Sot, më 6 korrik, Kuvendi është tërhequr nga ndryshimet e rregullores, për të mos lejuar gazetarët që të ndjekin fizikisht seancat parlamentare.
Sipas vendimit të firmosur nga kryetari në detyrë Gramoz Ruçi, gazetarët do të kenë akses të plotë gjatë komisioneve, si dhe përdorimin e aparateve celularë nga ana e tyre.
Është pranuar gjithashtu kërkesa e gazetarëve për mos tu shoqëruar nga shërbimet e sigurisë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, përveç rasteve kur është e nevojshme.
Operatorët gjithashtu do të mund të filmojnë plane në pesë minutat e para të fillimit të mbledhjes.
Ndërsa propozimi i gazetarëve për të lëvizur lirshëm dhe për të zhvilluar intervista edhe në korridoret e kuvendit është miratuar pjesërisht. Kështu përveç ambientit të brendshëm dhomës së shtypit, reporterëve u është siguruar edhe një kënd në oborrin e jashtëm duke u krijuar mundësinë të kontaktojnë deputetë të interesuar për intervista.
Gazetarët nuk do duhet as të informojnë paraprakisht zyrën e shtypit për detajet apo çështje konkrete që do të trajtohen gjatë zhvillimit të një interviste me figura të ndryshme politike.
Rruga e gazetarëve drejt fitores
Mos lejimi i gazetarëve brenda ambienteve te kuvendit u miratua më 2 Qershor por u bë i njohur për publikun më 4 Qershor nga një status në rrjetet sociale nga gazetarja Esiona Konomi.
Katër organizata ndërkombëtare, Artikulli 19, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve, (EFJ) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), nënshkruan një letër dërguar kreut të Kuvendit, ku theksohej se rregullat e reja do të kenë ndikim negativ në punën e gazetarëve dhe transparencës së Kuvendit.
Më 9 Qershor një grup gazetarësh të akredituar zhvilluan një protestë simbolike jashtë Kuvendit dhe më pas ata u ftuan në një takim nga sekretari i Kuvendit Genci Gjonçaj, për të replikuar vendimin në fjalë dhe për të dhënë propozimet e tyre.
Sipas një reagimi zyrtar të Kuvendit nevoja për një sistem të ri audio-video ishte imediate dhe se ky sistem ishte rekomanduar dhe financuar nga Bashkimi Evropian.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, i cili përgënjeshtroi deklaratën e Kuvendit. Gjithashtu Delegacionit i BE kritikoi hapur mos konsultimet me grupet e interesit, pra vetë gazetarët.
Ekspertët e të drejtës së informimit – të huaj dhe vendas kanë pohuar njëzëri se ky vendim është një cënim dhe regres i radhës i lirisë së medias në vendin tonë.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.