Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zjarri tek Sarajet i hap rrugë shpronësimit mes shqetësimeve për tjetërsimin e godinës

Kompleksi “Sarajet” në rrugën Abdi Toptani në Tiranë, u përfshi nga flakët mesnatën e djeshme. Vila që mban statusin monument kulture i kategorisë së parë, dyshohet se është djegur qëllimisht.

Zjarri u vu në kontroll ndërsa është e pamundur të evidentohen dëmet në godinë, pasi hyrja është e ndaluar. Dy policë të Bashkisë dhe një i rendit qendrojnë në portën e Sarajeve, duke penguar hyrjen, ndërsa vihet re mungesa e plotë e përfaqesuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Prokurorisë, të cilët nuk dihet nëse kanë nisur hetimet.

Këto janë pamjet e Sarajeve nga brenda, filmuar nga aktivisti Zirkon Disha mbrëmjen e djeshme:

I vetmi reagim zyrtar deri më tani është kjo deklaratë me dy rreshta e Policisë së Tiranës: “Më datë 16.08.2021, rreth orës 23:40, në rrugën “Abdi Toptani”, ka rënë zjarr në një lokal, ku ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit.”

Megjithatë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka nxituar të publikojë arsyet e madje dhe pamjet filmike të autorit që largohet nga vendngjarja.

“Në pak minuta, zjarrfikësit e Bashkisë së Tiranës kanë shuar zjarrin e qëllimtë në 2 vatra”, shprehet Veliaj në reagimin plot akuza në Facebook, ku shton se ka biseduar me urgjencë në mesnatë me Kryeministrin, i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar të godinës.

Prej më shumë se një viti, Bashkia e Tiranës paralajmëron shpronësimin e godinës së Sarajeve. Në dalje të ndryshme televizive, Veliaj ka përsëritur qëllimet e Bashkisë për t’ja marrë godinën pronarëve e për ta kthyer në muze. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe sot, ku shprehet se godina do t’i merret 18 pronarëve.

Pse premtimet për muze nuk ngjallin besim?

Alarmi që ka ngritur djegia e banesës monument u pasua nga një sërë reagimesh, ku ngrihen dyshime se qeveria shqiptare po vepron në favor të investitorëve privatë, për ta rrethuar godinën e Sarajeve me kulla shumëkatëshe.

Hera e fundit kur zjarri ka përfshirë qendrën e Tiranës ka qenë muaji shkurt i vitit 2019. Një truall në pronësi të Bashkisë Tiranë, i përjashtuar nga zona u dogj. Zona u zhvesh nga mbrojtja me një seri Vendimesh të Këshillit të Ministrave në vitet 2000, 2017 dhe 2018, që kanë tkurrur qendrën historike të Tiranës.

https://www.facebook.com/citizenschannel/posts/2032709220366163

Hapësira ishte përjashtuar nga kufiri i zonës historike të qytetit me një seri Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të vitit 2018, kohë kur u la jashtë dhe zona e Teatrit Kombëtar si edhe hapësira ku ngrihen sot Sarajet.

Mungesa e Planit të Detajuar Vendor i hap rrugë kullave pa kriter në qendër të Tiranës

Një investigim i Citizens Channel, publikuar në maj të këtij viti shpjegon si Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare po zëvendësojnë godinat historike me kulla shumëkatëshe, duke anashkaluar një sërë procedurash ligjore.

Sipas hartës së publikuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, qendra e Tiranës, (zona ku ndodhet edhe godina e Sarajeve) i përket njësisë strukturore TR/1. Koeficenti i shfrytëzimi të truallit, numri i lejeve të ndërtimit, lartësia e tyre në kate sipas ligjeve në fuqi duhet të përcaktohen në Planin e Detajuar Vendor (PDV) të zonës dhe ndërtimet janë të ndaluara në zonat që nuk e disponojnë këtë dokument. E megjithëatë numri i kantiereve të hapura në zonën TR/1 vazhdon të rritet, ndërsa institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për miratimin e PDV, e as nuk i janë përgjigjur kërkesave të vazhdueshme për transparencë nga Citizens Channel.

Kjo situatë ngre dhe më shumë dyshimet për atë që do të pasojë zjarrin në Sarajet e Toptanëve, pasi godina ka fatin e keq të jetë ngritur mbi një sipërfaqe ku interesat për ndërtim janë të larta e ligjet nuk zbatohen.

Historia e “Sarajeve të Toptanëve”

Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.

Muri origjinal në drejtim të veriut është modifikuar me kangjella metalike në shërbim të funksionit të kafe-restorantit që kur objekti ka ndryshuar funksion gjatë viteve 2000.

Në tërësi, ndërtesa është në gjende të mire nga të gjitha fasadat e saj në pamje të parë. Duke vlerësuar braktisjen e objektit prej më shumë se pesë vitesh si dhe periudhën dhe teknologjinë e ndërtimit të , kërkohet restaurim pjesor i tij për të siguruar qëndrueshmërinë si nga aspekti konstruktiv por dhe nga ai i imazhit.

Banesa me dy kate, e ndërtuar nga mjeshtrat dibranë, është vendosur mbi një parcelë të rrafshët me orientim nga jug-lindja, duke i drejtuar diellit pamjen kryesore. Ajo paraqet interes nga ana ndërtimore, si për kompozimin funksional, trajtimin arkitektonik-dekorativ, ashtu dhe të lidhjes së saj në një ansambël të vetëm me ndërtimet përreth. Sarajet e Selim Pashë Toptanit njihen me emrin e dhëndrit të tij Servet Bej Libohovës dhe janë Monument Kulture i mbrojtur nga shteti.

Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme.

Ky tip banese përfaqëson banesën tipike tiranase me “dhomën e zjarrit”. Ajo ka planimetri drejtkëndëshe të rregullt. Është ndërtuar me mure qerpiçi dhe skelet druri në katin e sipërm.

Muratura shkon me gjerësi 60-70 cm, qerpiçët lidhen me llaç balte përzierë me kashtë. Themelet ndërtohen me gur lumi e lidhen me llaç balte duke u ngritur rreth 30-40 cm nga niveli i tokës ku më pas krijohet një brez druri dhe muret e objektit.

Banesa është e tipit me çardak në një krah. Në këtë mënyrë formohet kati përdhe me hajatin dhe katër ambiente te tjera. Shkallet e hapura dyrampeshe ne pjesën ballore te objektit te drejtojnë ne çardakun e mbyllur te katit.

Objekti është restauruar dhe rikonstruktuar përgjatë fillimit të viteve 2000 duke kthyer funksionin origjinal te banesës ne atë te një restorant dhe kafeje, duke transformuar pjesërisht strukturën e brendshme te saj por duke mbajtur elementin karakteristik te “dhomës se zjarrit” .

Po, pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, është hartuar një studim i plotë për të restauruar tërësisht objektin duke shtuar dhe hapësira të tjera për funksionimin më të mirë të tij nga subjekte të kontraktuara nga Ministria e Kulturës.

Sarajet e Toptanëve është pjesë e platformës Citizens Urban Stories – ku Citizens Channel ka skeduar mbi 60 vila monument kulture, në gjashtë zona historike të Tiranës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *