Universiteti i Tiranës ka zeruar tarifën për listën e notave pas peticionit të ndërmarrë nga student dhe aktivistë të lëvizjes studentore “Për Universitetin”. Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës, doli me një vendim me datë 22.12.2021, ku miratoi heqjen e tarifës.
Gjatë muajit dhjetor, aktivistë të kësaj lëvizjeje mblodhën 900 firma në Fakultetin e Shkencave Sociale për heqjen e tarifës, të cilat iu dorëzuan më pas dekanit të këtij fakulteti, Edmond Raptit.
Procedura e marrjes së listës së notave konsistonte në pagesën e një vlere lekësh të ndryshme në varësi të fakultetit për marrjen e listës së notave.
Aktivistët artikuluan më herët për Citizens Channel se përveç kostos së shtuar, studentët duhet të endeshin nëpër radhë bankash për të bërë pagesën dhe më pas të prisnin disa ditë për ta pasur në duar listën e notave, duke e quajtur atë praktikë absurde dhe zhvatëse për studentët.
Lëvizja “Për Universitetin” e konsideroi zerimin e kësaj tarife një fitore të vogël.
“Kjo ishte një fitore e vogël, por ajo na tregon se përmes vullnetit kolektiv jeta universitare mund të përmirësohet vazhdimisht”, – shkruhen në faqen e tyre zyrtare në Facebook.