Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Misionet arkeologjike në jug nxjerrin në dritë zbulime të reja në Finiq, Antigone dhe Paleokastër

Autor: Raimond Kola | Citizens Channel | Gjirokastër

Misionet Arkeologjike u rikthyen në Shqipëri këtë vit në disa site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duke sjellë zbulime të reja arkeologjike në jug të vendit. Ekspeditat në zonat e Finiqit, Antigonesë dhe Paleokastrës nxorën në dritë detaje të reja rreth antikitetit, që nga muret romake, varret antike dhe godinat me funksion tregtar.

Në gjurmët e periudhës Romake të Finiqit antik

Foto gjatë misionit arkeologjik në Finiq 2021

Në qytetin antik të Finiqit misioni shqiptaro italian i kërkimeve  hyri  në vitin e 21.  Drejtuesja shqiptare e misionit Belisa Muka thotë  se gjetjet e këtij viti janë mjaft mbresëlënëse.

“Gjetja më mbresëlënëse e këtij viti është një statujë e madhe mermeri që nga vlerësimet paraprake duket  se i përket një perëndie. Kemi gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike objekte të ndryshme bronzi, monedha,  fragmente afresku dhe  material mjaft të pasur qeramikë. Kjo është një zonë që është përdorur e ripërdorur në periudha të ndryshme, historike ku secila prej tyre ka lënë gjurmën e saj”, thotë arkeologia Muka.

Ndërsa profesori italian Xhiuzepe Lepore i Universitetit të Bolonjës  thotë se më në fund  ka dalë në dritë në Finiq periudha romake.

“Nga gërmimet më në fund po del në dritë në Finiq periudha romake nga Augusti tek Traiani e me tej në periudhën e antikitetit të vonë. Fragmente të shumta muresh të godinave janë zbuluar në sipërfaqen e pjerrët të kodrës ku shtrihet qyteti antik”,  thotë zoti Lepore.

Arkeologu Xhiuzepe Lepore gjatë gërmimeve në Finiq

Qyteti antik i Foinikes  u kthye në  Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005 dhe përbën një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë. Lindur si qytet në fund të shekullit të V  Para  Krishtit,  Foinike njihet  si kryeqendra e Kaonëve dhe më pas kryeqyteti i lidhjes së  tre fiseve më të rëndësishme Kaonëve, Thesprotëve dhe Molosëve. Qyteti jetoi pas pushtimit të Romës dhe  njohu faza të rëndësishme zhvillimi edhe më pas në periudhën bizantine dhe të antikitetit të vonë  duke e humbur rëndësinë me fillimin e sundimit Osman. 

Gjirokastër: Një godinë tregtare zbulohet në Antigonenë e lashtë 

Foto: Gërmimet në zonën e Agorasë në Antigone

Në qytetin antik të Antigonesë gërmimet arkeologjike u drejtuan këtë vit nga  Roberto Perna i Universitetit të Maceratës dhe Sabina Veseli e Institutit të Arkeologjisë  dhe u përqendruan këtë vit në zonën e Agorasë së qytetit. 

“Këtë vit gërmimet kanë filluar në shkallë të gjerë dhe kjo është veçanësia e parë”, thotë Sabina Veseli.

Ajo tregon se është zbuluar një godinë që sipas vlerësimeve paraprake duhet të jetë përdorur për qëllime tregtare. Krahas monedhave, pitoseve, materialit qeramik ka pasur edhe objekte të tjera të gjetura si një reliev i punuar në qeramik apo objekte të tjera më të vogla. “Gërmimet janë shoqëruar me analiza gjeofizike dhe synimi është të shkohet në Antigone në identifikimin e zonës ku ndohet  Teatri,” shton Veseli.

Antigoneja u ndërtua në vitin 295 para Krishtit, me urdhër të mbretit të Molosëve Pirro dhe qyteti u pagëzua me emrin e  gruas së tij të parë, Antigonës. Qyteti që lindi nga dashuria u dogj gati 100 vjet më vonë nga romakët  si hakmarrje ndaj përkrahësve të Aleksandrit të Madh.

Një varr antik në Kalanë e Paleokastrës

Ndërsa në Kalanë e Palokastrës gërmimet e këtij viti janë përqendruar në  zbulimin e traktet e mureve të ndërtesave që kanë qenë brenda kësaj kështjelle, gjetjen e rrugën hyrëse të kalasë nga pjesa perëndimore e saj dhe vazhdimin e komunikimit të këtyre ndërtesave.

Fragment varri antik në Palokaster

Arkeologu Melsi Labi  thotë se me rëndësi këtë vit ishte  zbulimi  i një varri antik në Kalanë e Palokastrës që  mendohet se i përket shekullit të V-VI pas Krishtit. Objekti, sipas vlerësimeve paraprake të arkeologëve  lidhet me një kishë fragmentet e së cilës ishin gjetur dy vite më parë gjatë gërmimeve.

Arkeologu italian Rikardo Karmenati thotë: “Misioni i këtij viti  ka konfirmuar  të dhënat e siguruara nga analizat me gjeoradar dhe gjeomagnetike të kryera gjatë viteve të shkuara si për godinat brenda kështjellës edhe rrugë-kalimet”.

Kalaja e Palokastrës ndodhet rreth 13 km larg nga Gjirokastra dhe ishte një garnizon i një legjioni romak që kontrollonte komunikimin në Luginën e Drinos ne periudhen e antikitetit të vonë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *