Citizens.al

“Tre letra të hapura që denoncojnë parregullsitë e rindërtimit në Tiranë”

Qendra Res Publica dhe Grupimi për Mbrojtjen e Kombinatin përmes tre letrave të hapura i janë drejtuar disa institucioneve publike ku kërkojnë plotësimin e disa pikave që lidhen me rindërtimin.

Në letrën drejtuar Kontollit të Lartë të Shtetit, qendra Res Publica rendit një sërë parregullsish në procesin e rindërtimit në zonën e Kombinatit, duke theksuar se bashkia Tiranë ka porositur akt-ekspertiza të panevojshme, me kosto për buxhetin e shtetit dhe me pasoja për qytetarët. Në analizë thuhet se rezulton i provuar fakti që shkalla e dëmtimit të pallateve nuk ka qenë DS4 apo DS5 e për rrjedhojë nuk ka qenë e nevojshme kryerja e akt-ekspertizave dhe si përfundim këto pallate as nuk duhet të klasifikoheshin për prishje të detyruar.

Res Publica cilëson se akt-ekspertizat e thelluara te bashkisë Tiranë dhe oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit kanë një mori pasaktësish, të provuara këto edhe nga Gjykata Administrative, duke i kërkuar në përfundim Kontrollit të Lartë të Shtetit të ushtrojë kontroll për veprimtarinë e këtyre dy institucioneve.

Në një tjetër letër, Res Publica i drejtohet bashkisë Tiranë, Prefekturës së qarkut, policisë së shtetit dhe asaj bashkiake për shembjet e ndodhura në lagjen “5 Maji”, rrugën ‘Myslym Keta”, dhe zonën e Kombinatit.

Letra thekson se shembja e ndërtesave dhe zhvendosja e banorëve të këtyre zonave është kryer në kundërshtim me ligjin.

Res Publica rendit një sërë pikash që janë kryer në kundërshtim me ligjin sikurse:

  • zhvendosje të banorëve pa u siguruar që të gjithë personat kanë gjetur strehim;
  • mos njoftimin me shkrim të secilit të prekur nga shembja e banesave, ofrimi i bonusit të qirasë nga bashkia para se të sigurojë kontratat e nevojshme me pronarin social;
  • mos mbajtja e inventarëve për sendet e personave që zhvendosen për shkak të shembjes së banesave duke shkaktuar humbje të mëdha të sendeve me vlerë monetare dhe morale;
  • ndërprerja e ujit dhe energjisë elektrike pa asnjë paralajmërim, duke shkelur kësisoj të drejtat e njeriut dhe një sërë parregullsish të tjera që i janë rreshtuar në letrën e hapur.

Në një tjetër letër të hapur e dërguar nga Qendra Res Publica dhe Grupimi për Mbrojtjen e Kombinatin për bashkinë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak banorët e prekur nga shembjet në Kombinat dhe jo vetëm, i kërkojnë bashkisë Tiranë angazhimin në zgjidhjen e situatës.

Përkatësisht, pezullimin e zbatimit të vendimeve të këshillit bashkiak për shembjen e disa pallateve që ende nuk janë shembur; organizimin e konsultimeve publike efektive; nisjen e riparimit të pallateve për të cilat gjykata ka konstatuar se janë në nivelin e dëmtimit DS2 apo DS3, pra që nuk janë për tu shembur si dhe rehabilitimin e territorit ku dikur qëndronin pallatet tanimë të shembura.

Kombinati pas tërmetit të 2019-ës

Në Kombinat 67 pallate kanë marrë miratimin për t’u shembur nga bashkia Tiranë si pasojë e tërmetit, përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak. Deri më tani janë zbatuar 28 prej këtyre vendimeve. Banorët e kanë kundërshtuar shembjen pasi sipas tyre procesi i verifikimit ka qenë i pavërtetë.

Ata kanë ngritur 15 padi ndaj bashkisë Tiranë dhe deri më tani Gjykata Administrative ka vendosur të shfuqizojë 9 prej vendimeve për shembje, duke provuar se nuk kanë shkallë të lartë dëmtimi dhe nuk duhet të shemben.

Sipas nenit  34 të aktit normativ numër 9/2019 të miratuar për përballimin e pasojave të tërmetit, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruara të këtij objekti.

Prej tërmetit një pjesë e banorëve të Kombinatit janë zhvendosur nga lagjja e tyre duke përfituar bonusin e qirasë. Në mars 2022 ata protestuan për të kërkuar ndërtimin e pallateve aty ku ishin dhe sa më shpejt nga ana e bashkisë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW