Citizens.al

“Lura si dëshmi e shkatërrimit të natyrës”

Në zonën e Borie-Lurës vijojnë punimet për të ndërtuar një tjetër hidrocentral. Diga e HEC-it “Borie-Lurë 1” planifikon të mbledhë ujërat e përrenjve që burojnë nga Kurora e Luleve për të prodhuar energji elektrike.

Unë jam Dylejman Kaçi, lind e rrit në Boeri-Lurë. Po të thuesh tan jetën teme ia kam kushtue Borie – Lurës. Me shpenzime, me mund, me djersë”, – prezantohet për Citizens Channel Dylejmani, i cili kundërshton ndërtimin e këtij HEC-i.

Lura nuk ka nevojë për hidrocentrale. Kjo është mbledhje burimesh ku thahet komplet zona e Borie-Lurës dhe shkatërrohet në mënyrë totale. Këtu ka nevojë për turizëm dhe për blegtori”, – thotë ai në një mëngjes me shi e pa drita.

Pesë-gjashtë hidrocentrale dhe drita s’kemi, fatmirësisht je këtu. A kena drita?”, – më pyet Dylejman Kaçi, pyetje të cilës i përgjigjet po vetë.Jo”, – thotë ai, teksa në sfond dëgjohet zhurma e transformatorit, ndezur nga pronari i kafeneje të vogël në Lurë.

Ened Mato, EcoVolis

Tek pyetet rreth pjesëmarrjes në dëgjesa me publikun, ai përgjigjet me ironi.

Ooo, nuk na ka pyt njeri sa borën që ka ra para 500 vjetësh. E di bora që bie para 500 vjetësh, me dit se si ka qenë, a ka qenë shumë, a ka qenë pak? S’na ka pyt njeri”, – thotë ai.

Të tjerë banorë refuzojnë të japin komente rreth kësaj çështjeje.

Dylejman Kaçi tregon se mundësitë nuk i kanë munguar që të largohet prej kohësh nga Lura, por ka zgjedhur të qëndrojë, pasi dëshiron të investojë në ekoturizëm.

Përfundimi i kësaj vepre, sipas tij, do të ketë ndikim shumë negativ në zonë. Simbolikisht, përrenjtë për të janë gjaku i tokës

Ndërtimi i hidrocentralit në Borie-Lurë

Asht edhe toka si çdo lloj organizmi. Po t’i presësh damarin, po t’i ndalësh ujin, a qarkullon ma gjaku?”, ngre pyetjen ai.

Djegie dhe prerjet masive të pyllit ndër vite, “një holokaust natyror”

Gjatë vizitës në Lurë, lehtësisht mund të vihej re dëmtimi i pyllit, përmes prerjeve dhe djegies. Faqe të mëdha malesh qëndrojnë në këmbë pa asnjë pemë, duke shkaktuar edhe erozion.

Këtu vazhdojnë prapë prerjet, vazhdojnë prapë shkatërrimet”, – pohon Dylejman Kaçi.

Nuk kemi kërkue me ia pre bukën, çdo njeri të hajë bukë, po të hajë sipas ligjeve të shtetit dhe të rregullave që ka vendos shteti”, – thotë ai duke iu referuar fitimit që marrin njerëzit nga aktiviteti i prerjes së pemëve.

Shkatërrimi i Lurës nuk është informacion i ri, por ka filluar pas rënies së komunizmit. Pas viteve 90’, sipërfaqe të tëra pyjore u rrafshuan, ku trungje të mëdha pemësh u sharruan për qëllime tregtare.

Gazetari dhe aktivisti mjedisor, Xhemal Mato ka pasur mundësinë të filmojë pamje të rralla të parkut të Lurës, para dhe pas shkatërrimit.

Në vitet 94’-95’, ai ka filmuar Lurën nga ajri, ku dallohet pyll i dendur, me pemë shekullore që rrethonin shtatë liqenet e Lurës. Në shoqërinë e tij ishte dhe i biri, atëherë 14- vjeç, Ened Mato.

Mato tregon për Citizens Channel se prej atyre viteve, ruan një lidhje të veçantë me Lurën. Ai rrëfen se kishte pasur mundësi ta vizitojë dhe ta gëzojë atë vend, para se të ndërhynte dora e njeriut. Pas vizitës në vitet 94-95, Ened Mato vendos të rivizitojë Lurën tetë vite më vonë, bashkë më një grup shokësh nga Tirana, për t’u prezantuar atyre bukuritë e Lurës.

Ne po shkonim me idenë për të parë atë bukurinë, ndërkohë që ajo bukuri po çmontohej copa-copa dhe po sillej për poshtë”, – kujton ai.

Pamje të kamionëve plot e përplot me pemë të prera, të hedhura në tokë dhe në liqene iu shfaqën para syve dhe kameras, të cilat janë pjesë tashmë e një dokumentari të publikuar, që quajtur “Lura: si të shkatërrosh një ekosistem”.

Ky shtet asht i mirë se të lë të bësh çfarë të dush vetë”, – thotë një individ në dokumentarin e mësipërm, i cili po mbush një kamion të madh me trungje pemësh.

Revolta ishte e madhe në atë moment po fuqia ishte e vogël se pjesa më e madhe ishin banda, ishin të armatosur”,- kujton ai.

Ened Mato, EcoVolis

Liqeni i Luleve nuk dukej fare mes trungjeve të prerë. Liqeni i zambakëve po ashtu. Arneni i madh, që ishte shekullor, ishte prerë. Ishte një shkatërrim… sikur kishte ndodh një holokaust natyror”, – shprehet Ened Mato.

“Të gjithë për Lurën”

E mbajta brenda vetes atë trishtimin për t’u kthyer pas disa vitesh me fushatën ‘Të gjithë për Lurën’”, – thotë Mato. Kjo fushatë e ndërmarrë nga Ecovolis ka si qëllim të rijetësojë sërish Lurën, përmes mbjelljes së fidanëve të pishës së zezë dhe fara të pishës së Lurës. Këtyre aktiviteteve i është bashkuar edhe komuniteti.

Përpos kësaj fushate mbjelljeje, Ecovolis po punon dhe me barinjtë në Lurë, që të ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së ruajtjes së parkut dhe të marrin fitime përmes ekoturizmit.

Ata janë udhërrëfyesit më të mirë, ata dinë shtigjet më të mira, dinë vendet më të bukura dhe ne duam të çojmë vizitorë aty në sasinë që ata mund të përballojnë”, – sqaron Mato.

Vizioni i tij është rikthimi i Lurës siç ai e mbante mend dikur.

Lura nuk ishte thjesht një zonjë e bukur, ishte një zonjë që mbante gjithë ato male, krahina me energjinë, dashurinë  e saj. Në mendje duhet ta kthejmë Lurën siç ishte e madhërishme. Për t’u kthyer në vepër nuk është aq e vështirë”, – përfundon Ened Mato.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *