Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Edhe pse online, universitetet publike rritën shpenzimet për siguri godinash, honorare, ngrohje dhe transport

Viti akademik 2020-2021 është zhvilluar online për studentët e universiteteve në Shqipëri. Megjithëse me godina bosh, universitetet publike kanë shpenzuar 332 mijë euro për ngrohjen e tyre.

Raporti i monitorimit i kryer nga Qëndresa Qytetare për gjashtë universitetet publike analizon si ato i kanë menaxhuar paratë.

Përkatësish nën lupën e raportit kaluan Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti “Fan S.Noli”, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.

Nga monitorimi vihet re se Universiteti Politeknik i Tiranës renditet i pari sa i përket shpenzimeve që ka kryer për administratën. Në një vit, përpos pagave janë shpenzuar dhe 357 750 euro për shpërblime, 101 900 euro për dieta, 50 500 euro për karburant makine, 28 000 euro për komunikim përmes telefonit dhe internetit si dhe 290 000 euro për pagesat e Bordit dhe Senatit Akademik.

Shpenzimet për personelin janë më të lartat tek universitetet, ku përjashtim bën Universiteti i Tiranës, i cili shpenzimet më të larta i ka në kategorinë e “investimeve” dhe “Sigurimi Shërbimeve”, kjo edhe për shkak të rikonstruksionit të godinës së Fakultetit Ekonomik.

Universiteti Politeknik i Tiranës ka kryer më shumë shpenzime personeli në kategorinë e pagave me 666,940,710 lekë, ndjekur më pas nga Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Edhe pse mësimi është zhvilluar online universitetet kanë shpenzuar para të konsiderueshme në karburantin për makinat. Universiteti i Elbasanit, i Korcës dhe Elbasanit kanë shpenzuar 5 984 773 lekë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës ka shpenzuar për karburant vlerën 6 104 317 lekë.

Universiteti i Shkodrës edhe pse me mësim online, ka shpenzuar 6 250 000 lekë për të blerë gazoil për ngrohje për kaldajat, ndërsa ai Politeknik i Tiranës ka shpenzuar konsiderueshëm për ngrohje dhe pastrim me shifrën 21 380 089 lekë.

Dietat dhe udhëtimet kanë qenë po ashtu një zë i rëndësishëm për të gjashtë universitetet, duke shpenzuar në total 147 260 Euro.

Krahasuar me shpenzimet e kryera një vit më herët, shpërblimet dhe honoraret kanë pësuar rritje duke shkuar shpenzimet për këtë kategori në 3 233 437 Euro.

Po ashtu, siguria e godinave ka mbledhur shumë para nga gjashtë universitetet, duke numëruar plot 1 888 400 Euro. Vendin e parë për shpenzimet më të larta në këtë drejtim e ka Universiteti i Tiranës me 67 185 066 lekë vetëm për rojet para godinave, ndërsa 28 578 030 lekë për instalimin e kamerave brenda universitetit.

Shpenzimin më të ulët që kanë kryer universitetet ka qenë për studim edhe kërkim shkencor. Për të gjashtë universitetet shpenzimet në këtë drejtim kanë qenë 17 700 euro. Shifër kjo, e cila krahasuar me shpenzimet e një viti më herët ka ardhur në rënie.

Të vetmet universitete që kanë shpenzuar në këtë drejtim janë Universiteti Politeknik i Tiranës me 17 000 euro dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” me 710 euro shpenzim. Për të katër universitetet e tjera studimet dhe kërkimet shkencore kanë qenë jo ekzistente.

“Nevoja për marrje të përgjegjësive”

Në prezantimin e gjetjeve, të ftuar ishin edhe pedagogë dhe studentë të cilët ndanë me shqetësim situatën në të cilën ndodhen universitetet në vend.

Arben Bushgjokaj, pedagog në Universitetin e Shkodrës u shpreh se transparenca është shumë e rëndësishme në llogaridhënie.

“Nga përvoja ime brenda universitetit prej 21 vitesh, transparenca është themeli. Ajo qe e bën të ngrihet ose të rrëzohet gjithë kjo e mirë që ne synojmë ta kemi. Transparenca e munguar dhe që po vijon të mungojë është një problem I rëndë. Të ketë llogaridhënie, të ketë përballje me përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë që u takon instancave përkatëse”.

Për studentët e pranishëm e rëndësishme është reflektimi dhe marrja e masave për këtë situatë.

Ajo që më vjen më shumë keq edhe në raportimet e viteve të caktuara që Qëndresa Qytetare ka bërë nuk është parë një reagim cilësor dhe një zgjidhje për këtë problem. Gjithsesi unë si përfaqësues i Bordit Kombëtar Studentor patjetër që bashkë me studentët që janë te Bord do të kemi një reagim se këto janë të dhëna që duhet patjetër të reagosh për to dhe të përpiqemi për ti zgjidhur ose për të gjetur një mënyrë që këto të mos përsëriten“,- u shpreh Gevio Tabaku.

Ndërsa për Sidorela Vatnikaj, studentë e nivelit master, problematika është ekonomike.

“Ne kemi folur për ligjin e arsimit të lartë, kemi folur për kushtet, flasim për cilësinë, ama në vetvete problem është ekonomik. Ne paguajmë tarifa që janë marramendëse. Unë këto dy vite duhet të paguaj 2 milion e 100 mijë lek të vjetra ndërkohë që po bëj vetëm 3-4 muaj në auditor. Dhe këto muaj që po bëj në auditor, po të flasim pastaj për cilësinë, më ngjan si një temë luksi të cilën nuk mund as ta artikuloj”,-argumentoi Vatnikaj.

Për të përcaktuar disa nga shpenzimet e vitit për secilin universitet, Qëndresa Qytetare ka veçuar disa shpenzime të vitit.

Përkatësisht:

  • 260 000 euro të shpenzuara për kamera sigurie nga universiteti i Tiranës;
  • 50500 euro për karburant makine nga Universiteti Politeknik i Tiranës;
  • 51 500 euro për blerjen e gazoil për ngrohjen e godinave nga Universiteti i Shkodrës;
  • 40 000 euro për blerje të bojës së printerit nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” , ndërsa më pas ka porositur 34 000 euro shërbim printimi përpos shpenzimit të mëparshëm;
  • 20 000 euro dieta dhe udhëtime nga Universiteti “Fan Noli” Korçë edhe pse gjatë kësaj periudhe ka pasur kufizime në lëvizje;
  • 3 300 euro për ushqim dhe konferenca dhe nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *