Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë bëri thirrje për një proces transparent të zgjedhjes të kreut të bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA).
“Është e rëndësishme që mos të ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës se AMA-s” u shpreh përfaqësia e BE- së në Tiranë.
Parlamenti votoi sot për kreun e ri të AMA-s Armela Krasniqin, ish-zëdhënëse e Partisë Socialiste, pavarësisht reagimeve për mos përfshirje partiake.
Autoriteti i Medias Audiovizive kontrollon përmbajtjen etike të televizioneve dhe radiove si dhe ka fuqi që të heqë licensat e tyre nëse ka arsye për të kaluar në nivele të tilla vendimmarrje.
Kryeministri tentoi të kontrollojë edhe përmbajtjen e mediave online duke i dashur ti jap fuqi AMA-s për ti kontrolluar ato, por deri tani ka mbetur ende në tentativë aprovimi i asaj që është quajtur paketa e “antishpifjes”.
Mbi procesin e zgjedhjes së kryetarit të bordit të AMA-s ka reaguar edhe Ambasada Britanike në Tiranë.
Në reagim Ambasada Britanike konfirmoi se autoritetet rregullatore të mediave kanë një rol kritik në përforcimin e standardeve, integritetit dhe pavarësisë së mediave.
“Sot theksojmë thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar profesionalizmin e AMA-s përmes zgjedhjes së kandidatëve të pavarur në strukturat drejtuese të institucionit” thuhet në statusin e publikuar në rrjetet sociale.
Mbi pavarësinë dhe profesionalizmin e dy kandidaturave për Kryetarin e AMA ka reaguar më herët edhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) përmes një letre drejtuar ish kreut të Kuvendit, Gramoz Ruci.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt përmend nevojën për anëtarë dhe kryetarë të AMA-s jo partiakë.
Grupimi i gazetarëve bën thirrje edhe për ndryshime në Ligjin e Mediave Audiovizive, ku i kërkon parlamentit të respektojë standardet evropiane dhe ta hartojë atë në përputhje me opinionin dhe standardet e Komisionit të Venecias.
Kjo është mbledhja e fundit e parlamentit të vjetër, i cili do ti lë vendin kandidatëve të zgjedhur më 25 Prill.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.