Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata Administrative: Ekspertët në terren pranojnë ekzistencën e pyllit të Laknasit

Në seancën e sotme gjyqësore mes banorëve të Laknasit dhe kompanisë “Bio Product” të zhvilluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë u provua ekzistenca e pyllit në Laknas në vend të statusit “zallishte” të pretenduar më parë.

Grupi i ekspertëve, dorëzoi pranë gjykatës një akt-ekspertizë ku konfirmohej ekzistenca e pyllit, me 22% të hapësirës me pemë.

Më herët, bashkia Kamëz i dha leje kompanisë “Bio Product” për të ndërtuar një biznes agroturizmi, duke përfshirë edhe një thertore. Sipas lejes së dhënë nga bashkia, “Plepat e Brukës” konsiderohen si zallishte.

Mirëpo banorët e zonës, të cilët janë kujdesur për 30 vite, duke i mbjellë vetë pemët në tokën publike, insistojnë se kjo tokë është një pyll.

Dëshira Tatoshi, banore e Laknasit e pranishme në seancën gjyqësore shprehet për Citizens Channel se ekspertët nuk pranonin ekzistencën e një pylli më herët.

“Thonin janë vetëm 8% pyll. Në një kohë që dy herë i gjobiti gjyqtari se nuk i keni matur siç duhet. E kishin matur vetëm si drurë jo sa kurorë ze pema. Se pema nuk mund të merret si shkrepse, pema merret si kurorë, me hapësirë, sepse rritet”,-u shpreh Tatoshi.

Më herët, ekspertët në terren janë gjobitur dy herë nga gjykata për mos vajtje në terren për të kryer ekspertizën e hapësirës së gjelbër, në fillim me 20 mijë lek secili dhe më pas 100 mijë lek secili.

Referuar ligjit, pyll konsiderohet një hapësirë me jo më pak se 10% të territorit me pemë.

Sipas avokates së çështjes, Dorina Ndreka Asllani, seanca përfundimtare është shtyrë për në datën 9 mars 2022.

“Sot u be seanca dhe ju dha fund hetimit gjyqësor, pra dorëzimit dhe diskutimit të provave shkresore dhe aktit të ekspertimit. U shty për të dhënë konkluzionet përfundimtare palët në datë 9 mars. Konkluzionet janë shpjegimet përfundimtare dhe të përmbledhura për të gjithë procesin. Pas kësaj gjykata shpall vendimin atë ditë, ose e shtyn në një seancë tjetër, por jo më shumë se pesë dit”,-sqaron avokatja Dorina Ndreka Asllani.

Banorët presin të marrin përgjigje pozitive nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë.

“Pritet që të thuhet që ne e kemi të fituar, se kjo është pyll, nuk është zall. Se aty bëhet fjalë për zall që i ka dhënë leje bashkia për të ndërtuar një thertore, ndërkohë që ekspertët, po të atyre (shoqërisë private) vërtetuan se 22% është pyll”,-përfundon Dëshira Tatoshi, banore e Laknasit.

Video: Protesta e banorëve në shtator 2021

Ashtu sikundër banorët edhe avokatja Asllani shprehet optimiste për vendimin përfundimtar të gjykatës.

“Unë mendoj se gjykata do ta shtyjë për shpallje, duke qenë se është çështje e komplikuar dhe me shumë prova, por nuk është çudi që të japë dhe vendimin atë ditë. Ne jemi optimist për vendimin e gjykatës, pra që do jetë në favor të banorëve, se dhe ekspertët pavarësisht se për ne kanë mbajtur anën e shoqërisë, serish nuk kanë mundur të mohojnë disa elemente, siç është mbulimi me pemë i zonës më shumë se minimumi që kërkon ligji për t’u kualifikuar si pyll”,-mbyll fjalë ne saj avokatja Asllani.

Më nëntor të 2021, Gjykata e lartë vendosi në favor të banorëve të Laknasit, duke mos lejuar kompaninë “Bio-Product” të ndërtojë në atë zonë deri në përfundim të çështjeve gjyqësore.

Deri në përfundim të seancave gjyqësore të banorëve në Gjykatën e Apelit, kompania nuk do të ketë mundësi të ndërhyjë në pyllin “Plepat e Brukës”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *