Njëra shkallë e pallatit numër katër në rrugën ‘Myslim Keta” u shemb sot në orët e para të mëngjesit nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit. Bashkë me të priten të shemben edhe tetë shkallë të tjera sipas lajmërimit të kryer më 9 dhjetor 2022 me anë të një shkrese nga Inspektoriati i Mbrojtes së Territorit në Bashkinë Tiranë.
Ndërkohë që ndërtesa ishte kthyer në rrënoja, Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë sigurimin e padisë së inicuar nga opozita dhe banorët për pezullim e procesit, pasi akti tashmë ishte konsumuar.
“Sot ka qenë seancë për sigurim padie, që do të thotë është kërkuar që të pezullohen veprimet e prishjes deri sa të shqyrtojë gjykata çështjen për paligjshmërinë e akteve që ka vendosur prishjen. Pra nuk gjykohet sot paligjshmëria e akteve. Sot gjykohet vetëm thjesht fakti nëse do pezullohet apo nuk do pezullohet kjo histori”,– u shpreh avokati Dorian Matlija për Citizens Channel.
Sipas tij “gjykata e rrëzoi kërkesën me justifikimin që prishja tashmë ka filluar dhe nuk ka më objekt çfarë të mbrojmë, çfarë të pezullojmë. Pra ka rrëzuar thjesht kërkesën për pezullim. Sepse është bërë fakt i kryer”.
Sipas avokatit Matlija organet shtetërore në të tilla raste veprojnë me shpejtësi, duke mos i lënë kohë gjykatës.
“Ligji në Shqipëri nuk është se parashikon ndonjë gjë që po ta çosh në gjykatë edhe çdo gjë pezullohet. Duhet të bëhet kërkesë e veçantë për pezullimin. Puna është që këto organet shtetërore veprojnë me shpejtësi shumë të madhe, nuk i lënë kohë gjykatës. Dhe kjo është defekt i ligjit tonë. Ne ligjin e kemi mbrapsht në këtë pikë, që s’kemi asnjë lloj mundësie, presim gjykatën, pesë ditë e ka gjykata kohën e vet, ai vjen e prish për tre ditë dhe iku, kryhet ajo. Pra në njëfarë mënyre si të thuash autoritetet publike kanë dorën e lirë ta bëjnë një gjë të tillë edhe e bëjnë”,-argumenton Matlija.
Akt-ekspertizat për pallatin numër 4 kundërshtojnë njëra-tjetrën
Më 27 nëntor të vitit 2019, pallati numër 4 iu nënshtrua ekspertizës së parë nga Instituti i Ndërtimit për shkak të dëmeve të pësuara nga tërmeti.
Në akt-ekspertizën Instituti i Ndërtimit u shpreh se objekti ka probleme në strukturë dhe është i pabanueshëm.
Pak ditë më vonë, më 6 dhjetor 2019, Instituti i Ndërtimit kundërshtoi veten duke dalë me një tejtër akt-ekspertizë ku theksoi se nuk ka probleme në strukturë dhe kërkoi marrjen e masave për raiprimin e dëmeve për shkalën 2,3,4,5,6,7,8,9 të pallatit numër 4 në rrugën “Myslim Keta’, ndërsa për shkallën e parë të po këtij pallati u shpreh se nuk ka probleme në strukturë, mirëpo banesat në katin e dytë dhe të tretë kanë çarje massive të murit mbrojtës dhe kërkoi marrjen e masave urgjente për riaprimin e dëmeve në këto banesa.
Më 22 dhjetor 2019 konstatohet nga drejtuesi i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu se hyrja e parë e pallatit katër ka shkallën DS3 të dëmtimit dhe të mërren masa për riaprimin e dëmeve.
Sipas aktit normativ 9/2019 “Për përballimin e Pasojave të fatkeqësisë Natyrore” dhe vendimti të Këshillit të Ministrave nr.634, dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti vlerësohen në shkallën nga DS1 deri në DS5, ku DS1 është shkalla më e lehtë e dëmtimit dhe DS5 më e rëndë. Nga shkalla DS1 deri në DS3 banorët marrin një fond lekësh në varësi të dmëtimit për ta riparuar atë, por nuk çon në shembje të godinës.
Oponenca teknike e akt-ekspertizës së thelluar vendos që pallati numër 4 të prishet dhe të ndërtohet e re.
Procesi i strehimit dhe zhvendosja e banorëve
30 familje të pallatit numër 4 janë zhvendosur në lagjen e re “5 Maji”, ndërsa 14 të tjera nuk kanë pranuar zhvendosjen sipas kryebashkiakut Veliaj.
“Thirrja është: mos u përdorni nga politika që ju shfrytëzoi edhe te lodrat dhe tek Astiri dhe te teatri dhe te Bulevardi. Ejani merrni shtëpitë e reja e jetoni të sigurt se këta të Gjirit të Lalzit i kanë zgjidhur hallet e tyre”,-u shpreh Veliaj përmes Facebook teksa vizitonte disa nga familjet e strehuara në godinat e reja të ‘5 Majit”.
Për ata që kanë qëndruar në pallatin numër 4, tre ditë më parë u ndërprenë dritat dhe uji gjatë orëve të natës, duke i hapur rrugë shembjes, të kundërshtuar nga banorët qëndrestarë.
Problematika nga ana e bashkisë sipas avokatit Dorian Matlia qëndron në procesin e zhvendosjes së banorëve. Ligji për Strehimin Social përcakton qartë hapat e ndjekura për zhvendosjen e banorëve, duke përfshirë këtu lajmërimin 45 ditë përpara, gjetjen e një strehimi tjetër dhe inventarizimin e pasurisë së banorëve në banesat e tyre.
“I numëron me inventar çdo gjë që kanë brenda, po u dëmtua ndonjë gjë i paguan bashkia. Këto këtu këtë ligj nuk e kanë respektuar fare dhe ky ligj thotë që kur shkelen këto të drejtat të këtij ligji atëherë ti shkon në gjykatë administrative ankohesh. Mirëpo edhe këtu nuk ka ndonjë sistem që të ta pezullojë këtë veprim gjatë kohës që ti nxjerr këto pretendime në gjyq”,-shprehet Matlija.
Ndërsa vijon se problemi më i madh që kemi është sistemi i ngadaltë. “…ndërkohë nga ana tjetër merr shtetin që është shumë herë më i shpejtë. Kjo është poshtërsi me tepër e nivelit politik që shfrytëzon këtë defekt të legjislacionit që po ky shtet e ka bërë këtë legjislacion, në dëm të banorëve, që në fund te fundit ata s’kanë më pastaj si të mbrojnë të drejtat e tyre. Tani që është prish objekti çfarë do gjykojnë në gjykatë?”,-sqaron Dorian Matlija.
Banorët kanë të drejtën e dëmshpërblimit, mirëpo Matlija shpjegon se ky proces kërkon kohë.
“Tani ata kanë të drejtën e dëmshpërblimit. Po dëmshpërblimi do vite e para dhe e dyta nuk ka se si të marrin dëmshpërblim për shembull për sendet që kanë lënë të shtëpia sepse asnjëri se ka inventarizuar dhe askush nuk e di nuk e provon çfarë ka pasur brenda shtëpia. Të paktën kjo është shkelje e bashkisë”.
“Shembje pas tërmetit”
Situata në rrugën ‘Myslim Keta” nuk është e padëgjuar. Tërmeti si motiv për shembjen e pallateve edhe kur ato nuk kanë pasur shkallë të lartë dëmtimi është përdorur edhe për 41 pallate në Kombinat. Fryrja e dëmeve me qëllim shembjen e tyre, ka bërë që një pjesë e madhe e akt-ekspertimeve të rrëzohen në gjykatë, duke ndaluar shembjen. Shtatë pallate në Kombinat kanë fituar gjyqin ndaj Bashkisë Tiranë, vendimet e së cilës përcaktonin shembjen e pallateve.
“Në të gjitha rastet që ne kemi hyrë pastaj me themel gjyqit gjatë kohës që nuk ka qenë akoma pallati i prishur i kemi rrëzuar në të gjitha rastet me vendim gjykate. Të gjitha, me ekspertiza, me oponencë teknike të Institutit të Ndërtimit, me vendim të këshillit Bashkiak, janë shtatë raste në gjykatën Administrative që janë pranuar si padi të plota. Të gjithë këto të tjerat janë në gjykim dhëne gjithë këto të tjerat ekspertët që janë caktuar nga gykata kanë thënë që nuk është e vërtetë situata siç është paraqitur nga akt-ekspertizat e bashkisë”,-sqaron avokati Matlija.
Sipas tij, kjo procedurë është e ndjekur njëjtë për të gjitha pallatet në Tiranë me pretekst tërmetin.
“Tani çështja është që gjithandej ne shohim një situatë të njëjtë. Në të gjitha rastet pallatet që s’janë të dëmtuara në atë lloj shkalle i marrin i paraqesin si të dëmtuar në shkallën DS4 që quhet dhe pastaj bëjnë ca preventive super të fryrë, gjasme sikur kostoja e riparimit është shumë e lartë dhe ska leverdi ekonomike ta riparosh. Ata shkojnë, synojnë një territor të caktuar, I pëlqen ajo toka atje, nuk e di se kujt, pastaj marrin, porosisin një akt ekspertizë të thelluar gjasme dhe paraqesin sikur ky pallati është shumë i dëmtuar, sikur do kosto shumë të madhe për tu riparuar dhe me këtë justifikojnë dhe hapin rrugën për të bërë këto veprime”,-përfundon Matlija.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).