Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përballë: Faktet dhe premtimet për çështjen e Teatrit Kombëtar

Dy ditë më parë, 800 ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi hapjen e garës për ndërtimin e teatrit të ri. Kryebashkiaku i Tiranës e nisi fjalimin e tij prej 17 minutash duke listuar një sërë elementësh të projektit të shumë debatuar të teatrit të ri, që nga mënyra e shembjes, vonesat si dhe premtimin për përfundimin e teatrit.

Citizens Channel ka raportuar që prej vitit 2018 për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe do të vendosë përballë argumenteve të Veliajt disa fakte, dokumenta, dhe dëshmi të ngjarjeve që kanë shënjuar çështjen.

“Për teatrin duhen më shumë para për shkak të luftës në Ukrainë”

Veliaj: “Asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që në datën 24 shkurt lufta ose agresioni i Rusisë mbi Ukrainën do të sillte një trazim total të tregjeve sidomos të çmimeve të hekurit dhe celikut, pra te metalit në përgjithësi dhe çmimeve të betonit. Dhe kryesisht ndërtesat si element bazë kanë çelikun, hekurin edhe betonin, çimenton”.

Në vitin 2018, kompania private “Fusha Sh.p.k” paraqiti propozim të pa kërkuar që parashikonte ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, në këmbim të kullave shumëkatëshe në truall publik. Qeveria shqiptare e pranoi këtë propozim dhe nisi hartimin e një ligji special, që së fundmi dështoi të zbatohet pas shqetësimeve për shkelje të konkurrencës së drejtë dhe marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Në maj të vitit 2020, pas shembjes së dhunshme të godinës, Erion Veliaj deklaronte se “vlera e Teatrit të ri Kombëtar do të arrijë në 30 milionë euro, shumë e cila do të sigurohet me kredi”. Kredi e cila do të merrej nga bankat tregtare.

Në nëntor të po të njëjtit vit burimi i parave ndryshoi sërish. Veliaj u zotua se do ta ndërtonte teatrin me paratë e buxhetit të shtetit, duke kërkuar 36 milionë euro.

Një vit pas shembjes, në maj 2021, Bashkia e Tiranës artikuloi një tjetër teori në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, ku u tha se puna për ndërtimin e Teatrit Kombëtar do të niste atë verë, financuar nga një hua e marrë nga Fondi i Abu Dhabit.

Aktualisht parashikimi buxhetor i shtetit shqiptar për teatrin ka vlerën e 4.8 miliardë lekësh, ku aktualisht i janë kaluar Bashkisë Tiranë vetëm 900 milionë.

Foto: Parashikimi buxhetor 2022 – 2024

Veliaj anonçoi një rritje të këtij buxheti, duke mos dhënë detaje sa para janë shtuar. Vendimi i Këshillit Bashkiak nuk është bërë publik as në faqen zyrtare të institucionit.

“Garë për zbatimin e projekti të ‘dhuruar’ nga Fusha Sh.P.K”

Veliaj: “Hapim një garë ndërkombëtare për 60 ditë dhe pastaj me të shpallur fituesin ne fillojmë ndërtimin e Teatrit Kombëtar të Tiranës me projektin e Bjarke Angels, me projektin danez dhe do të kemi teatrin ndoshta me modern në Ballkan”.

U deshën 800 ditë, një sërë afatesh të shkelura dhe premtimesh të pambajtura që të hapej gara për ndërtimin e Teatrit të ri.

Veliaj: “Nuk besoj do të ketë një teatër më të bukur, të paktën sa të jemi ne gjallë si ai që kemi projektuar. “

Projekti i arkitektit danez Bjarke Ingles nuk u realizua nga qeveria shqiptare përmes një gare të drejtë. Ai ishte pjesë e propozimit të kompanisë “Fusha Shpk”, e cila në mënyrë të mistershme ia dhuroi bashkisë projektin pas dështimit të ligjit special.

“Selfie me kullat në vend të trashëgimisë kulturore”

Veliaj: “Shpresoj që me kohën, ashtu si me kohën shumë prej njerëzve që protestonin te liqeni çojnë fëmijët sot te liqeni, shumë prej atyre që protestonin te astiri shkojnë për dy minuta në shtëpi prej Astirit, shumë prej atyre që shkonin dhe e quanin monument kulture asbestin dhe ternitit te pazari i ri sot kalojnë një pjesë të madhe të ditës dhe bëjnë pazaret e tyre, shumë prej tyre që shanin kullat, sot i bëjnë të gjithë selfiet dhe instagrami i tyre është mbushur nga kullat dhe i kanë sjellë biznes Tiranës. Është vetëm çështje kohe që dhe kjo pjesë të bashkohet me modernizimin dhe të kuptojë se nuk kemi prishur një monument kulture, kemi prishur një ngrehinë prej tallashi për të cilën kishte 30 vjet debat”.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, bashkia Tiranë miratoi 112 leje të reja ndërtimi, dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa sipërfaqja e lejeve rritet vit pas viti, raportet ndërkombëtare ngrenë shqetësimin për pastrimin e qindra miliona eurove në sektorin e ndërtimit. Ndërtimet e reja janë të përqendruara në qendrën e qytetit të Tiranës, duke ndërhyrë në pjesën historike të qytetit. Sipas analizës së kryer nga Citizens Channel, për 45 godina/vila monument kulture të marra në studim kemi 36 urdhra për heqje të statusit, duke çuar në shembjen e 17 vilave/godinave historike dhe zëvendësimin e tyre me pallate.

“Teatri u shemb kur opozita ishte në gjumin e tretë”

Veliaj: “Duhet ta bënim një moment kur liderët e opozitës ishin duke gërhitur se po ta bëje me të gjithë militantët aty do shkonte në një konfrontim pa sens, do bëheshim gazi botës. Pra ajo bëhej vetëm në momentin kur liderët e opozitës ishin në gjumin e tretë dhe ajo pjesa e aktivistëve ishte mjaftueshëm e vogël për tu menaxhuar pa një konflikt të madh. A është diçka që e kujtoj me nostalgji? Aspak. Një nga vendimet më të vështira.”

Ora 04:30 e mëngjesit të 17 majit, kur ndodhi edhe shembja e godinës së Teatrit Kombëtar është një kohë e papërshtatshme për të ekzekutuar vendime të marra nga administrata publike. Një sërë mekanizmash kombëtare dhe ndërkombëtare dënuan mënyrën si u shemb teatri. Dhuna fizike dhe verbale, policët pa numra identifikimi, arrestimet dhe dhuna ndaj gazetarëve pasuan edhe protestat e ditëve më pas.

Rezistenca për Teatrin Kombëtar nuk u udhëhoq nga opozita shiptare. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, u krijua nga një grup qytetarësh, artistësh e dashamirës të teatrit.

Prej më shumë se dy vitesh, qytetarët, aktivistët dhe artistët rezistuan kundrejt cdo iniciative të policisë për të ndërhyrë në ambientet e teatrit e për ta zbrazur atë.

Prej më shumë se dy vitesh, sheshi përpara Teatrit Kombëtar u kthye në një arenë të diskursit publik, kulturor e politik duke i dhënë mundësi gjithsecilit që donte të dëgjohej.

Kur do ndërtohet Teatri? Premtim pas premtimi… 

Sot, dy vite pas shembjes, hapësira ku qendronte teatri mbetet bosh, e rrethuar dhe pa të drejtën e shfrytëzimin si një pronë publike nga qytetarët.

Pasditen e 17 majit të 2020, pasi godina e Teatrit Kombëtar ra, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u lidh drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjetit social Facebook dhe e konsideroi vendim të vështirë, por të drejtë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërsa tregoi se po përgatiten për të nisur punën për teatrin e ri.

“Teksa përgatitemi të nisim punën për Teatrin e Ri, i ftoj të gjithë, që nesër, ta bëjmë edhe më të mirë projektin që kemi në tavolinë. Ai teatër do të jetë për artistët dhe qytetarët, për fëmijët tanë. Ejani ta ndërtojmë së bashku”, – u shpreh Veliaj.

Më 15 gusht 2020, Veliaj njoftoi përfundimin me sukses të sondave gjeologjike në truallin e teatrit, ndërsa lajmëroi nisjen e punimeve në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet.

Përpos nisjes së punimeve ai konfirmoi edhe projektin e miratuar për tu zbatuar, i studios Bjarke Ingels Group.

Ndërsa më 29 qershor 2021, Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri.

Më 5 korrik 2021 pas lajmit se Këshilli Kombëtar i Territorit dha lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar, u shpreh se: “Do presim zbardhjen e lejes nga KKT, do respektojmë procedurat dhe besoj në 100 ditë do të nisimin punën për Teatrin e ri Kombëtar. Viti i ri do ta gjejë Tiranën të paktën me një kantier teatri të ri”.

25 prill 2022, në konferencën e javëve ndërkombëtare të Kulturës, Kryeministri Rama u shpreh se tërmeti, pandemia dhe tanimë edhe situata në Ukrainë kanë ngadalësuar zbatimin e një sërë projektesh.

Po merremi me këtë çështje dhe besoj që do gjejmë një zgjidhje dhe Teatri Kombëtar do ndërtohet siç është projektuar e siç jemi zotuar. Por jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e parashikuara kur mes teje e afatit futet një ngjarje që as parashikohet e as evitohet,” – deklaroi kryeministri Rama.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *