Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Blog: “Vërejtje mbi vijueshmërinë politike të protestës”

Silhouette group of people Raised Fist and Protest Signs in yellow evening sky background

Autore: Evi Veliu | Citizens Channel | Tiranë

Shqipëria na vjen si realitet nga një histori kryengritjesh – vetë ekzistenca e shtetit tonë na vjen përmes përpjekjes së vazhduar për liri dhe drejtësi e shkruar nga ata që e fituan të drejtën për të qenë të pavarur.

Periudhat e kryengritjeve i thërrasin një epoke që na bën të krenohemi, nëse shohim prapa, e të sikletosemi, kur shohim përpara. Shumëçka varet nga cili kënd e shohim historinë, mirëpo ky shkrim nuk i referohet të kaluarës së largët, por lidhjeve të vazhdimësisë. Sot, lufta është në dukje një tjetër, por në prekje ajo historikja: ne nuk mund të ngucemi, e të shtrembërohemi në mënyrë që t’i përshtatemi kuadrit të paracaktuar nga politika zyrtare – qoftë për nga vizioni, qoftë për nga menaxhimi i territorit dhe burimeve natyrore e kulturore.

Me pak fjalë, kjo është diçka që nuk shkon me politikën në këtë vend. Kuadri politik nuk po përshtatet me njeriun që synon të përfaqësojë e nevojat që pretendon të përmbushë. Standardi i qytetarit, si rregull, do të duhej të ishte i atillë që të krijonte një kuadër më gjithëpërfshirës se ai i politikës zyrtare, ku secili brenda këtij kuadri të mos detyrohet të shpërfytyrohet për t’u përshtatur me të. Me vendosjen e regjimit demokratik kemi dëgjuar edhe për një sërë lëvizjesh, demonstratash e protestash për çështje nga më të ndryshmet të cilat mund të përmblidhen në nevojën për mirëqenie dhe standarde në vendimmarrje.

Megjithatë, nuk mund të mos shquajmë njëfarë dëshpërimi qytetar për çështje që, edhe pse mund të kenë qëndruar fort, nuk kanë mbërritur të realizojnë qëllimet e tyre parësore. “Nga njëra anë, besimi publik te politika dhe strukturat politike kanë pësuar bjerrje vitet e fundit dhe, nga ana tjetër, aktivizmi i qytetarëve ka qenë i fragmentarizuar, në rastin më të mirë.”

Në këtë artikull do të zënë vend disa nga reflektimet prej pjesëmarrjes gati 10 vjeçare në jetën publike [kryesisht] të kryeqytetit. Ky artikull nuk pretendon të shterojë dinamikat e lëvizjeve shoqërore – në fakt vetëm përpiqet ta hapë mundësinë e diskutimit publik, mundësinë për të biseduar për atë çka është bërë në vend se të nxitohet në diçka për të bërë. Synimi është që të mund të ndërtojmë mbi përpjekjet tona, për të mos ia nisur gjithmonë nga fillimi dhe për të mos përsëritur qasje që deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme. Kjo na çon në dëshpërim.

“Një ndër shkaqet kryesore mund të konsiderohet mungesa e pjesëmarrjes aktive qytetare në këto lëvizje për të realizuar veprimtari të gjera me ndikim publik në vendimmarrje, ashtu sikurse dhe mungesa e reagimit dhe indiferenca institucionale nga institucionet shtetërore ndaj këtyre lëvizjeve.” Këto kanë shkaqet e tyre të panjohura, por edhe shkaqe që tashmë mund t’i shquajmë si devijime konsistente [nga qëllimi parësor i organizimeve] në këto lëvizjet e 10 viteve të fundit.

Ku dëgjohet fjala?

Ligjërimi publik është një temë e gjerë që kërkon trajtim më vete, por është çështje kyç në mobilizimin e masave. Është përmes ligjërimit/fjalës që ne e formalizojmë realitetin tonë në jetën publike dhe nga ana tjetër, realiteti i rrethanave tona na e përcakton ligjërimin. Në këtë kontekst vërej se nuk i kushtohet shumë rëndësi ligjërimit në organizim. Në rastin më të mirë kjo shfaqet në mungesën e mjeteve të zërimit që penalizon të pranishmit të cilët nuk e dëgjojnë folësin. Kjo e zbeh rëndësinë e pjesëmarrjes dhe e shndërron të pranishmin në një spektator që do ta kishte më të volitshme të ndiqte nga shtëpia. Në rastin më të keq, përgjithësimet mbi realitetin në ligjërim bëjnë gjithnjë e më pak vend për pjesëmarrës të rinj me vizione apo nevoja të tjera. Përmes përgjithësimit qasja bëhet përjashtuese.

Mjafton një vizitë jashtë unazës së madhe të kryeqytetit, në një tjetër qytet a qytezë, për të parë sa ndryshon realiteti nga qendra në periferi, nga kryeqendra në qendra të tjera. Ndaj, nuk duket e drejtë nga pozicioni i të revoltuarit të pretendohet se realiteti është i njëjtë për të gjithë dhe vendimet politike ndikojnë njëlloj nga njëri te tjetri. E kjo momentalisht i ndodh organizimeve sepse shumica e protestave ndodhin (ose zhvendosen) në Tiranë. Jo rastësisht, pasi kryeqendra e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të mëdha në vitet e fundit dhe ka vazhdimisht prurje popullsie nga i gjithë vendi në kërkim të një jete më cilësore e cila, në rastin më të shpeshtë, ridrejtohet jashtë vendit. Brenda vendit ka ende grimca rezistence pa vënë shumë tulla në organizim.

A keni dëgjuar ndonjëherë për një protestë jopolitike?

Nëse kanë të bëjnë me institucionin, kushdo qoftë ai, revoltat janë dukshëm të lidhura me një vendim politik. Kundër qëndrimi ndaj një vendimi institucional nuk mund të zhvishet nga përmasa politike. Atëherë, përse protestat, kryesisht ato përballë kryeministrisë, shpesh vetëshpallen jopolitike në ligjërim? Shumica e protestave ngase i janë drejtuar kryeministrisë kanë devijuar qëllimin e tyre nga çështja konkrete drejt rrëzimit të qeverisë dhe rrjedhimisht janë mbyllur pa arritur diçka. Nga ana logjistike dhe simbolike, kjo e bën shumë të rëndësishëm vendin se ku protestohet pasi e lidh me çështjen në fjalë pa divergjencat.

Pastaj, devijimi i radhës është që fjala mund të mos përputhet me vendin nga ku proteston, çka nuk e ruan pozicionin e sinqertë të konfliktit me institucionin. Një prej çarjeve më të mëdha në çështjet organizative është momenti i angazhimit të partive politike opozitare, që zgjidh dy dilema: së pari, ngatërresën që bëhet mes protestës jopolitike dhe asaj jopartiake dhe së dyti, njohja e faktit që shumica e protestave të drejtuara apo devijuara drejt kryeministrisë shpesh shpërfaqin kërkesën për rrëzimin e kreut të qeverisë, çka është kryefjala e partive opozitare. Pra, nga njëra anë, protestuesit vetëshpallen jopolitikë për t’u distancuar nga qëllimi për të marrë pushtetin dhe nga ana tjetër, e gjejnë veten të pafuqishëm të ruajnë pozicionin e tyre të sinqertë, pra arsyen parësore përse janë të revoltuar. Rezistenca kthehet në disidencë, shmang artikulimin e pakënaqësisë për të realizuar qëllimin e marrjes së pushtetit [që është qëllim i pranuar për partitë opozitare].

Kështu, përmes këtij devijimi, shtyhet pafundësisht procesi demokratik i njohjes dhe pranimit të institucioneve që nuk janë të mishëruar në ndonjë person të veçantë. Nuk është krizë e qeverisë apo kreut të shtetit, është krizë e institucioneve. Prandaj ngecim në pyetjen tashmë-‘meme’: “ja iku ky, po kush do vijë”.

Edhe protesta është institucion, që sipas kuptimit themelor është një mënyrë jetese ose sjelljeje, e rregulluar sipas disa ligjeve, normave e zakoneve të vendosura brez pas brezi. Nuk është çështja të ndërtojmë të ardhmen nga pozicioni i së tashmes dhe të përmbushim atë imazh. Çështja është të ndjekim seriozisht pasojat e ngjarjes dhe kështu do të jemi duke e ndërtuar të ardhmen pa qenë të bllokuar nga mundësitë e realizimit të saj, pasi realja ka rrethana të ndryshme për secilin. Nuk është në thelb e gabuar të protestosh te kryeministria, por është simptomë e përsëritur e mosmarrjes seriozisht të pasojave të ngjarjeve. Këto janë devijimet konsistente që thyejnë besimin mes organizatorëve dhe pjesëmarrësve në një protestë. Artikulimi i qartë i këtyre shqetësimeve do të sqaronte një pjesë të pikëpyetjeve që shumëkush heshturazi i kthen në mospjesëmarrje.

Është strategji e përsëritur ajo e asocimit të një proteste me partinë opozitare, që është momenti kur institucioni qeverisës i raportohet një proteste. Aty institucioni e luan pushtetin duke e vendosur veten përballë kundërshtarit që e synon atë [pushtetin] e duke injoruar me vetëdije revoltën qytetare. Po ashtu, një nga format e përsëritura të përdorura për të krijuar mosbesim e përçarje nga jashtë është fryrja mediatike e një a disa drejtuesve në lëvizjet pa hierarki, të cilët kalojnë më vonë nga kampi tjetër duke pranuar vendimin e institucionit [Rasti 11.1Rasti 2; 2.1]. Pasqyrimet në mediat më të mëdha kombëtare kryesisht u kanë ndihmuar me raportimet e tyre këtyre strategjive të pushtetit, por kjo është një çështje që kërkon trajtim të veçantë.

Kjo e demoralizon revoltën, e cila nuk i ka në përdorim mjetet e propagandës, dhe e shumëfishon presionin mbi protestën. Pastaj, nga ana e organizimit, duhet të jetë i qartë dhe i pranuar pozicioni i drejtuesit/drejtuesve. Këto e devijojnë menjëherë fokusin nga çështja sepse janë në lojë marrëdhëniet e brishta emocionale të bashkë-protestuesve që nuk kanë themeluar ende kanale besueshmërie të ndërsjellë dhe e kthejnë situatën lehtësisht në sulme personale që rezultojnë në përçarje, e rrjedhimisht shpërbërje të protestave. Shkurt, e devijojnë fokusin nga çështja fillestare.

Mund të themi se si brenda organizmit, ashtu edhe nga jashtë, ngacmohet ajo ndjesi që e ndrydh fjalën e mendimin e lirë. Këto dy forma kanë qenë të efektshme deri tani dhe mund të shquhen në dy angazhime qytetare që ishin të reja për nga stili për protestat e kryeqytetit. Janë të paktën dy qëndresa që, për nga format e organizimit dhe jetëgjatësia, sollën risi në lëvizjet sociale*. Për shkaqe pjesërisht të përmendura, as këto nuk i mbërritën synimet e tyre të fundme.

Në hapësirën kohore nga 10 shkurti deri më 1 qershor, zë fill aktiviteti në mbrojtje të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës nga projekti i ndërtimit të një këndi lojrash dhe një “Grand Kafe”, projekt që kapi vlerën 78.319.393 lekë me TVSH. Si rrjedhë e ngjarjeve erdhi një qëndresë 24-orëshe për 77 ditë pranë vendit ku po zhvilloheshin punimet, rreth “Ullirit të Qëndresës”. Ishte risi protesta “për [parqe]” [dhe jo ‘kundër’], angazhim që pati raportim të drejtpërdrejtë e të përditshëm nga terreni nga vetë qëndrestarët. Po ashtu, pati një artikulim të fortë nga ana e qëndresës për nevojën e këndeve të lojrave nëpër lagje dhe parqe pa beton. Qëndresa arriti të dokumentojë praninë e 900 m kub beton në një park publik.

Rezistenca bëri që të ndryshonte në fakt projekti fillestar, i cili parashikonte një kafene e cila nuk u ndërtua. Si qëndresa e parë e këtij lloji, Qëndresa për Parkun ofroi rezistencë dhe angazhim qytetar kryesisht të të rinjve. Këtu filloi edhe artikulimi qytetar i çështjeve mjedisore që tashmë ka zënë një vend më të gjerë në vetëdijen qytetare. Kjo qëndresë erdhi si rrjedhim i revoltave të mëhershme kundër zaptimit të hapësirave publike duke u përpjekur të vendosë një standard për respektimin e hallkave ligjore në vendimmarrje. Ajo çka nuk u mund të mbrohej ligjërisht dhe argumentativisht nga institucioni, u mbrojt me dhunë policore në përforcim të shkeljeve administrative dhe ligjore [Rasti 1; 1.1; 1.2; 1.3; 1.4; 1.5 etj.]. Në fakt, nga ana e vet, Qëndresa për Parkun u bë ngjarja kryesore që vetë kryetari i Bashkisë ende i referohet në inagurimet që bën në kryeqytet prej vitit 2016. Këtë, Kryetari i Bashkisë e bën duke e mohuar qëndresën dhe duke mos ia njohur angazhimin qytetar, mohim pa të cilin nuk do të mund ta shquante. Kërkesa e papërmbushur nga Bashkia vazhdon të mbetet kërkesa për parqe dhe hapësira publike.

Vetëm dy vite më vonë, nga shkurti i vitit 2018 do të niste protesta kundër tjetërsimit të Teatrit Kombëtar, e cila u kthye në një qëndresë të përditshme që zgjati deri më 21 maj 2020. Mund të vërejmë një lidhje vazhdimësie me Qëndresën për Parkun, në atë se nuk u zbeh rezistenca për transparencë në vendimmarrje dhe as angazhimi qytetar, si dhe u riprovua forma e qëndresës së përditshme. Qëndresa për Teatrin u përball me abuzime të ngjashme nga ana institucionale e ligjore por fokusi i saj ishte Trashëgimia Kulturore e Teatrit. Qëndresa 2-vjeçare e Teatrit gjeti përkatësi më të gjerë publike dhe u karakterizua nga takime të përjavshme e pastaj të përditshme të hapura, me tema të ndryshme për të diskutuar, me theks kryesisht kulturor por edhe politik, që çoi drejt një aleance [qytetare] për mbrojten e Teatrit.

Qëllimi ishte ruajtja e teatrit Kombëtar. Kjo qëndresë arriti t’i bënte jehonë ndërkombëtare çështjes duke e listuar atë përpara shembjes në 7 objektet më të rrëzaikuara të shpallura nga Europa Nostra. Përpjekja ra më 17 maj 2020 kur teatri u shemb me dhunë dhe terror mbi të pranishmit dhe për publikun e gjerë. Përpjekja për teatrin i mbijetoi pandemisë por jo edhe policisë. Teatri nuk i mbijetoi as marrëveshjes së shkruar mes opozitës dhe aleancës qytetare, më 25 korrik 2019. Kërkesa e pa përmbushur nga Bashkia vazhdon të mbetet ajo për rindërtimin e Teatrit ashtu siç ishte dhe aty ku ishte. Kemi mundur të shohim se si edhe zonat me mbrojtje të veçantë ligjore mund të shndërroheshin në zona të ndërtueshme. Në pamje të gjerë, nuk ka rëndësi vlera e objektit ekzistues, por çdo gjë që është ndërtuar mbi këto vlera është pallat ose zonë me karakter ekonomik. Çka është e shtrenjtë tashmë nuk është më në garë me çka është e paçmueshme. Ose, le te themi, asaj çka është e paçmueshme tashmë i vendoset një çmim.

Të dyja qëndresat e vazhduan veprimtarinë e tyre në gjykata [Rasti 1; Rasti 2]. Qëndresa për Parkun e humbi çështjen në Gjykatën Administrative. Qëndresa për Teatrin e fitoi të drejtën e saj në Gjykatën Kushtetuese edhe pse Teatri është shembur sakaq. Ka një tendencë për t’i parë ngjarjet të izoluara nga njëra-tjetra, për të qenë mbështetës i jehonës së ngjarjes më shumë sesa rëndësisë së çështjes. Mohimi i ngjarjeve paraardhëse për të mbërritur në ngjarje të reja është pjesë e procesit, pasi pa mohimin nuk do të kishte vazhdimësi e përcaktim të ri për krijimin e formave të tjera të organizimit; do të ishte e vetëkuptuar që në formë është “idealja” dhe si e atillë do të krijonte një lëvizje.

Ripështatja me ngjarjen ka gjithmonë sfida që vijnë nga raporti me mohimin e ngjarjes paraprake. Kujtesa kolektive dhe hapësira e mjaftueshme për zhvillimin e pacenuar të saj në sferën publike është kyç për vazhdimësinë e angazhimeve. Nëse forma e organizimit përsëritet gjithmonë dhe vetëm si e re atëherë ajo mbetet e reja e ngjarjes pa sjellë diçka të re në qasje dhe, për pasojë, as në përditshmëri. Vetë procesi i sofistikimit të mjeteve të raportimit me ngjarjen bën të mundur vazhdimësinë e lëvizjeve. Mungesa e një organizimi provizor hierarkik apo pa një formalitet minimal do ta devijojë gjithmonë çështjen drejt situatave të dëshpëruara politike dhe demoralizimit të pjesëmarrësve. Droja që protesta mund të kthehet në partiake apo hierarkike është tashmë e shqueshme dhe është një nga arsyet që njohim mirë për mospjesëmarrjen masive në protestat qytetare. Mungesa e formalizimit dhe hierarkisë e bren besimin te njëri-tjetri dhe rrit pakënaqësinë te vendimmarrjet e fshehta – pra edhe mungon hierarkia, edhe merren vendime nga individë të caktuar për drejtimin e çështjeve.

Droja për të krijuar struktura të përkohshme për mbarëvajtjen e protestave qytetare, e zhbën besimin dhe llogaridhënien mes nesh dhe rikrijon një situatë kur përballë ligjit dhe të zotit të mikrofonit, qytetari ndjehet i pafuqishëm. Qëndrimi se njerëzit janë të paguar për të protestuar, apo shoqëritë e formalizuara marrin fonde për veprimtaritë e tyre, ravijëzon të paktën dy linja mendimi. Së pari, mosbesimin dhe dyshimin që si shoqëri e mbartim dhe e praktikojmë në të gjitha fushat e ndërlidhura me paranë, duke qenë kështu të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm për nivelet e korrupsionit në raportet me institucionet, por edhe në marrëdhëniet shoqërore. Linja e dytë e mendimit është reaktivisht të pranuarit se, edhe nëse drejtuesit e protestave apo shoqatat marrin fonde dhe paguhen, atëherë aq më tepër përgjegjësi kanë për të ta bërë më mirë punën e për të ndjekur pasojat e ngjarjeve. Mjaft që burimi i fondeve të tyre nuk vjen nga fondacione apo agjenci me prirje e frymë që denigrojnë në thelb dinjitetin njerëzor. Edhe kanalet e komunikimeve publike, duke kaluar më shumë nga rrjetet sociale sesa mediumet tradicionale e bëjnë takimin rastësor më të parashikueshëm duke iu nënshtruar algoritmeve që i lidh vetëm me të ngjashmit e tyre.

Ende reflektohet kjo gjendje pafuqie në protesta që lidhen me pasigurinë se si mund ta përballim realitetin kolektivisht. Veprimtaria mbetet afatshkurtër dhe shteruese në mungesë të strategjisë – zemërimi shkarkohet virtualisht përpara se të organizohet bashkërisht. Ndërtimi i qëllimit dhe koordinimit të përbashkët është i pamundur nëse rëndësia e fjalës është e nënvlerësuar. Devijimet dhe përçarjet janë të pashmangshme nëse drejtimi nuk është i formalizuar. Ekzistenca e shumë materialeve bruto të formateve të ndryshme dhe mungesa e studimeve të thelluara mbi to, çka përbën edhe vështirësinë kryesore në realizimin e këtij punimi, është shenjë e mangësisë së organizmeve në sofistikimin e fjalës, e me fjalën mund të ngremë besimin. Materialet janë por nuk është ndërtuar gjë kolektivisht me to. Kjo është një punë e jashtëzakonshme për t’u bërë në shërbim të kujtesës kolektive. Këto janë rrethanat në të cilat protestojmë. Tani që i dimë nuk mund të mos i shohim dhe kur i shohim nuk mund të bëjmë sikur nuk i dimë.

*Protestat e studentëve, si ato të vitit 2014-15 dhe ajo e vitit 2018 janë ngjarje që kanë frymëzuar në masë opinionin publik dhe ruajnë veçantinë e fokusimit të çështja e prekshme e arsimit dhe institucioneve përgjegjëse. Arsyeja përse nuk janë përfshirë është fakti i thjeshtë që është një angazhim me potencial riorganizimi të vazhdueshëm për çështje me fokus të veçantë e të paracaktuar [arsimi dhe kushtet studentore] dhe shfaq dinamika të tjera, e si e tillë kërkon trajtesë më vete.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *