Citizens.al

Në Kutë të Mallakastrës, dielli sjell energji pa sakrifikuar lumenjtë

Rrugët e fshatit Kutë në Mallakastër dhe disa institucione shtetërore furnizohen pjesërisht me energji elektrike përmes paneleve diellore.

Gjatë bisedave me banorët në qendër të fshatit, mësuam se ata nuk kishin dëgjuar më herët për një projekt të tillë, megjithatë shprehen të kënaqur nga rezultati.

“Ne jemi shumë të kënaqur si fshat, se këto nuk i kishim parë asnjëherë. Dritat që funksionojnë këtu në fshat janë shumë të mira”, – shprehet për Citizens Channel një banor i fshatit Kutë.

Ky projekt, vijon më tej ai, ka marrë jehonë përtej fshatit Kutë. “Na thonë edhe këto fshatrat përreth, si ka mundësi në Kutë drita, e kjo e ajo. Na bëhet qejfi edhe kënaqemi”, – rrëfen më tej ai. “Dritën kush se do!”

Konkretisht, ndërtesat kryesore ku janë instaluar sistemet e paneleve në çati, janë: shkolla “Ismail Shehaj”; qendra kulturore; zyrat e njësisë administrative; qendra shëndetësore; rezervuari i ujit në kodër dhe stacioni i pompimit.

Ky ndryshim vjen si rezultat i fushatës “Solar në Kutë” e organizuar në vitin 2021 nga EcoAlbania, Euronatur dhe Riverwatch, në fshatin që ndodhet në brigjet e lumit Vjosa dhe është një nga zonat më të rrezikuara në rast se ndërtohet hidrocentrali i shumëpërfolur i Poçemit në rrjedhën qëndrore të Vjosës.

Banorët shprehen kundër shfrytëzimit të Vjosës për prodhim energjie.

Neve nuk jemi dakord që të bëhet hidrocentrali. Se na prishen tokat, ku të mbështetemi?“, – thotë për Citizens Channel Medin Zota i cili kullot bagëtitë afër bregut të lumit.

Medin Zota, banor

Historiku i hidrocentralit të Poçemit

Në korrik të vitit 2015, qeveria shqiptare njoftoi se dha bonus për një ofertë të pakërkuar koncesioni për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit. Në prill të vitit 2016, “tenderi” për dhënien me koncesion të Poçemit përfundoi me vetëm një pjesëmarrës, kompaninë turke “KOVLU ENERGJI”, që e fitoi bonusin me vendim qeverie.

Në muajin maj të vitit 2017, banorët e këtij fshati, së bashku me organizatën mjedisore “EcoAlbania” ngritën padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, duke argumentuar se leja e dhënë ndaj firmës “KOVLU ENERGJI” kishte një serë shkeljesh, të cilat u pranuan dhe nga gjykata.

Kështu, Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi me datë dy maj të vitit 2017 dy ministri dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit duke nxjerrë të pavlefshme aktet administrative si dhe kontratën koncesionare të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “KOVLU ENERGJI” për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit.

“Vjosa është në rrezik”

Tashmë, qeveria shqiptare e ka shpallur rrjedhën qendrore të lumit Vjosë “Park Natyror”, kategoria e katërt, duke lënë jashtë degëzimet e saj. Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësimin se një status i tillë nuk i jep mbrojtjen e duhur Vjosës.

Vetëm statusi “Park Kombëtar” sipas ligjit 81/2017 e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve brenda këtyre territoreve, ndërsa në territoret e shpallura “Park Natyror”, nuk lejohen aktivitete që çojnë në “ndryshime të gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore”.

Citizens ka raportuar më herët, rastin e lumit Luma në Kukës. Brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik në Kukës, janë ndërtuar pesë hidrocentrale, të cilat kanë tharë shtratin e lumit Luma, duke e kthyer atë në një rrjedhë pa ujë, ku vendin e tij e kanë zënë gurët dhe inertet.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW