Këshilli i Ministrave miratoi të enjten hartën e re gjyqsore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë, duke injoruar zërat kritik dhe grevën e avokatëve.
Avokatët bojkotuan punën e tyre në shenjë kundërshtimi ndaj hartës pasi e cilësojnë atë si problematike. Sipas avokatëve kjo hartë cënon aksesin e qytetarëve në drejtësi.
Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon uljen e gjykatave të rretheve nga 22 në 13, mbajtjen e vetëm dy gjykatave administrative (nga 6 ekzistuese) dhe vetëm një gjykatë apeli për të gjithë vendin, e cila do të jetë në Tiranë.
Aplikimi i hartës së re do të nis në 1 shkurt të 2023, sipas ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.
“Më 1 shkurt do të kemi përqendrimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë, në 1 maj do të jenë Gjykata e shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe më 1 korrik do të jetën Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë”, tha Manja për mediat pas miratimit të hartës.
“Beteja do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese”
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, KSHH e ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore si dhe dënon mënyrën se si u bë procesi i konsultimit.
Gjatë një seance dëgjimore më 18 Korrik në Komisionin e Ligjeve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në cilësinë e të vetmes organizatë jo qeveritare të ftuar, pati mundësinë të parashtronte oponencën e tij mbi draftin për hartën e re gjyqësore.
Problemet që ata ngritën ishin, mungesa e transparencës dhe konsultimit gjithëpërfshirës nga ana e Grupit Ndër-Institucional të Punës, cënimi i aksesit në drejtësi dhe analiza jo-gjithëpërfshirëse e parimeve dhe kritereve ligjore të parashikuara në neni 15 të ligjit nr. 98/2016.
Drejtoresha e KSHH Erida Skëndaj tha për Citizens Channel se ndihet e indinjuar dhe e zhgënjyer “për një proces konsultimi formal, me një gjuhe prepotente, jo etike dhe fyese ndaj organizatave”.
Skëndaj u shpreh se harta e re gjyqësore prek interesat e qytetarëve në nevojë, dhe dëmton aksesin e tyre në drejtësi.
“Do nisim një betejë të re ligjore për kundërshtimin e hartës në Gjykatën Kushtetuese”, tha për Citizens Channel Skëndaj.
Sipas avokatëve, të cilët janë shprehur me herët për Citizens Channel, harta e re gjyqësore sjell një sërë problemesh. Një ndër to është largimi i qytetarit nga aksesi në drejtësi. Së dyti, kjo hartë e re gjyqësore do të mbingarkojë gjykatat dhe së treti avokatët theksojnë si problem centralizimin e shërbimit.
Mbi vendimin e fundit avokatët shprehen kundër. Avokati Adriatik Lapaj tha për Citizens Channel se vendimi është një tregues arrogance.
“Është një lajm i keq. Qytëtaret sot nuk e kuptojnë dot. Do e kuptojnë në vazhdim”, tha Lapaj.
Avokati u shpreh se kjo reformë nuk dëmton në vetvete avokatët por qytetarët. “Avokatët kudo të jetë gjykata do shkojnë, por me kosto të shtuara për qytetarët”, tha ai.
Ndërsa sa i përket vendimit dhe mënyrën se si u bë ai, Lapaj tha se “nuk u degjua Dhoma Kombëtare e Avokatisë që përfaqëson komunitetin e avokatëve dhe ekspertizën më të mirë në fushë”.
Sipas tij avokatët qëndruan duke përdorur të gjitha mjetet demokratike deri në bojkot të gjyqeve, duke marrë përsipër kosto financiare. Ashtu si KSHH dhe Lapaj përmend përballjen me Gjykatën Kushtetuese.
“Tashme mbetet përballja në Gjykatën Kushtetuese”, tha Lapaj. Ai thekson problemin e largimit të qytetarit nga gjykata.
Adriatik Lapaj, avokat
“Do të ul mundësinë e qytetarëve për t’iu drejtuar gjykatës përballë abuzimit nga administrata”, thotë avokati duke shtuar se kjo gjithashtu do rris korrupsionin “pasi do i bëj qytetarët më të cënueshëm nga vendimet e administratës”.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.