Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës, plehrat rrezikojnë të kolapsojnë sezonin turistik

Autore: Mila Ballhysa | Citizens Channel | Durrës

“Do na zërë kolera!”, “Po qelbemi!”

Këto ishin shprehjet më të përdorura nga qytetarët durrsakë gjatë ditëve përvëluese të fund qershorit. Si të mos mjaftonte i nxehti i Saharasë, ajrin në qytet e rëndon edhe më shumë era e padurueshme që ndihet kudo për shkak të dekompozimit të mbeturinave urbane, që nuk tërhiqen prej ditësh.

Ndërsa gjatë natës, nis djegia e mbeturinave, të cilave shpesh janë vetë qytetarët që u vënë zjarrin, sepse u tremben infeksioneve. Fotot dhe pamjet filmike që Citizens Channel po sjell nga lagje të ndryshme, flasin qartë për rrezikun e madh që i kanoset banorëve të Durrësit.

I gjithë qyteti rrezikonte të kthehej në një zonë të kuqe mjedisore. Për të pastruar zonën turistike të plazhit, kamionët me mbetje u shkarkuan për disa ditë në Shkozet (tek ish-parku i autobusëve), ndërsa banorët e alarmuar ngritën zërin kur panë malet me plehra pranë banesave të tyre.

“Është alarm fare! Nuk e di çfarë po bëhet. Vijnë të gjithë kamionët e Durrësit dhe plazhit të shkarkohen në lagjen tonë, në Nishtulla. Këtu kemi bizneset, kemi shtëpitë, lokalet. Nuk mund të rrimë dot”,- thotë Rim Gashi, një banor i zonës.

Paraditen e së martës (data 29 ), fusha në Nishtulla ishte gjysëm e pastruar, por se përsa kohë do të rrijë pa plehra, askush nuk di ta thotë me siguri të plotë. Durrësi ishte thuajse pa plehra gjatë të martës, kur kryeministri Edi Rama inspektoi disa godina arsimore dhe riforcimin e pallateve me dëmtime DS4, gjatë vizitës së tij të parë si deputet i qytetit bregdetar në legjislaturën e ardhshme parlamentare.

Foto: Fusha e mbetjeve në lagjen Nishtulla

Bashkia e pafuqishme për të zgjidhur situatën

“Nuk kemi pasur më mundësi të depozitojmë në landfillin e Sharrës dhe ndërkohë po përpiqemi që të gjejmë zgjidhje të tjera teknike dhe ligjore, në mënyrë që të bëjmë depozitimin për qytetin e Durrësit në landfille të miratuara”,- deklaroi në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të datës 28 qershor, kryebashkiakja në detyrë, Emiriana Sako. Për të mos çuar Durrësin në kolaps të plotë, plehrat e qytetit bregdetar udhëtuan dy ditë me radhë drejt Shkodrës për t’u depozituar në landfillin e Bushatit.

Emiriana Sako – Kryetare e Bshkisë së Durrësit

“Deri në përfundimin kontraktual midis bashkisë së Durrësit dhe landfillit të Sharrës, ne do të përdorim çdo mjet teknik dhe ligjor për të evaduar mbetjet nga qyteti”,- deklaroi Sako duke pranuar problematikën mjaft të mprehtë për qytetin turistik, që pushuesit dhe vizitorët po i pret me kazanët e tejmbushur dhe grumbujt me mbeturina që dergjen trotuareve.

“15 ditë afat për depozitimin e mbetjeve falas”

Foto: Selia e Kompanisë Integrated Energy – Sharrë

Pas kësaj deklarate të kryebashkiakes, reagoi pak orë më vonë kompania që menaxhon landfillin e Sharrës, “Integrated Energy BV SPV”.

Përmes një letre drejtuar kryetares Sako, kompania i bën të ditur se “nisur nga kushtet që qyteti juaj nuk pastrohet prej ditësh shoqëria “Integrated Energy BV SPV” shpk nuk mund të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate kritike. Nëpërmjet kësaj shkrese, ju bëjmë me dije se mund të vijoni menjëherë me depozitimet pranë Z.T.M.T. për të cilat ju nuk do të paguani tarifën e depozitimit për një periudhë nga data 28.06.2021 deri në datën 15.07.2021”.

Zgjidhja mbetet sërish provizore dhe i jep afat vetëm dy javë bashkisë Durrës.

Kompania në fjalë thekson në letrën, që Citizens Channel e ka siguruar në rrugë jo zyrtare, se pas kësaj date bashkia Durrës nuk mund të depozitojë më mbeturinat në landfillin e Sharrës “nëse nuk përmbushni kushtet e komunikuara në mënyrë të vazhdueshme nga ana e shoqërisë “Integrated Energy BV SPV sh.p.k”.

Loja “macja me miun” me plehrat e Durrësit

Në fillim të qershorit të vitit 2020, kur Durrësi sapo kishte dalë nga karantina dhe i kishte ende shumë të dukshme shenjat e tërmetit të nëntorit 2019, për një javë me radhë u mbush me plehra, që dergjeshin rrugëve e trotuareve.

Vendgrumbullimi i Porto Romanos kyçi dyert për të nisur shndërrimin në Eko Parku, ndërsa nuk ishte gjetur një zgjidhje konkrete për vend depozitimin e ri. Për disa ditë me radhë, kamionët e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal drejtoheshin drejt njësive administrative për të derdhur plehrat në anët e rrugës. Banorët e Ishmit dhe Sukthit në atë kohë bënin roje gjatë natës dhe turreshin drejt kamionëve për të mos i lënë të shkarkonin aty plehrat.

Më 11 qershor 2020, Këshilli Bashkiak miratoi në një mbledhje të jashtëzakonshme propozimin për “shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së vend depozitimit të Porto-Romanos”.

Por ndërsa u ra dakord që plehrat e Durrësit të depozitoheshin në landfillin e Sharrës, kur ka kaluar më shumë sesa një vit ende nuk ka një marrëveshje mes palëve.

Kryebashkiakja e Durrësit thotë për “Citizens Channel” se përgjatë këtij viti nuk është paguar landfilli, megjithëse mbeturinat urbane janë depozituar rregullisht. Sinjali i parë nga shoqëria që menaxhon landfillin u dha në fillim të muajit maj, kur kamionët nuk u lejuan të depozitonin mbetjet. Pasi Durrësi u “qelb” për disa ditë, situata shkoi drejt normalizimit. Por vetëm për pak kohë, për t’u përsëritur rregullisht çdo 2-3 javë.

Përballë një kostoje mjaft të lartë financiare, e pamundur për t’u përballuar me buxhetin e saj, bashkia Durrës hedh hapin e radhës. Më 10 qershor të këtij viti, KB miraton skenarin nr.2 për menaxhimin e mbetjeve, skenar që më parë ishte miratuar edhe nga Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe Këshilli i Qarkut Durrës.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUMI) kishte hartuar studimin “Analizimi i opsioneve për menaxhimin e mbetjeve në Qarkun Durrës”, duke dalë në konkluzionin se pikërisht ky skenar ishte më i përshtatshmi për tre bashkitë e qarkut.

Ai konsiston në:

  • Sistemin e mbledhjes së mbeturinave me dy kosha (koshi i mbeturinave të riciklueshme dhe koshi i mbeturinave);
  • Transportimin e të gjitha mbetjeve në Qendrën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë përmes Stacionit te Transferimit që do të ndërtohet në Durrës, ku kostoja e investimit për ndërtimin e stacionit të transferimit parashikohet me vlerë 5,000,000 euro;
  • Tarifa e depozitimit në Sharrë të jetë 40.5 €/t.

Çdo ditë bashkia Durrës prodhon rreth 150 tonë mbetje, ndërsa gjatë sezonit turistik (korrik, gusht) sasia rritet. Minimalisht, nëse kontrata do të nënshkruhet me çmimin 40.5€/t, do të duhen rreth 6000 euro çdo ditë për landfillin, ndërsa kostoja vjetore përllogaritet rreth 2.2 milionë euro, ndërkohë që buxheti i bashkisë Durrës është rreth 2.6 milionë euro.

Për këtë arsye, Bashkia Durrës ka kërkuar nga qeveria shqiptare miratimin e subvencionimit të plotë të tarifës hyrëse për një afat 10 vjeçar sipas planit afatgjatë të buxhetit.

“Dritë jeshile apo…”

Lajmi për nisjen e depozitimit të mbetjeve në Sharrë natyrshëm është i mirë për qytetarët. Por zgjidhja mbetet provizore.

Besoj se këto dy ditë do marrë një zgjidhje të shpejtë se ku do të depozitohen mbeturinat e Durrësit. Duhet të dini që kjo është një përgjegjësi përtej ministrit të Brendshëm, por është e disa institucioneve”, – tha Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, më 28 qershor.

Në mes të muajit qershor, bashkia Durrës i është drejtuar me shkresë zyrtare Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve si dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për dhënien e dritës jeshile për zgjidhjen e kësaj problematike të mprehtë sociale dhe mjedisore.

Depozitimi në Sharrë duket se mbetet zgjidhja e vetme, prandaj negociatat do të përqendrohen në çmimin e depozitimit për ton. Sipas kryebashkiakes Sako, çmimi do të negociohet. Ajo që habit në çmimin e vendosur në skenarin nr.2 është fakti se ai është 11 euro më shumë sesa aplikohet për Bashkinë e Tiranës (40 euro për Durrësin, 29 euro për kryeqytetin)!

Të goditur rëndë nga tërmeti, me një sezon turistik larg pritshmërive gjatë vitit 2020, banorët dhe bizneset e Durrësit e kanë kthyer vështrimin nga vera e këtij viti. Mbarëvajtja e sezonit turistik do të evitonte falimentimin e bizneseve në vështirësi dhe rikuperimin disi të humbjeve të shkaktuara në 2019 dhe 2020.

Por plehrat dhe turizmi nuk mund të bashkëjetojnë dot…

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *