Mëngjesin e sotëm, dhjetra forca policie rrethuan të gjitha hyrjet që të çojnë tek sheshi ku dikur ndodhej Teatri Kombëtar. Kryeministri Edi Rama, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, sëbashku me disa aktorë dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë inaguruan ndërtimin e Teatrit të ri në një ceremoni të mbyllur.
Mediat dhe qytetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë si e as të shihnin ceremoninë nga larg. Ngjarja u transmetua vetëm nga regjia e ERTV (kanali i Kryeministrit në Facebook), me një mungesë transparence për publikun.
Jashtë rrethimit të policisë, dhjetra qytetarë po protesonin duke kundërshtuar mungesën e transparencës për projektin e Teatrit Kombëtar.
“Jemi mbledhur të gjithë këtu dhe nuk na lejojnë të hyjmë të demonstrojmë dhe është bërë që janë futur me lista brenda në territorin e Teatrit, ata që duan ata, që i vijnë pas qejfit, ndërsa ne që rijmë këtu, kemi që në orën nëntë, që rrimë presim këtu, s’jemi futur akoma”, u shpreh Elida Dobrolishti.
Një tjetër protestues shprehet se përpos faktit që prona publike “grabitet, po ndërtohet edhe pa leje”.
“Nuk ka leje ndërtimi dhe ne e kemi parë që për një çati që rregullohet, për një dritare që ndryshohet, njerëzit janë proceduar penalisht dhe kanë shkuar në burg. Ndërkohë këtu kryetari i bashkisë me lejen e Edi Ramës ndërton pa leje”’, u shpreh Erges Eskiu.
“Teatri Kombëtar si simbol i censurës ndaj medias”
Për eskpertët e medias, ngjarja e sotme është një cënim i informacionit dhe ndikon negativisht tek transmetimi i informacionit tek qyetetarët.
“Përqëndrimi i informacionit dhe transmetimi me regji i aktiviteteve të tilla është kthyer në një praktikë e zakonshme e qeverisë, që sigurisht ndikon negativisht në raportimin e lirë dhe cilësor të gazetarëve”, u shpreh drejtuesi i MediaLook, Elvin Luku. Ai shton se, nga ana e qeverisë duket se është parashikuar reagimi qytetar për çështjen.
“Duke vendosur një kordon për ta mbajtur larg grupin e protestuesve i cili do të cënonte transmetimin e ceremonisë inaguruese përmes ERTV”, shton më tej Luku.
Elvin Luku, pedagog UT dhe drejtor i MediaLook
Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali e cilësoi ngjarjen e sotme si propagandë.
“Përdorimi i ERTV-së si sinjal i vetëm që jep informacion mbi aktivitetet e Kryeministrit, ndërkohë që nuk lejohen kamerat e gazetarët, ka qenë dhe është pjesë e një modeli informimi që ka vetëm një emër: Propagandë”, tha Cukali për Citizens Channel duke shtuar se në rastin e Teatrit Kombëtar shtohet frika nga informimi i lirë.
Koloreto Cukali – Këshilli Shqiptar i Medias
Sa i përket cënimit të lirisë së medias, ai thotë se ajo që ndodhi sot “është thjesht një riverifikim në realitet që përkundër tentativave të kohëve të fundit për t’i bërë këtij Kryeministri një makiazh më perëndimor, asgjë nuk ka ndryshuar, as në lirinë e medias, e as në mentalitetin e qeverisjes ku media dhe e vërteta është armiku”.
Blerjana Bino, përfaqësueseja e rrjetit Safe Journalist në Shqipëri e cilëson ngjarjen e sotme një fenomen të konfirmuar dhe problematik.
“Përqëndrimi i informacionit publik dhe vështiresia e aksesit të mediave të pavarura, investigative ose organizatave të shoqërisë civile në informacionin publik është tashmë një fenomen i konfirmuar nga shumë raporte të pavarura për demokracinë në Shqipëri. Rasti i sotem është një shembull tipik i këtij fenomemi”, tha Bino për Citizens Channel.
Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt
“Tenderi i Teatrit Kombëtar”
870 ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Bashkia Tiranë shpallur tenderin për ndërtimin e godinës së re. Kjo ishte faza e parë, e cila ka një vlerë të fondit limit prej 1 miliardë e 854 milionë lekë pa TVSH.
Projekti për ndërtimin e Godinës së Teatrit Kombëtar, sipas të dhënave të analizuara nga Open Data Albania është investimi i dytë publik me peshën më të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022.
Sipas parashikimeve në letër, projekti i Teatrit Kombëtar do të realizohet nga Bashkia Tiranë për periudhën 2022-2024, edhe pse zyrtarisht nisja e punimeve u shpall në ditet e fundit të 2022.
Vlera totale e projektit ështëj 4.8 miliardë Lekë. Viti 2023 do të ketë edhe peshën më të lartë buxhetore për këtë investim, prej 1.5 miliardë Lekësh.
Salla kryesore e Teatrit Kombetar sipas projektit
Studimin dhe projektimin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar e kanë bërë dy studio, A&E Engineering dhe Studio Konsulente F&M Ingineria.
Në 2020 bashkia Tiranë hapi një tender me vlerë 60 million lekë, i cili në databazën Open Procurement rezulton me parregullsi, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesve. Ndër të tjera fituesi ka dhënë një vlerë shumë afër fondit limit të ofruar, teksa bashkimi i dy kompanive të skualifikuara ka dhënë një ofertë më të ulët. Procesi është shoqëruar po ashtu me ankesa.
“Premtim pas premtimi”
Më shumë se dy vite pas shembjes së Teatrit Kombëtar, premtimet mbi ndërtimin e godinës së re kanë ndryshuar herë pas herë.
Pasditen e 17 majit të 2020, pasi godina e Teatrit Kombëtar ra, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u lidh drejtpërdrejt me qytetarët dhe e konsideroi vendim të vështirë, por të drejtë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërsa tregoi se po përgatiten për të nisur punën për teatrin e ri.
Përpos nisjes së punimeve ai konfirmoi edhe projektin e miratuar për tu zbatuar, i studios Bjarke Ingels Group. Ndërsa më 29 qershor 2021, Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri.
Më 5 korrik 2021 u shpreh se viti i ri do të na gjente me një kantier ndërtimi për teatrin e ri.
Por një vit pas kësaj deklarate qeveria arriti të hidhte sot “gurin e parë” për ndërtimin e Teatrit të ri, me një afat deri në 2024.
“Lufta shtrenjton projektin e Teatrit Kombëtar”
Gjatë viteve, qeveria ka deklaruar se i duhen edhe më shumë para për ndërtimin e godinës.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se përshkak të luftës Rusi-Ukrainë jane rritur çmimet e materialeve të ndërtimit.
Edhe forma e ndërtimit ka ndryshuar, pasi në vitin 2018, kompania private “Fusha Sh.p.k” paraqiti propozim të pa kërkuar që parashikonte ndërtimin e teatrit të ri, në këmbim të kullave shumëkatëshe në truall publik.
Qeveria shqiptare e pranoi këtë propozim dhe nisi hartimin e një ligji special, që dështoi të zbatohet pas shqetësimeve për shkelje të konkurrencës së drejtë dhe marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Teatri Kombëtar pas shembjes
Në maj të vitit 2020, Veliaj deklaronte se “vlera e Teatrit të ri Kombëtar do të arrijë në 30 milionë euro, shumë e cila do të sigurohet me kredi”. Kredi e cila do të merrej nga bankat tregtare.
Në nëntor të po të njëjtit vit burimi i parave ndryshoi sërish. Veliaj u zotua se do ta ndërtonte teatrin me paratë e buxhetit të shtetit, duke kërkuar 36 milionë euro.
Në 2021, Bashkia Tiranë deklaroi në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, se puna për ndërtimin e Teatrit Kombëtar do të niste atë verë, financuar nga një hua e marrë nga Fondi i Abu Dhabit.
Aktualisht parashikimi buxhetor i shtetit shqiptar për teatrin ka vlerën e 4.8 miliardë lekësh, ku aktualisht i janë kaluar Bashkisë Tiranë vetëm 900 milionë.
Veliaj anonçoi një rritje të këtij buxheti, duke mos dhënë detaje sa para janë shtuar. Vendimi i Këshillit Bashkiak nuk është bërë publik as në faqen zyrtare të institucionit.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.