Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gazetaria nga ekrani; rregullorja e re e Kuvendit cënon lirinë e medias

Autore: Elira Kadriu, Entenela Ndrevataj 

Ato janë mësuar të komunikojnë përpara kamerave, por me 9 qershor gazetarët që mbulojnë punimet e Kuvendit dhe komisionet parlamentare nuk mbanin në duar mikrofona. Me pankarta ku shkruhej: “Ne duam të raportojmë atë që shohim, jo atë që na servirin,” ata u mblodhën të protestonin kundër rregullores së re të Kuvendit të Shqipërisë, për të cilën shprehen se cënon lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Vendimi i fundit i Byrosë e kthen gazetarin në një vizitor në godinën e Kuvendit”, ankohet Arestina Skënderi, reportere e televizionit A2 CNN.

T’i thuash një gazetari që lajmin do ta marrësh nga një dhomë ku do të akomodohesh dhe do të kesh ekrane, së pari i ke mohuar të drejtën e informimit, së dyti i ke dhënë atij një lajm të servirur e së treti nuk po e lë që të raportojë në mënyrë të lirë,” shtoi ajo.

Me 2 qershor, Byroja e Kuvendit miratoi vendimin për ndryshimin e rregullores për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e medias pranë Kuvendit të Shqipërisë. Sipas gazetarëve kjo rregullore është miratuar nga Kuvendi pa u konsultuar me grupet e interesit.

Është thënë që janë bërë disa takime me gazetarët por asnjë prej kolegëve tanë që mbulojnë zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë nuk e pohon këtë fakt,” tha Osman Stafa, gazetar politike në televizionin News 24.

Osman Stafa, gazetar, News 24

Ndërkohë ekspertët e lirisë së medias dhe të drejtës së informimit – të huaj dhe vendas, shprehen se ky vendim cënon jo vetëm të drejtën e publikut për t’u informuar, por edhe pavarësinë e deputetëve për të komunikuar me zgjedhësit.

Ekziston një traditë e gjatë demokratike ku aktiviteti parlamentar zhvillohet në publik,” tha Helen Darbishire, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe themeluese e organizatës ndërkombëtare për të drejtën e informimit “Access Info”.

Gazetarët duhet të kenë qasje në mjediset fizike të parlamenteve,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se “gazetarët gjithashtu duhet të jenë të lirë të shëtisin dhe të flasin me parlamentarët dhe stafin e tyre”.

Helen Darbishire, “Access Info”

Pas protestës të mbajtur nga gazetarët dhe reagimit të organizatave të lirisë së shprehjes, Kuvendi mbajti një mbledhje të hapur për të dëgjuar sugjerimet e grupeve të interesit për rregulloren e re.

Sekretari i Përgjithshëm, Genci Gjonçaj u shpreh se vendimi po rivlerësohet dhe po merren në konsideratë të gjitha shqetësimet e ngritura, por ai nuk dha një afat kohor se kur ato do të reflektohen në rregulloren e Kuvendit.

Kur, si dhe në cilin moment do ketë ndryshime është çështje që nuk mund të jap dot përgjigje,” tha Gjonçaj.

Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit

Përkeqësimi i lirisë së medias

Liria e medias ka shënuar hapa mbrapa në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të qeverisë së qendrës së majtë të kryeministrit Edi Rama. Sipas indeksit për lirinë e medias në botë të publikuar nga organizata Reporterë pa Kufij për vitin 2021, Shqipëria renditet e 83 nga 180 vende.

Shtatë organizata ndërkombëtare të lirisë së media, të cilat vizituan Shqipërinë në një mision faktmbledhës në korrik 2019, shprehën shqetësimin e tyre se autoritetet shqiptare nuk po i përmbushin detyrimet për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias.

Një prej problemeve më të mëdha është censura, mënyra se si funksionojnë mediat në Shqipëri nuk lejon që gazetarët të raportojnë lirshëm”, shprehet Flutura Kusari, nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), një nga organizatat që mori pjesë në misionin faktmbledhës të dy viteve më parë.

Problemi i dytë është aksesi në informacion,” thekson Kusari, ndërsa shtoi se “gjithnjë e më tepër, aksesi në informacion është gati i pamundur, përfshirë tani dhe tentativën me këtë rregullore.”

Flutura Kusari, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF)

Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të ndryshuar rregulloren për akreditimin e medias i ndalon gazetarëve të monitorojnë dhe të raportojnë në mënyrë të pavarur nga komisionet parlamentare.

Sipas rregullores së re, gazetarët nuk mund të lëvizin më në mënyrë të pavarur në mjediset e Kuvendit, por do të detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të veçantë në bodrum – e njohur si salla e gazetarëve, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar punimet e komisioneve parlamentare.

Ndërkohë, gazetarët që duan të organizojnë intervista me deputetët duhet të bëjnë kërkesë dhe të marrin miratimin e Zyrës së Shtypit të Kuvendit.

Ndryshe nga gazetarët e mediave të pavarura, rregullorja e re i jep status të veçantë gazetarëve të RTSH-së dhe të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilët mund të lëvizin lirisht në mjediset e Kuvendit.

Në një reagim fillestar pas protestës së gazetarëve, Kuvendi pretendoi se ndryshimi i rregullores ishte produkt i rekomandimeve të Bashkimit Europian.

Megjithatë, në një deklaratë për median Delegacioni i BE-së në Tiranë mohoi se qëndronte pas ndryshimit të rregullores dhe i kërkoi Kuvendit të konsultohej me grupet e interesit.

Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij, janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale,” deklaroi Delegacioni i BE-së.

Gazetaria nuk bëhet përpara ekranit

Rregullorja e re e parlamentit shqiptar është kundërshtuar jo vetëm nga gazetarët që raportojnë çdo ditë  nga mjediset e tij, por edhe nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes.

Në një letër dërguar kryetarit të Kuvendit, ECPMF dhe tre organizata të tjera ndërkombëtare – Artikulli 19, Federata Evropiane e Gazetarëve, (EFJ) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), i kërkuan Gramoz Ruçit ta tërheqë rregulloren e re të miratuar për marrëdhëniet me median, duke e cilësuar atë kufizuese për transparencën e parlamentit dhe të dëmshme për demokracinë në vend.

Ne me respekt të kërkojmë të tërheqësh këto rregulla të reja dhe të mbash standardet aktualisht të larta për akses të gazetarëve dhe të punonjësve të medias”, shkruajnë organizatat në letrën e hapur të publikuar online.

Çdo ndryshim i ri duhet të prezantohet vetëm pas konsultimeve me organizatat e gazetarëve, sindikatat dhe shoqërinë civile,” shtuan ato.

Sipas Koloreto Cukalit, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, vendimi i Kuvendit cënon aftësinë e gazetarëve për të raportuar në mënyrë të pavarur nga Kuvendi.

Gazetaria nuk bëhet në kafe dhe gazetaria nuk bëhet para një ekrani, pra gazetari duhet të jetë aty ku ndodh ngjarja dhe ky është dallimi i madh midis gazetarisë së mirë dhe asaj jo të mirë”, pohoi Cukali.

Koloreto Cukalit, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias

Mund të mbash vërtet një regji dhe vetëm një kamera që të xhirojë por gazetarët duhet të jenë prezentë, aq më tepër kur thagmat më të mëdha në Kuvendin e Shqipërisë ndodhin pikërisht në komisionet parlamentare dhe t’i largosh gazetarët që andej apo dhe nga vende të tjera është thjesht absurde,” shtoi ai.

Flutura Kusari nga ECPMF theksoi se nëpërmjet raportimit të medias nga parlamenti qytetarët informohen mbi dinamikën e zhvillimeve në Kuvend, kuptojnë sesi i përfaqësojnë partitë politike votuesit e tyre, se çfarë vendosin, çfarë diskutimesh ka, çfarë interesash të ndryshme shtyhen përmes lobimeve, si dhe agjendat e ndryshme gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve.

Megjithatë, ajo nënvizoi se nga rregullorja e re e miratuar nga Byroja e Kuvendit të humbur janë edhe deputetët.

Ju duhet ta dini që deputetët nuk e kanë lirinë e plotë të veprojnë si të duan ata, zakonisht janë ne diktatin e kryetarëve të partive politike dhe shpesh herë e vetmja mundësi për ta që të flasin është vetëm duke komunikuar me gazetarët brenda Kuvendit të Shqipërisë”, tha Kusari.

Gazetarja Arestina Skënderi beson se arsyeja pse shumë deputetë nuk po e kundërshtojnë ndryshimin e rregullores, lidhet me faktin se Kuvendit i mungon një opozitë e vërtetë.

Arestina Skënderi, gazetare, A2 CNN

Ky vendim vjen në këto moment pasi ne kemi që në 2019 që në parlament kemi vetëm një parti dhe nuk ka pasur në fakt një opozitë reale, e mesa duket mazhoranca aktuale dëshiron që mos të ketë dhe pengesën e fundit, pra gazetarinë që të raportojë në mënyrë të lirë dhe të pavarur,” tha ajo.

E për ironi të fatit të gjithë ata që miratuan këtë rregullore nuk do të jenë në parlamentin e ri, madje as kryetari Gramoz Ruçi, i cili dha dorëheqjen para pak ditësh”, përfundoi ajo.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze. Artikulli është pronësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimin e KSHH-së dhe qeverisë holandeze.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *