Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Diskriminimi ndaj ricikluesit” i kushton Bashkisë Tiranë 2.5 milionë lekë

Në 3 mars të vitit 2020 Policia Bashkiake ndaloi të moshuarin Agron Cura në zonën e njohur si ish-stacioni i trenit në Tiranë. Agronit iu sekuestrua biçikleta dhe materialet që po transportonte, me pretendimin se ato ishin marrë nga kontejnerët e mbetjeve, sjellje e cila në Tiranë ndëshkohet në mënyrë të përsëritur.

Mbi pretendimet se kjo ishte e pavërtetë, 59-vjeccari ngriti një aktpadi ku shpjegohet se materialet e gipsit që mbante në biçikletën tre-rrotake i ishin dhënë nga pronari i një dyqani ku po kryheshin punime.

“Zotëria ka pyetur nëse mund ta ndihmonte për të hequr disa materiale (gipsi), të cilat i kishin dalë jashtë përdorimit nga punimet që po kryente në dyqan dhe më pas, mund të bëja çfarë të doja më to. Paditësi i përgjigjet pozitivisht zotërisë duke e ndihmuar, dhe më pas merr materialet në mjetin (biçikletë) dhe niset drejt ndonjë pikë për ti shitur materialet”, thuhet në aktpadi.

Më shumë se një vit më pas, Gjykata Administrative e Tiranës e pranoi padinë e Agronit, duke vendosur Bashkia e Tiranës e ka diskriminuar për shkak të përkatësisë së tij në komunitetin egjiptian, e për këtë arsye duhet ta dëmshpërblejë me 2.5 milionë lekë.

Beteja ligjore e të moshuarit Agron Cura

Mos vënia në dispozicion e një shkrese që tregonte sekuestrimin e mjetit e nxiti Agronin t’i drejtohej Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) pasi u ndje i diskriminuar “për shkak të rracës, etnisë dhe gjendjes ekonomike”.

KMD mori në shqyrtim rastin dhe iu drejtua Bashkisë Tiranë për informacion të detajuar në lidhje me sekuestrimin e mjetit dhe materialeve.

Sipas materialit të shtjelluar që shoqëron vendimin e Komisionerit, Policia Bashkiake Tiranë u shpreh se mbetjet janë pronë e Bashkisë e në lidhje me biçikletën, qytetari nuk kishte dokument pronësie.

Duke qenë se referuar legjislacionit përkatës, mbetjet urbane janë pronë e Bashkisë Tiranë, nga ana e strukturave të Drejtorisë së Pastrim Gjelbërimit është bërë transportimi drejtë Landfilldit të Tiranës. Së bashku me mbetjet është bërë transportimi i mjetit biçikletë (karocë), pasi shtetasi nuk dispononte asnjë dokument pronësie mbi të”,-u shpreh Policia Bashkiake sipas vendimit të Komisionerit.

Në përfundim, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi se ka një diskriminim të tërthortë për shkak të racës, etnisë dhe gjendjes ekonomike nga ana e Bashkisë Tiranë dhe Policisë Bashkiake Tiranë.

Pas vendimit të Komisionerit, avokati që ndoqi çështjen, Gentian Serjani iu drejtua Gjykatës Administrative.

Kemi vendim të Komisionerit dhe ne e dërguam në Gjykatë vendimin e Komisionerit që është automatikisht provë e pakundërshtueshme në Gjykatë për ta faktuar si diskriminim. Në Gjykatë ne kërkuam thjesht dëmshpërblim”,-u shpreh Gentian Serjani për Citizens Channel.

Gentian Serjani

Nga Gjykata u kërkua:

  1. Konstatimin e diskriminimit në formën e “Diskriminimit të tërthortë” ndaj Paditësit Agron Cura;

  2. Detyrimin e palës së Paditur për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga sjellja diskriminuese përmes ndreqjes së shkeljeve ligjore dhe pasojave përmes:

  3. kryerjes së veprimeve administrative për ndërprerjen e praktikave të ndjekura nga Bashkia Tiranë dhe Policia Bashkiake Tiranë për bllokimin e materialeve të riciklueshme që mblidhen nga persona në nevojë, veçanërisht anëtarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian ;

  4. kompensimit të dëmit jo pasuror, në formën e dëmit moral, në masën 2,504,467 mijë lek, të shkaktuar nga pala e paditur;

  5. Dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm.

Gjykata pranoi se ka diskriminim të tërthortë dhe kërkoi dëmshpërblim të qytetarit me vlerën 2.5 milionë lekë nga Policia Bashkiake Tiranë.

“U thërritën ekspertët e vlerësimit të dëmeve dhe eksperti psikolog dhe vlerësuan se po ka pasoja si shkak i sjelljes diskriminuese nga Bashkia Tiranë. Shuma që u përcaktua nga ekspertët ishte 2.5 milionë lekë të reja dhe u lanë nga gjykata po në të njëjtën vlerë”,-përfundon avokati Serjani.

“Dhunë e përsëritur ndaj ricikluesve”

Edhe më herët Bashkia Tiranë dhe Policia Bashkiake veçanërisht është akuzuar për marrjen e mjeteve dhe dhunë ndaj ricikluesve. Në maj të vitit 2020 Policia Bashkiake ushtroi dhunë ndaj një qytetari i cili po mblidhte mbetje të riciklueshme në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Prej vitit 2018 ricikluesit hasin vështirësi të mëdha për shkak se Bashkia Tiranë vendosi ta konsiderojë kundra ligjit dhe të vendosë gjoba deri në 20 mijë lek për këdo që siguron të ardhura përmes kësaj veprimtarie.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *