Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

18 muaj pa spital, banorët e Kurbinit në protestë për të drejtën e shërbimit shëndetësor

Prej më shumë se 18 muajsh, qytetarët e rrethit të Kurbinit kanë mbetur pa spital. Pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit që solli mbylljen e spitalit të Laçit, ata janë të detyruar t’i drejtohen Lezhës apo Tiranës për të marrë shërbimet shëndetësore.

Qytetarët u mblodhën dje në protestë në sheshin e ndërtimit ku po ngrihet spitali i ri i Laçit, të pakënaqur nga mungesa e transparencës dhe ritmi i ngadaltë i punimeve.

“Në Kurbin kemi një ambulancë të vogël e cila është një korridor i improvizuar i një organizate jo fitimprurëse, por që maksimumi aty mund të të bëjnë një serum”, – u shpreh për Citizens Channel Ermelinda Leti, koordinatore e qendrës rinore “Sebastia”.

Leti shpjegon se kjo situatë rendon mbi qytetarët, që si taksapasues duhet të merrnin shërbim shëndetësor falas në vendbanimin ku jetojnë.

“Kemi filluar punimet për ndërtimin e spitalit të ri bashkiak të Laçit. Afati i punimeve është 4 muaj. Ne duam ta mbarojmë më shpejt”, – deklaroi Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu më 16 shkurt, gjatë vizitës në terren së bashku me kryeministrin Rama.

“Puna ka nisur në shkurt, ku ka ardh vetë kryeministri, ka inauguruar fillimin e punimeve dhe ka konfirmuar që ky projekt do të mbarojë brenda afateve dhe në fakt që pas ditëve të para që erdhi kryeministri Rama, puna aty ka stopuar”, – pohon Elton Laska, jurist.

Institucionet heshtin përpara kërkesave për informacion

Protesta erdhi pasi të rinjtë e organizatës rinore “Sebastia” kanë dërguar një sërë kërkesash për informacion, drejtuar Drejtorisë së Spitalit Laç dhe Drejtorisë rajonale Lezhë, por pa asnjë përgjigje. Ata kanë kërkuar një kopje të projektit, një kopje të procedurës së tenderimit, për të kuptuar se sa ka qenë shuma e tenderuar dhe shuma e projektit i cili pretendohet.

Elton Laska, Jurist

“Nuk kemi marrë asnjë nga këto përgjigje, vetëm na është thënë që do duhet t’i referoheshim tabelës që është vendosur para kantierit”,- thotë juristi Elton Laska.

Afati i nisjes së punimeve sipas tabelës së vendosur jashtë kantierit është me dy shkurt, 2021 dhe spitali do duhet të përfundonte me dy qershor, 2021.

Në deklaratën për media të qendrës rinore “Sebastia” thuhet se projekti financohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe tenderi është fituar nga  firma “Consorzio Ciro Menotti”, informacion i cili nuk bazohet në asnjë dokument zyrtar, të paktën të publikuar.

“Hapi i radhës si organizatë është që ne të protestojmë përpara Ministrisë së Shëndetësisë”, – konfirmon Ermelinda Leti.

Ajo konfirmon se qytetarët nuk kanë asnjë informacion lidhur me projektin, tenderimin dhe afatet kohore se kur do të ndërtohet spitali.

“Sepse nuk është vazhduar dhe cili është problemi ne nuk kemi dijeni, pasi askush nuk na ka vënë në dijeni”, – përfundon juristi Laska për Citizens Channel.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *