Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pranga ndaj protestuesve”, policia procedon penalisht 125 persona në dy ditë

Në përfundim të ditës së dytë të protestës kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të shportës, policia e Tiranës arrestoi 23 qytetarë dhe procedoi penalisht 23 të tjerë, ndërsa shpalli në kërkim një 23-vjeçar.

Shoqërimi i qytetarëve u krye pas shpërndarjes së tyre nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa bllokuan rrugët në shenjë proteste kundër rritjes së çmimit të naftës. Mbi ta qëndrojnë këto akuza: prishja e qetësisë publike, mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit publik dhe pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit.

Në ditën e parë të protestës, policia arrestoi 16 qytetarë dhe procedoi penalisht 5 të tjerë, ndërsa vijoi të bëjë thirrje protestuesve të mos përfshihen në akte të dhunshme dhe bllokim rrugësh. Në total, numri i të arrestuarve në komisariatin e Tiranës përgjatë dy ditëve është 39 qytetarë dhe 28 të proceduar penalisht, e një në kërkim.

Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit njoftoi për arrestimin e dy qytetarëve dhe procedimin penalisht të 50 të tjerëve.

Ndërsa në Shkodër policia njoftoi sot se janë proceduar penalisht 8 qytetarë dhe një tjetër në kërkim, për shkak të mos lejimit të automjeteve në sheshin “Parrucë”.

Të dhënat nga komisariatet e Policisë në disa qytete tregojnë për 125 qytetarë që po ndiqen penalisht pas dy ditësh protesta.

Aktivistët kërkuan para Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë lirimin e protestuesve 

Mëngjesin e sotëm, më 11 mars, disa qytetarë dhe pjesëmarrës në protestë kërkuan lirimin e të arrestuarve.

Avokati Redon Meksi, i pranishëm në lehtësimin e procesit të lirimit të qytetarëve pranë Komisariatit të Tiranës, u shpreh për Citizens Channel se arrestimi është selektiv dhe arbitrar.

“Sot të arrestuar janë 36 persona në të dy ditët e protestës. Akuzat janë të ndryshme, janë arbitrare, selektive. Dje në darkë unë isha te drejtoria e policisë për dy vajzat e arrestuara, pra Gjyljana Bakallin dhe Megi Mustafaraj. Të dyja u arrestuan bashkë, duke bërë të njëjtat veprime, të dyja në të njëjtin vend dhe njëra nga vajzat akuzohet për kundërshtim të forcave të rendit dhe vajza tjetër që kishte ofenduar shefin është akuzuar me katër akuza që janë: pengimi i qarkullimit rrugor, kundërshtimi i forcave të rendit, organizimi dhe pjesëmarrje në protestë të paligjshme që është akoma më absurde se është një nen që është shfuqizuar në Gjykatën Kushtetuese para 9-10 muajsh dhe prishja e qetësisë publike”,- sqaron avokati Meksi.

Foto: Reporter.al

Aktivistja Megi Mustafaraj u arrestua bashkë me juristen Gjyljana Bakalli, ndërsa kjo e fundit vijon të qëndrojë në komisariat, mbi të cilën rëndojnë katër akuza.

“Arsyeja e shoqërimit ishte bllokim i rrugës, e cila është vepër penale dhe mos bindje e forcave të rendit. Ndërkohë që unë isha në trotuar në atë moment”,-rrëfen Megi Mustafaraj.

Ajo u lirua pas mesnate, ndërsa tregon se brenda në komisariat ishin të paktën edhe 30 persona të tjerë.

Pedagogu dhe aktivist Ervin Goci, në fjalën para Komisariatit të Policisë mëngjesin e sotëm u shpreh se arrestimet e kryera këto ditë protestash janë provokime nga ana e policisë.

Ervin Goci, aktivist

“Gjithë akti i policisë ka qenë provokime të pastra ndaj një proteste e cila e ka një kumt. Është një kumt që edhe vetë qeveria e pranon dhe në vend që të marri masa shkon dhe arreston njerëz. Shkon dhe arreston aktivistë, juristë, njerëz që janë të devotshëm dhe që i shërbejnë kauzave publike nga mëngjesi në darkë”,-tha Goci.

Ndërsa Migen Qiraxhi, aktivist i “Qëndresa Qytetare” u shpreh se arrestimet e ditëve të fundit nuk do ti ndalin protestat.

Migen Qiraxhi, aktivist “Qëndresa Qytetare”

“Është e kuptueshme që edhe me arrestimet e ditëve të fundit kjo nuk ka për të ndalur dhe këta zotërinjtë, të cilët administrojnë shtetin apo drejtojnë komisariatet, duhet ta kuptojnë se nuk ka vend për të gjithë ne, edhe nëse duan ti arrestojnë të gjithë qytetarët, nuk ka vend për ti arrestuar. Aq i madh është numri i qytetarëve që po protestojnë”-u shpreh Qiraxhi.

Qytetarër kanë thirrur sot ditën e tretë të protestës, sërish para Kryeministrisë, ndërsa pritet të ketë një tjetër protestë edhe të shtunën në orën 11:00.


Ata kërkojnë hetim të tregut të naftës që ka sjellë rritje të menjëhershme të çmimit të saj, heqje të taksave që në këto momente rëndojnë në xhepat e qytetarëve si dhe rikthim të konkurrencës në treg duke thyer oligopolin e naftës.

Gjatë katër ditëve të fundit, çmimi i naftës ka ndryshuar nga 220 lek për litër në 290 lek për litër duke pësuar sërish renie në 220 lek për litër.

Ky shqetësim është ngritur edhe nga Qendra e Konsumatorit Shqiptar, e cila përmes një ankese drejtuar Autoritetet të Konkurrencës, Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Kryeministrit Edi Rama shprehet se rritja e çmimit të naftës është abuzim nga operatorët.

“Ajo që po vërehet në Shqipëri është një fenomen abuzues kundrejt kësaj dukurie, duke rënduar xhepat e konsumatorëve dhe ulur mbrojtjen e tyre ligjore, kjo për shkak se ende nuk ka masa ligjore të cilat të vijnë në ndihmë të mbrojtjes së tyre”.

Avokati i Popullit thirrje Policisë së Shtetit për garantim të së drejtës së qytetarëve për protestë

Pas shoqërimeve dhe arrestimeve të qytetarëve nga policia përgjatë këtyre dy ditëve të protestave, Avokati i Popullit ka reaguar me shqetësim ndaj Policisë së Shtetit.

Sipas Avokatit të Popullit arrestimi i qytetarëve që protestojnë po përsëritet në mënyrë shqetësuese nga ana e Policisë së Shtetit.

“Avokati i Popullit konstaton se shoqërimet e qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore, në çdo protestë, po përsëriten tashmë në mënyrë shqetësuese nga ana e Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër pengimi i gazetarëve për të ushtruar detyrën e tyre e aq më keq shoqërimi i tyre nga ana e Policisë është i papranueshëm në një demokraci funksionale”, -thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

“Kryeministri Rama nis bashkëbisedimin virtual me qytetarët”

Ndërsa qindra qytetarë ishin duke protestuar poshtë zyrës së Kryeministrisë, Kryeministri Rama krijoi një lidhje virtuale me qytetarët përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook. Ai e adresoi rritjen e çmimit te naftës dhe energjisë si pasojë e luftës së Ukrainë, ndërsa theksoi se shteti nuk përcakton çmimet.

“Nafta është një mall në tregun e lirë dhe qeveria ka hequr dorë nga kontrolli i çmimit të tregut që prej vitit 1990. Shteti nuk cakton çmimet e mallrave. Shtetit nuk vendos dot dhe nuk imponon dot çmime”-u shpreh Kryeministri Rama.

Edhe pse më herët lajmëroi se shteti nuk ndërhyn dot në vendosjen e çmimit në një treg të lirë, ai njoftoi përmes këtij komunikimi se do të hartojë një plan masash për rritjen e çmimeve, ndërsa do të krijojë një Bord Kombëtar për transparencë të çmimeve.

“Do të ndalojmë spekulimet me rritjen e naftës, me një akt normativ, një bord kombëtar të administrimit të karburantit, ku do të flitet për të gjitha hapat. Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë”,-tha Kryeministri Rama.

Ditën e sotme ai mbajti një takim me furnizuesit e naftës, teksa u shpreh se “situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë “.

Ai njoftoi edhe miratimin e “një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës”.

*Ndihmoi në artikull me raportimin nga Drejtoria Vendore të Policisë Tiranë, Lorin Kadiu. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *