Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrënimi i një qyteti: Qeveria ‘mbylli sytë’ ndaj shitjes për skrap të rafinerisë së Ballshit 

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, naftëtarët e Ballshit u zgjuan nga zhurma e makinerive të rënda, që rrethuan befas rafinerinë dhe nisën shembjen e saj, nën mbrojtjen e punonjësve të policisë.

Operacioni i gjeti naftëtarët të painformuar, por ata mësuan shpejt se rafineria ku punonin prej katër dekadash ishte shitur tashmë për skrap.

“U deshën 7 vite për ta ndërtuar dhe po prishet pa u menduar shumë për 3 muaj,” thotë me trishtim Nako Petro, inxhinier në profesion dhe ish- drejtues i rafinerisë së Ballshit.

Rafineria e Ballshit gjatë procesit të demontimit, foto Citizens Channel

“Një pasuri strategjike e ngritur me djersën e të gjithë shqiptarëve po shkatërrohet,” shtoi ai.

Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës ishte aseti kryesor i gjigandit shqiptar të hidrokarbureve, ARMO dhe burimi kryesor i punësimit për qytetin e Ballshit. Por pas kolapsit të ARMO-s, rafineria i kaloi bankës “Credins” si kompensim për një kredi të pashlyer përmes një ankandi të vitit 2016.

Pesë vite më pas, “Credins” e shiti rafinerinë te kompania e materialeve të ndërtimit “Shijaku” sh.p.k, e cila po e çmonton atë prej dhjetorit.

Qeveria shqiptare vazhdon të zotërojë formalisht 15 për qind të aksioneve – por të dhënat e siguruara përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se ajo e trajtoi shitjen e rafinerisë si një çështje mes privatësh dhe nuk bëri asnjë lëvizje për ta shpëtuar atë.

Foto e Rafinerisë së Ballshit pas nisjes së demontimit të saj, Citizens Channel

Ministria e Financave dhe Ekonomisë i tha Citizens Channel në janar se shteti nuk kishte hequr dorë nga aksionet, por shtoi se ata “nuk kishin asnjë informacion” për shitjen e aseteve.

“Nuk kemi asnjë informacion apo korrespondencë për shitjen e aseteve, sepse janë vendime të ortakut mazhoritar, i cili i merr pa miratim të ortakut në pakicë,” tha Ministria e Financave dhe Ekonomisë në një përgjigje me shkrim.

Pllakatë në hyrje të rafinerisë

“Asetet e shoqërisë kanë qenë kolateral në bankë, në funksion të kredive që janë huazuar nga shoqëria Armo.sha ndër vite. Për rrjedhojë, ligji nuk përjashton as bankën të jetë përfituese në ankand, qoftë edhe si formë kompensimi për humbjet,” shtoi Ministria.

Përfaqësuesit e bankës “Credins” e konsideruan të drejtë shitjen e aseteve pas një kredie problematike, ndërsa shtuan se kompania blerëse “Shijaku” po vepronte “sipas planeve të saj të biznesit”.

E pyetur për fatin e qindra naftëtarëve, drejtoresha e marketingut të bankës Credins, Valbona Guri e konsideroi zgjidhjen e çështjes së tyre si “shembullore”.

“Naftëtarët kanë marrë pagat, edhe pse nuk kanë punuar,” tha Guri gjatë një bisede në zyrat qendrore të bankës “Credins”.

Kompania “Shijaku” nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Citizens Channel.

‘Ballshi ka mbaruar’

Historia e rafinerisë së naftës është e lidhur ngushtësisht me atë të qytetit të Ballshit, i cili u krijua dhe u rrit paralelisht me ngritjen e industrisë së naftës në zonën e Mallakastrës.

Sipas censusit të vitit 2011, Bashkia e Ballshit numëron një popullsi prej 27 mijë banorësh dhe një pjesë e madhe e familjeve kanë lidhje punësimi me rafinerinë.

Punëtorët më të vjetër të uzinës mendojnë se prishja e saj do t’i japë goditjen e fundit qytetit, që mbijeton prej vitesh me vështirësi. Ata janë gjithashtu të pashpresë dhe të paqartë për të ardhmen e tyre.

Hateme Kasaj, punëtore prej 17 vitesh në rafineri bëhet nostalgjike kur kujton se si uzina ishte dikur ‘zemra’ e qytetit të Ballshit. Ndryshe nga e kaluara, Kasaj e përshkruan sot qytetin të varfër dhe të zymtë.

Foto e Rafinerisë së Ballshit pas nisjes së demontimit të saj, Citizens Channel

“Uzina e mbante Ballshin në këmbë, gumëzhinte Ballshi nga punëtorët,” kujton Kasaj. “Ballshi [sot] ka mbaruar, nuk ka asnjë që të shkojë të blejë diçka në dyqan,” shtoi ajo.

Banorët e lidhin rrënimin e qytetit me privatizimin e dështuar të kompanisë ARMO –një nga tre filialet e ish-Korporatës Shtetërore të Naftës që u trashëgua nga regjimi komunist.

Në vitin 2008, qeveria e djathtë e kryeministrit Sali Berisha e privatizoi ARMO-n për 128 milionë euro te biznesmeni Rezart Taçi, përmes një kompanie të regjistruar në Zvicër, AMRA Oil. Operacioni i privatizimit u financua nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit. Pas privatizimit, ARMO u përball vazhdimisht me probleme të mospagimit të taksave dhe tatimeve.

Për ish-drejtuesin e rafinerisë, Nako Petro, shkatërrimi i industrisë së naftës në Shqipëri ka nisur që në vitet ’90, por e mori goditjen finale pas privatizimit të kompanisë ARMO dhe kalimit të saj dorë më dorë.

Nako Petro, ish drejtues i Rafinerisë së Ballshit

“Shkatërrimi i industrisë së përpunimit të naftës pas viteve ’90 është dëmi më i madh që i është shkaktuar shtetit shqiptar,” tha Petro për Citizens Channel.

Pronarët e rinj, që nuk ishin investitorë strategjikë, vetëm sa i shfrytëzuan ato, duke mos bërë investimet e parashikuara në kontratën e privatizimit,” shtoi ai.

Një tjetër problem, sipas Petros ishte mungesa e furnizimit të rafinerisë me lëndë të parë.

Një rafineri është një makinë komplekse termodinamike, ajo nuk mund të lëshohet apo ndalohet si një llampë elektrike,” shtoi më tej inxhinieri.

Pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2013, ARMO u shit sërish tek një fond azer investimesh i regjistruar në parajsa fiskale, ndërkohë që detyrimet ndaj Tatimeve, bankave dhe palëve të treta arrinin në dhjetëra milionë dollarë.

Ndërkohë që në rafineri u shfaqën disa “investitorë” të rinj, naftëtarët u përballën me vonesa të përsëritura të pagave dhe periudha të gjata pa punë. Pavarësisht premtimeve, protestat e tyre i zgjidhën vetëm pjesërisht problemet.

Arben Shehaj me profesion mekanik ka punuar për 39 vite në uzinë si dhe ka protestuar shumë herë për pagat e prapambetura. Pas shitjes së rafinerisë për skrap, ai e quan gjendjen e tij ‘të pashpresë”.

“Ku mund të punoj unë sot 59 vjeç?” pyet Shehaj, i paqartë për të ardhmen.

“Shkova tek Albpetroli se unë jam mekanik, ai më tha s’të marr dot në këtë moshë që je,” shtoi ai, ndërsa theksoi se ishte i zhytur në borxhe.

“Përgjegjësia e shtetit”

Të zhgënjyer nga shkatërrimi i rafinerisë, naftëtarët e Ballshit ngrenë sot pikëpyetje mbi qëndrimin e institucioneve shtetërore. Ata kundërshtojnë gjithashtu pretendimet se rafineria dilte me humbje, ndërsa kërkojnë që dikush të mbajë përgjegjësi për rrënimin shumëvjeçar të kësaj pasurie.

“Zhgënjimi që kemi pësuar na vjen sepse ne kemi kaluar vetë në duart tona gjithë prodhimin. Të thuash tani që del me humbje, ne i bie që të gënjejmë veten,” tha Sokol Dautaj, kryetar i sindikatës së naftëtarëve.

Sokol Dautaj, kryetar i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar foto: Organizata Politike

Ekspertët bien gjithashtu dakord se shteti është përgjegjës dhe se mund të ndërhynte për ta shpëtuar rafinerinë, ndonëse prona konsiderohej private.

Igli Tola, pedagog në fakultetin Ekonomik e sheh rolin e shtetit në dy momente kyçe: te keqmenaxhimi i gjatë i rafinerisë si dhe te përgjegjësia sociale ndaj naftëtarëve.

Igli Tola, pedagog në fakultetin Ekonomik

“Mund të bëhej një operacion i tillë, që në marrëveshje me bankën, ta rimerte shteti dhe të investonte për të rivënë në funksion,” tha Tola.

“Shteti kishte përgjegjësi për pjesën ekonomike të tyre dhe vetëm pagesa e pagave minimale për pak vite është e pamjaftueshme,” shtoi ai.

Për inxhinerin Nako Petro, shteti është gjithashtu përgjegjës për “vendimet që ka marrë dhe investitorët që ka zgjedhur”. Për më tepër, Petro mendon se blerja e rafinerisë nga ana e qeverisë do të ishte një operacion me fitim.

“Përse shteti nuk e bleu rafinerinë vetë nga privati për 9 milionë euro sa u shit, kur vetëm nafta dhe gjysmëproduktet që ishin gjendje në fundacionet e rezervuarëve të rafinerisë janë më shumë se kaq?” pyet Petro.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për të Drejta në Punë, Edison Hoxha, i cili ka asistuar proceset gjyqësore të naftëtarëve, mendon se reagimi më i mirë do të duhej të vinte nga drejtësia dhe rikuperimi i dëmit mund të bëhej pas nxjerrjes së përgjegjësive penale.

Edison Hoxha, Drejtori ekzekutiv i Qendrës për të Drejta në Punë

Por Hoxha nuk është optimist në këtë drejtim.

Duket qartë që në gjithë këtë situatë, çdo gjë është bërë në mënyrë të qëllimshme për të grabitur dhe mashtruar”, tha Hoxha. “Prokuroria e ka marrë disa herë në shqyrtim çështjen e ARMO-s, po unë s’di ndonjë përfundim domethënës,” shtoi ai.

Kryesindikalisti Dautaj këmbëngul se fatkeqësia më e madhe në këtë histori është se “shteti mbyll sytë”.

Nëse shteti që ka pasur 15% nuk i donte aksionet e veta, ku shkuan aksionet? I fali? I shiti?,” pyet ai. “Këto lekë ku shkojnë, a nuk [duhet të] shkojnë në buxhetin e shtetit,” përfundoi Dautaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *