Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Fakt: 17 vila Monument Kulture në Tiranë janë kthyer në pallate”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prag të fushatës për zgjedhjet lokale, ka nisur një seri video-monologjesh ku trajton “çështje që vlejnë të diskutohen më fakte më shumë se sa me opinione”.

Identiteti i Tiranës ishte tema e shtjelluar nga Veliaj në serinë e dytë të videove të së dielës.

“Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme”, përsëriti Veliaj në atë që duket të jetë slogani kryesor i rubrikës.

A ka pasur ndërtime në hapësira që më parë kanë qenë monumente kulture në Tiranë?

Është fakt se në tetë vite nuk kemi dhënë asnjë, zero, asnjë leje ndërtimi në hapësirat që janë shpallur monumente kulture nga Instituti i Monumenteve të Kulturës”, – u shpreh Veliaj.

Fakti në konstatimin e mësipërm është se institucioni i Bashkisë Tiranë nuk ka kryer një vepër penale për të cilën do të dënohej me burg ose gjobë.

Sipas nenit 76 të ligjit për “Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”  pasuritë kulturore nuk mund të shkatërrohen, cenohen apo dëmtohen. Sipas nenit 257 të po të njëjtit ligj, shkatërrimi i një pasurie kulturore, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë 200 000 deri në 400 000 lekë.

Një tjetër fakt, është se përgjatë viteve 2016-2021, 36 objekte monument kulture në Tiranë janë zhveshur nga statusi i mbrojtjes dhe deri tani 17 prej tyre janë kthyer në pallate.

Si shembet një objekt monument kulture?

Gjatë një pune dy vjeçare në ndërtimin e “Citizens Urban Stories”, një platformë ku është hartëzuar dhe analizuar gjendja e  mbi 70 vilave në Tiranë, Citizens Channel ka krijuar një databazë të plotë të vendimeve për rishikim të statusit “Monument Kulture Kategoria I” dhe “Monument Kulture Kategoria II” për pesë vitet e fundit.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) dhe Ministria e Kulturës tre janë institucionet përgjegjëse për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

  1. Mënyra e parë për të zhveshur nga statusi monumentet e kulturës janë vëzhgimet e vetë institucionit:

Në 8 janar 2018 specialistët e DRKK vendosën të studiojnë rreth 150 objekte në Tiranë, të cilat Ministria e Kulturës i kishte vendosur në listën e Monumenteve të Kulturës Kategoria II.

Relacioni i hartuar nga ekspertët e DRKK: 

Specialistët vunë re se për shkak të ndërhyrjeve në kohë dhe mungesës së mirëmbajtjes vendosën t’i heqin mbrojtjen 17 objekteve.

Institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për parandalimin e kësaj situate. “Për periudhën 2016-2021, IKTK-së nuk i janë akorduar fonde publike për mirëmbajtjen e vilave/banesave me status monument kulture në qytetin e Tiranës, të shpallura në vitin 2015”, – ka deklaruar zyrtarisht IKTK.

  1. Mënyra e dytë për “zhdukjen” e monumenteve të kulturës është përmes relacioneve të hartuara nga ekspertë restauratorë të kontraktuar.

Një nga këto raste është vila Harxhi në rrugën Kont Urani. Në skedën vetë  specialistët e Ministrisë, gjendja e godinës paraqitet e mirë dhe propozohen “ndërhyrje sistematike për mirëmbajtjen”. Vetëm dy vjet më pas, në dhjetor 2020 institucionit i vjen një kërkesë për heqjen e statusit nga privatët, me pretendimin se vila nuk është ruajtur dhe nuk paraqet vlera të trashëgimisë. Kërkesa miratohet dhe objekti hiqet nga lista e monumenteve.

Në shkurt 2021, fill pas heqjes së vilës nga lista e monumenteve kulturore, Bashkia Tiranë miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor (PDV), që parashikonte ndërtimin e një pallati 8-katësh (i katërti në këtë rrugicë në vetëm pak vite), në truallin ku ngrihej vila.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *