Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Për gratë e periferive, pas punës, ka sërish punë

Gra, a besoni se ka jetë pas pune?” ishte grafiti i shkruar para hyrjes së qendrës sociale 8-Marsi, në Institut, qe i parapriu aktivitetit të djeshëm.

Aktivistët e Organizatës Politike vendosën ta përcjellin kështu Ditën Ndërkombëtare të Gruas: një bisedë e ngrohte rreth përditshmërisë së vajzave dhe grave të periferisë që punojnë në sektorë të vështira dhe shfrytëzuese.

Gratë pjesëmarrëse erdhën në takim pas një ditë më pak të zakonshme pune, ndërsa në duar mbanin lule dhe dhurata të tjera të marra gjatë ditës. Në Shqipërisë, Dita Ndërkombëtare e Gruas portretizohet si dita e nënës dhe shoqërohet me urime, dhurata e gosti.

Tek i pyes nëse kjo ditë për ta duhet të jetë festë apo protestë, ato shprehen se i duan të dyja: edhe revoltën edhe momentet e dëfrimit.

Anita*, një vajzë rreth të tridhjetave, pjesëmarrëse në këtë takim, u shpreh se sot i ka bërë disa dhurata nënës së saj. Prej disa vitesh e punësuar në sektorin fason, ajo rrëfeu se këtë 8-Mars nuk kishte festë për kolektivin e saj të punës, por punëdhënësit i lejuan të largohen nga puna dy orë më parë. Ky vendim u prit me gëzim nga koleget e saj gra, më pohon Anita.

Ajo beson se ashtu si në ditët e tjera, punëtorët dhe anëtarët e shoqërisë duhet të organizohen dhe të ngrenë zërin për të ndjerë një ndryshim në sektorët ku punojnë. Për veten e saj, Anita nuk qëndron e heshtur. Kur puna iu vështirësua në fasonerinë ku punon, ajo kërkoi rritje rroge, kërkesë e cila iu plotësua.

Nëna e Anitës, Mira* erdhi në takim me një trëndafil në dorë, ndërsa mbante veshur disa aksesorë që vajza ia kishte bërë dhuratë. Mira punon sanitare në një sektor privat. Prej largimit të koleges së saj nga puna, ajo është e vetmja që merret me pastrimin e ndërtesës.

Pra, ti bën punën e dy punëtorëve nën një pagë?”, – e pyes. “Jam mësuar”, më përgjigjet. Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, punëdhënësit kishin organizuar për Mirën dhe kolegët e saj një drekë brenda godinës.

“Dëshira ime është të kem një dite pushim”

Prej gjashtë vitesh, Majlinda* punon pa asnjë ditë pushim. Ajo shkëputet nga puna vetëm për festat e fundvitit, me datë një dhe dy janar, për t’iu kthyer sërish rutinës: punë në punë dhe punë në shtëpi.

Kur i them të ma përshkruajë një ditë të zakonshme ajo shprehet kështu: “Unë kthehem nga puna, heq rrobat e punës dhe vazhdoj: fëmija, shtëpia. Do merresh me mësimet e fëmijës, do gatuash, do lash, do shpërlash”.

Majlinda punon së bashku me burrin e saj në një nga tregjet e Kamzës. Puna asaj i fillon në orën 8.00, ndërsa drynin ia vendos në orën 16.30. Pavarësisht se janë të punësuar në të njëjtin sektor, bashkëshorti i saj ka një tjetër rutinë.

Ndërkohë burri vjen dhe shtrihet. Ndërsa gruaja nuk shtrihet”, – pohon Majlinda, nënë e tre fëmijëve. Standardet e dyfishta, me të cilat nuk bie aspak dakord, e shqetësojnë Majlindën.

Kur vjen puna, të thonë që është detyrimi jot. Jo, nuk është detyrim i imi. Është edhe i imi, edhe i atij!”, vijon më tej ajo.

Kujdesi për tre fëmijët është një tjetër barrë të cilën do të donte ta ndante me bashkëshortin. Ditët që Majlinda ia dedikon argëtimit i numëron me gishtat e dorës.

Cila është dëshira jote më e madhe?” , – e pyes.

Dëshira ime më e madhe është që të kem një ditë pushim. Një ditë pushim në javë, s’dua asgjë tjetër. Hera e fundit që kam bërë pushim ka qenë në korrik, katër pasdite kam bere plazh”.

*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *