Citizens.al

Protesta kundër rritjes së çmimeve mbledh qindra qytetarë përpara Kryeministrisë në Tiranë

Qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën dje përpara kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, të energjisë dhe karburantit.

“Kjo nuk është e drejtë, nuk është e drejtë për fëmijët që duam të rrisim në këtë vend, për të gjithë ata të rinj dhe të reja, që nuk kanë mundësi të marrin një shtëpi”, u shpreh aktori Florian Binaj.

Binaj shpalosi edhe një pankartë ku ironizonte faturat e kripura të politikanëve në darkat gjatë udhëtimeve të punës jashtë vendit.

Aktivistët akuzuan institucionet për keq menaxhim të krizës dhe mos marrje përgjegjësish.

“Ne kemi nevojë të mirë qeverisemi dhe jo për të lajmëruar qytetarët se një krizë po vjen. Ata janë aty që kriza të mos vij, ata janë aty që të mendojnë sesi kriza duhet përballuar”, deklaroi Migen Qiraxhi, përfaqësues  i organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Lajmërimi fillestar për protestën erdhi nga aktivisti Adriatk Lapaj, i cili postoi orën dhe vendin ku do të protestonte individualisht për rritjen e çmimeve.

“Hallet tona mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimeve”, tha Lapaj në fjalën e tij gjatë protestës.

Qytetarët u shprehën se e kanë të pamundur të përballojnë jetesën me këtë nivel të ri çmimesh.

“Në një dyqan, pataten e merrja 500, sot e mora 700”, pohoi Pëllumb Qafa.

Një tjetër qytetar Ilir Nilo konfirmoi për Citizens Channel se ka kohë që biznesi i tij i vogël ka vetëm rënie financiare, duke parashikuar falimentimin e tij të afërt.

“Kujt i  bien këto mbi shpatulla? Të bëjnë një reformë, ti lehtësojnë një herë pastaj ti rrisin. Çfarë jemi ne? Skllevër jemi?”, tha Nilo.

Pjesëmarrësit lajmëruan se protesta do të vijojë të hënën e ardhshme me shpresën se do të jenë më shumë qytetarë në shesh.

“Do tu lë disa ditë kohë të reflektojnë dhe ditën e hënë në orën 17.00 do të jem sërish këtu”, përfundoi Adriatik Lapaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *