Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kinemaja e Gjirokastrës ndez dritat pas 30 vitesh, por mungon plani i menaxhimit

Autore: Anxhela Ruçi | Citizens Channel | Gjirokastër

Pas një ndërprerje 30 vjeçare, më 14 tetor 2021 kinemaja e Gjirokastrës transmetoi për herë të parë një film për publikun e këtij qyteti. Ishte Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi, që njoftoi në rrjetet sociale inaugurimin e kinemasë dhe premtoi investime për rikonstruksionin e godinës së kinemasë së qytetit.

Bashkia Gjirokastër “hermetike” në dhënien e informacionit për kinemanë e re

Rikthimi i kinemasë së qytetit të gurtë u lajmërua që në muajin maj të këtij viti, ku në ambientet e këtij institucioni u bënë provat përfundimtare të instalimit të pajisjeve digjitale. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, nëpërmjet projektit CIRCE Interreg IPA CBC Italy-Albania-Montenegro, ka investuar 50 mijë euro për modernizimin e kinemasë me aparatura tërësisht të reja për projeksionin, zërin si dhe restaurimin teknik të sallës. Falë investimit kinemaja mund të transmetojë në teknologjinë 2K, 3K dhe 4K, njësoj si kinematë private në kryeqytet.

Në muajin shtator, në adresim të Bashkisë Gjirokastër është dërguar kërkesë për informacion për të mësuar më shumë rreth planit të këtij institucioni për vënien në funksion të kinemasë. Nga një vëzhgim në terren në fund të shtatorit, kinemaja nuk ishte e hapur për publikun dhe nuk kishte nisur transmetimin e filmave, ashtu siç u premtua.

Kinemaja e Re, Gjirokastër 26.09.2021

Për kthimin e një përgjigje zyrtare Bashkisë Gjirokastër iu desh një muaj kohë, duke shkelur të gjitha afatet të ligjore, të parashikuara nga ligji “Për të drejtën e informimit”.

Pyetjet rreth plan-eventit për rijetësimin e kinemasë; buxhetit për blerjen e filmave, apo rikonstruksionin e godinës dhe mobilieve të kinemasë, kanë marrë përgjigje vetëm një ditë pas inaugurimit zyrtar nga bashkia dhe transmetimit të filmit “Lindje-Perëndim-Lindje”, më 15 tetor.

Kinemaja e qytetit dhe (pa) planifikimi për rijetësim

Pavarësisht miliona eurove të dhëna nga Bashkimi Europian, institucionet vendore duket se nuk e kanë marrë seriozisht këtë investim.

Bashkisë Gjirokastër ju deshën 5 muaj (maj-tetor) për të transmetuar filmin e parë në kinema edhe pse nga pikëpamja teknike çdo gjë ishte gati. Kreu i Drejtorisë Kulturore, Bledar Kaçi gjatë inaugurimit në muajin maj, premtoi krijimin e një plan-biznesi për kinemanë e qytetit dhe aktivizimin e kinemasë që në muajt e verës.

Por në informacionin e vënë në dispozicion nga institucioni vendor, thuhet se plan-eventi për rijetësimin e kinemasë së qytetit, është në proces hartimi dhe pas diskutimit do të miratohet në Këshillin Bashkiak.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka investuar për pajisjet digjitale të cilat janë plotësisht të reja dhe bashkëkohore, por e kundërta është me ambientet e brendshme të kinemasë, të cilat nuk kanë pasur investime për më shumë se 30 vite, përgjegjës për të cilën është pushtetit vendor.

Arben Lami, Drejtori i Drejtorisë së Projekteve në një komunikim telefonik tha se kinemaja i ka në rregull të gjitha parametrat akustik dhe distancën nga ekrani tek publiku, por për të bërë një ambient më komod dhe që t’i përshtatet investimeve të pajisjeve digjitale, ka nevojë për rikonstruktim.

Ambientet e brendshme të kinemasë së Gjirokastrës, foto e marrë nga kronika e Top Channel 26.05.2021

Pyetjes për plan-buxhetin për rikonstruksionin e godinës dhe mobilieve, Bashkia Gjirokastër iu përgjigj: “Aktualisht kemi një projekt i cili synon të rimodelojë kinemanë e qytetit. Ne punojmë dhe me partnerë kombëtar si dhe ndërkombëtar për këtë qëllim. Një bashkëpunim i donatorëve shqiptarë si dhe të huaj është çfarë synojmë të arrijmë dhe të realizojmë objektivin tone”.

Por si do të vijohet me kinemanë pas inaugurimit? Bashkia po punon ende për hartimin e planit artistik dhe kulturor të qytetit dhe vetëm pas përfundimit të planit, diskutimit dhe miratimit në Këshillin Bashkiak do të kemi një përgjigje se kur do të ketë përsëri shfaqe në kinemanë e re të qytetit.

Në hapësirën “Kultura dhe Evente” në faqen zyrtare të Bashkisë Gjirokastër, nuk ka përditësim për aktivitetet e planifikuara, përfshirë edhe shfaqet në kinemanë e sapo inauguruar.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kuadër të një marrëveshjeje me qeverisjen vendore të qytetit, ka vendosur në dispozicion disa filma shqiptarë për t’u shfaqur në Kinemanë e Gjirokastrës.

Ndërsa Bashkia Gjirokastër nga ana tjetër, shprehet se pas inaugurimit të kinemasë së qytetit po punohet për hartimin e relacionit, i cili po ashtu si plan-eventi apo buxheti për rikonstruksion do të kalohen për diskutim dhe miratim në Këshillin Bashkiak.

Deri më tani në informacionin e vënë në dispozicion nga Bashkia Gjirokastër, e vetmja gjë e sigurt është se kinemaja do të jetë në shërbim për të gjithë target grupet dhe me kosto për çdo shtresë të shoqërisë.

Kinemaja e re, argëtim dhe nostalgji

Kristina Dhiamandi, 23 vjeç e cila pasi ka përfunduar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Tiranë, është rikthyer në vendlindje, për të punuar në një biznes privat. Ajo nuk ishte në dijeni për hapjen e kinemasë por e shikon këtë investim, si një dritare argëtimi që i ka munguar qytetit. Si Kristina janë edhe shumë të rinj të tjerë që janë kthyer në vendlindje për të punuar dhe jetuar, ndërsa pjesa e argëtimit dhe aktiviteteve kulturore i kanë munguar në përditshmërinë e tyre.

Por hapja e kinemasë nuk është vetëm në funksion të brezit të ri të qytetit, pasi ka edhe shumë nostalgjik, që kujtojnë shfaqet e filmave kryesisht shqiptar në Kinemanë e re të qytetit, përpara demokratizimit.

Burimi: Bashkia Gjirokastër

Burimi: Bashkia Gjirokastër

Iliri 55 vjeç, kujton hapjen e kinemasë së re të qytetit rreth vitit 1988, ku pothuajse çdo javë shkonte me të fejuarën e tij dhe shoqërinë për të parë “Dora e ngrohtë” apo “Pasionata”, filma të prodhuara nga kinostudio “Shqipëria e re”, në vitin 1983. Biletat asokohe kushtonin 10-15 lekë për të rriturit dhe rreth 5 lekë për fëmijët, ndërsa kinemaja ishte e hapur me orare të ndryshme edhe gjatë javës.  Që nga ajo kohë e deri më sot, Iliri nuk ka shkuar më në kinema, por me hapjen e saj do t’i rikthehet sërish fundjavave argëtuese.

Për qytetin e Gjirokastrës, kinemaja është një nga investimet kryesore në fushën e aktiviteteve kulturore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *