Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Turizëm dhe plehra” një tjetër sezon turistik i humbur për mjedisin dhe menaxhimin e mbetjeve

Në këtë sezon turistik Shqipëria u promovua si një destinacion i lirë nga COVID-19, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për mbetjet.

Në një thirrje e publikuar nga Citizens Channel përmes mekanizmit ECR (Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar), qytetarët dërguan fotografi dhe video nga rreth 30 zona turistike që përfshijnë parqe natyrore, plazhe, pyje apo site arkeologjike, ku tregohet se turizmi në Shqipëri për fat të keq ende vijon të bashkëjetojë me ndotjen.

Materialet e dërguara përfshinë atraksione natyrore nga veriu në jug të vendit, si liqeni i Komanit, plazhi i Zvërnecit, Durrësit, Palasës e Sarandës, Parku Kombëtar i Lurës, Dajtit  të ndotura nga mbetjet plastike apo derdhja e ujërave të zeza dhe mbetjeve plastike.

Kliko mbi hartë për të parë raportimet rreth ndotjes:

Nga Tropoja në Vlorë… qytetarët që kërkojnë dhe ofrojnë zgjidhje për problemin e ndotjes

“Edhe pas aksionit ku pastruam më shumë se 70% të liqenit të Komanit nga mbetjet, e kam ri vizituar dhe situata vijon po e njëjtë aty”, u shpreh për Citizens Channel Arben Kola, udhërrëfyes turistik i cili është angazhuar vazhdimisht në aksione vullnetare për pastrimin e Komanit.

Kola pohon se 90% e mbetjeve në Koman vijnë nga lumi i Valbonës. Ai shpjegon se ky lum kalon në qytetin e Bajram Currit dhe bashkia përveçse nuk shkarkon koshat, lejon qytetarët t’i hedhin mbetjet në përrua dhe sa herë që bie shi, lumi i sjell mbetjet në Koman.

“Vjet, gjatë pandemisë, në maj,  kam kontaktuar kryetarin e bashkisë së Bajram Currit dhe i komunikova që kemi mbledh 35 thasë mbeturina dhe ai nuk dërgoi as kamiona për t’i marrë thasët. Një pjesë e thasëve që mblodhëm u rihapën serish nga kafshët e egra”, kujton Kola.

Sipas tij e njëjta situatë paraqitet edhe në Parkun Kombëtar të Thethit ku shtigjet më të frekuentuar nga turistët si ai që të dërgon te Syri i Kaltër janë edhe më të ndoturit.

“Institucionet duhet t’i gjobisin ndotësit, është shumë e thjeshtë, menaxhohet veç me një dron, i shikojnë ata që hedhin mbeturinat , i identifikojnë dhe kaq”, sugjeron Kola.

Grykëderdhja e lumit Ishëm

Lumi Ishëm, foto nga platforma ECR

Konsideruar si lumi më i ndotur në Evropë, Ishmi përshkon Shqipërinë Qendrore dhe çdo vit derdh në detin Adriatik 733.000 kilogram mbetje, duke e kthyer këtë rrjedhë në një shqetësim ndërkombëtar.

Gjatësia e shtratit të tij është 79.2 km dhe formohet nga bashkimi i ujërave të lumit të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atë të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e Rodonit.

Rreth basenit të Ishmit banojnë rreth 30% e shqiptarëve. Inxhinieri Lulzim Bauman ka punuar një manual praktik për eliminimin e mbetjeve përgjatë këtij baseni.

Ajo çka vihet re në evidentimin e rasteve në manual është se Bashkia e Tiranës ka kontributin më të lartë në ndotjen e lumit, e ndjekur më pas nga Bashkia e Vorës edhe e Kamzës.

Ndër burimet kryesore të ndotjes përmendim: detergjentët larës, ujërat e zeza, ujërat industriale dhe mbetjet e ngurta.

Metalet toksike që derdhen në basenin e Ishmit tejkalojnë vlerat standarde të Bashkimit Evropian shumë herë, si për shembull niveli i kadmiumit është 102 herë më shumë se standardi i BE-së, ndërsa niveli i plumbit, 87 herë më shumë se niveli standard i BE-së.

Shpesh herë grupe aktivistësh dhe studentësh janë organizuar në aksione vullnetare për pastrimin e segmenteve të ndryshme të këtij lumi, si në iniciativën e organizuar nga River CleanUp.

“Lura e rrezikuar nga HEC-et”

Prej vitesh Parku Kombëtar i Lurës është dëmtuar nga prerja masive e pyjeve, ndërsa së fundmi rrezikohet nga ndërtimi i HEC-eve “Borje-Lurë” pranë zonës së liqeneve si dhe HEC-eve Sekë dhe Zais në anën tjetër të parkut në zonën e Zall Gjoçajt.

Lura, e njohur për 12 liqenet e saj akullnajore është shpallur zonë e mbrojtur, kategori e II-të, me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 1996. Në vitin 2018, sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën, për të formuar kështu “Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës”.

Vendimi nr 10 i datës i datës 3 tetor 2018 i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), me drejtues Kryeministrin Edi Rama, miratoi lejen e ndërtimit për HEC-in “Borie-Lurë 1”. Në po të njëjtën ditë, KKT miratoi lejet për hecet në lumenjtë Urakë dhe Flim në Zall Gjocaj (Pjesë e Parkut Kombëtar Lurë- Mali i Dejës), çka ka bërë që banorët të nisin rezistencën disa mujore në terren.

“Zvërnec, turizëm dhe mbetje”

E njëjta situatë paraqitet dhe në jug të vendit, Zvërneci i Vlorës edhe pse është bërë pjesë e programit “100 fshatrat” nuk ka asnjë shenjë të rilindjes rurale.

“Më ka lënë përshtypje zona e Zvërnecit. Pjesa e fillimit të rrugës së makinave është gjithmonë e ndotur pasi njerëzit i hedhin mbeturinat nga dritarja. Por ndotësit më të mëdhenj janë lokalet, nëse kalon pishat, futesh në brendësi të pyllit është plot e përplot me mbeturina, qelq, letër, peshk dhe është një aromë e tmerrshme. Mbetjet e lokaleve hidhen te pylli i sodës. Janë dy lokale të mëdha që depozitojnë plehrat në këtë pyll”, tregon Drane Perlala, e cila ka dërguar këto fotografi tek Citizens Channel përmes mekanizmit ECR.

Në fshat ashtu si në zonën e pyllit të Sodës dhe plazhet përreth, në mungesë të kontenitorëve, gjen kudo grumbuj mbetjesh të hedhura aty nga vizitorët dhe vetë bizneset që shfrytëzojnë bregdetin.

Investime miliona euro, por sërish ujërat e zeza derdhen në det

Edhe pse në nenin 67, në ligjin për “Menaxhimin e integruar të burimeve ujore” ndalohet shkarkimi i ujërave të zeza në det, situata vijon e tillë në shumë nga plazhet në vend.

Tubat e shkarkimit dhe ndotja në plazhin Currila – Foto: Irina Cela

“Kam vite që vij në plazhin e Currilave. Nuk jam e qartë nëse ky tub i madh shkarkon ujërat e zeza apo jo, ama shpesh herë kam pasur probleme me lëkurën pas larjes në det”, pohon Irina Cela për Citizens Channel.

Klaudio Hyseni, një nga drejtuesit e projektit “Durrësi Aktiv për një bregdet të pastër” shpjegon për Citizens Channel se zona e shëtitores Taulantia dhe pjesa e Currilave nuk kanë një depurator dhe kolektori nr. 8 merr ujërat e përdorura së bashku me ujërat e shiut dhe i pompon drejtpërdrejtë në det.

“Investimi bashkisë te lagja nr. 1 nuk ka sjellë ndryshim të strukturës, por vetëm kanë zmadhuar tubat e shkarkimit dhe uji rrjedh lirshëm në det, par uji i shiut përzier me ujërat e zeza dhe kështu ka mbetur deri më sot”, pohon Klaudio.

Ai shton se Agjencia Kombëtare e Mjedisit që monitoron bregdetin shqiptar për nivelin e ndotjes për ujërat, nuk ka asnjë stacion monitorimi në shëtitoren “Taulantia” për ujin e detit.

“Ndotja si vrasës i ekosistemit ujor”

Aleksandër Trajce drejtuesi i organizatës PPNEA (Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri) shpjegon se derdhja e ujërave të zeza në det rrit ngarkesën organike dhe si pasojë rritet edhe prodhimi i algave të cilat shpesh herë shkojnë në nivel shpërthimi.

‘Rritja e lagave sjell uljen e oksigjenit në ujëra, rënien e biodiveristetit pra e varfëron ekosistemin” , shpjegon Trajce.

Ai shton se ka dhe raste kur ujërat e zeza përzihen edhe me ujëra industrial apo të ndotura nga vajra dhe në këtë rast dëmet janë në terma më afatgjatë pasi ndotësit akumulohen me dekada.

Shqipëria ka shpenzuar 91.3 milionë euro dhe 547 milionë lekë nga viti 2014 deri në vitin 2021 për ndërtimin e 14 impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Pavarësisht investimit kolosal bregdeti shqiptar edhe gjatë këtij sezoni turistik është ndotur nga ujërat e përdorura.

Sa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane, Shqipëria shpenzoi rreth 12 milionë euro  për programin e menaxhimit të mbetjeve urbane vetëm në katër muajt e parë të vitit 2021. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve shkuan për inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, projekte këto të përfolura shpesh si të përfshirë në afera korruptive dhe klientelizëm. Ndërsa edhe ky sezon që shkoi, i gjeti zonat turistike nën emergjencë mjedisore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *