Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Katër vite pas padisë, gjykata vendos se uji në Tiranë ishte i papijshëm

Uji me të cilin furnizohej Tirana në vitet 2016-2017 ishte i papijshëm dhe me përmbajtje të dëmshme për shëndetin e njeriut. Ky konstatim mori formë të hënën edhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, pas padisë së kryer nga “Qendra Res Publica” dhe shoqata “Impetus”.

Në vitin 2017, përmes një kërkese të depozituar pranë platformës së Qendrës Res Publica, qytetarët kanë kërkuar analizat e ujit për periudhën 2016-2017. Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Res Publica e dërgoi çështjen në gjykatë për shkak të përmbajtjes së tyre.

“Në pamje të parë duket dukshëm që një pjesë e mirë e elementeve ishin jashtë normës. Për shembull, “escherichia coli” ishte jashtë normës, “streptococci faecal” dhe klori ishte jashtë normës. Jo në çdo ditë, jo në çdo zonë, por në pjesën më të madhe të ditëve dhe në pjesën më të madhe të zonave”,-sqaron për Citizens Channel avokatja Irena Dule.

Me një vendim të datës 25 maj 2016, nr.379, të Këshillit të Ministrave bëhen të ditura  parametrat që përcaktojnë ujin si të pijshëm. Sipas padisë së dorëzuar në gjykatë niveli i klorit (kimikat) rezulton shpesh herë të jetë mbi 0.5, sikurse përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Sipas Irena Dule, të dhënat janë marrë nga UKT-ja me analiza të kryera nga vetë ata, pa qenë nevoja për t’i ribërë sërish.

Në padinë e ngritur në Gjykatën e Tiranës, “Qendra Res Publica” dhe shoqata “Impetus” me fokus të drejtat e konsumatorëve, kërkuan realizimin e dy pikave kryesore.

E para për të konfirmuar zyrtarisht që cilësia e ujit nuk është sipas etiketës “i pijshëm”, pra është ujë i pa pijshëm. Dhe e dyta për të kërkuar marrjen e masave. Kështu lindi në 2017 kjo padi”, – sqaron Irena Dule.

E megjithëse kjo padi u ngrit në vitin 2017, vendimi i Gjykatës erdhi katër vite më vonë. Kjo vonesë sipas avokates Irena Dule është për çështje teknike, që ka të bëjë me tërheqjen dhe vështirësinë e gjetjes së ekspertëve biologë për të marrë përsipër çështjen.

“Arsyet janë të gjitha teknike, pra nuk është se ka munguar vullneti i gjykatës për ta çuar përpara këtë çështje. Por kemi pasur shumë probleme me gjetjen e një eksperti sepse sigurisht që në pamje të parë vërtet analizat duken që nuk i kanë parametrat. Janë ndërruar disa ekspertë, gjithmonë ekspertët të intimiduar për të marrë pjesë në këtë lloj padie”.

Me marrjen fuqi të këtij vendimi, dy organizata të shoqërisë civile marrin kompetenca për të mbikëqyrur një ndërmarrje shtetërore sikurse Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Është një rast i paprecedent kur shoqëria civile bëhet auditues, kontrollues i cilësisë së ujit në vazhdim dhe me urdhër gjykate UKT-ja është e detyruar të raportojë analizat periodike tek paditësit që është “Impetus” dhe “Qendra Res Publika”, dhe më pas hapet perspektiva që këto dy organizata të bëjnë të mundur që të gjitha këto të jenë publike, po kjo është një fazë e dytë”,-përfundon avokatja Dule.

E megjithatë, nëse UKT-ja ankimon vendimin, ai hyn në fuqi pas dy-tre vjetësh, sqaron avokatja Dule.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *