Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Europa Nostra” kërkon ndërhyrje urgjente për shpëtimin e Urës së Zogut

Reshjet e muajit dhjetor e dëmtuan edhe më tej Urën e Zogut, e shpallur prej vitit 1999 Monument Kulture i Kategorisë së Parë, tashmë drejt rrënimit.

Për urën me harqe ose Urën e Zogut sikur i themi ne banorët, kemi shumë, shumë keqardhje sepse me këtë urë ne jemi lind, jemi rrit, jemi dëfrye”, – shprehet për Citizens Channel një banor rreth të 50-ave.

Prej muajit mars të këtij viti, ura është pjesë e programit “7 më të rrezikuarat” të organizatës ndërkombëtare “Europa Nostra”.

Ajo çfarë është e qartë është se gjendja e urës së Zogut po përkeqësohet”, – tha për Citizens Channel Peter Bond, konsulent i Bankës Evropiane të Investimit për programin e “7 më të rrezikuarat”. “Është urgjente ndërmarrja e veprimeve të palëve përkatëse, në mënyre që ky objekt i vlefshëm i trashëgimisë të ruhet”, – vijon më tej Bond.

Çfarë është programi “7 më të rrezikuarat”?

Programi “7 më të rrezikuarat” drejtohet nga “Europa Nostra” në partneritet me “Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve”. Prej vitit 2013, programi “7 më të rrezikuarat” është pjesë e një fushate të shoqërisë civile për të shpëtuar trashëgiminë e rrezikuar të Evropës përmes rritjes së ndërgjegjësimit, përgatitjes së vlerësimeve të pavarura dhe propozimeve për veprim. Ky program siguron një grant prej 10,000 € për shpëtimin e monumenteve të listuara si në rrezik.

Ne po planifikojmë të kryejmë misionin tonë të vlerësimit në një të ardhme të afërt”, – përfundon Peter Bond.

Peter Bond, Banka Evropiane e Investimit

Listimi i këtij monumenti si një ndër 7 saitet evropiane në rrezik nga “Europa Nostra” vjen në sajë të angazhimit komunitar të aktivistëve dhe banorëve të Kurbinit.

Europa Nostra ishte alternativa e vetme, pohon aktivistja Emarilda Leti nga qendra “Sebastia”, pasi Ministria e Kulturës dhe bashkitë përkatëse si ajo e Kurbinit dhe Lezhës, nuk iu përgjigjen kërkesave për ndërhyrje në mbrojtje të monumentit. Në janar të vitit 2021, 3700 qytetarë firmosën për veprim konkret.

Nuk kemi marrë përgjigje, efektive po themi. Pastaj kemi vijuar, nuk kemi qëndruar në vend për të pritur që institucionet të na përgjigjen. I jemi drejtuar Europa Nostra-s”, – sqaron Leti.

Emarilda Leti, organizata “Sebastia”

Banorët dhe aktivistët fajësojnë firmat private për gërryerjen e lumit Mat dhe neglizhencën institucionale që kanë çuar në situatën që jemi sot.

Me këtë lumin këtu unë mendoj që është ndërtuar Durrësi, Tirana, Shëngjini, Lezha dhe shtrati i këtij lumi ka bërë që ura të degradojë në këtë gjendje që është sot”, – pohon më tej banori.

Banor i cili jeton në afërsi të Urës së Zogut

Margariti: “Ndërhyrja në shpëtimin e Urës së Zogut nuk i takon vetëm Ministrisë së Kulturës”

Elva Margariti, Ministre e Kulturës u shpreh se gjendja aktuale e Urës së Zogut nuk është më detyrë e kësaj ministrie apo e Institutit të Monumenteve, por e një grupi institucional që përfshin edhe Institutin e Ndërtimit, Ministrinë e Bujqësisë, Emergjencat Civile, “për të hartuar një projekt kompleks së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë”.

Emarilda Leti shprehet se organizata Europa Nostra, prej gjashtë muajsh po harton një plan dhe kërkon të takojë ministritë përkatëse, kërkon të takojë aktivistët profesionistët e fushës dhe po ashtu edhe dy bashkitë që kanë në përgjegjësinë e tyre këtë monument të kulturës.

Ka një muaj e gjysmë tashmë që presim një përgjigje nga ana e tyre. ‘Europa Nostra’ kishte planifikuar një ekspeditë me ekspertë me 29 nëntor dhe është anuluar për hir të mungesës së përgjigjes”, – përmbyll Leti.

Citizens Channel do t’i drejtohet me anë të një kërkesë për informacion Ministrisë së Kulturës rreth hapave konkrete që planifikojnë të marrin për shpëtimin e Urës së Zogut.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *