejtat e tyre, ne thjesht na mbetet të denoncojmë, të paktën nuk jemi asimiluar në këtë regjim dhune e padrejtësie”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *