Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile mbajtën një tryezë të rrumbullakët ku u diskutuan efektet e hartës së re gjyqësore.
Pavarësisht kritikave dhe grevës së avokatëve, qeveria miratoi në korrik ndryshimet në shpërndarjen e gjykatave të vendit. Në hartën e re gjyqësore u mbyllën 18 gjykata, përkatësisht nëntë gjykata të rretheve, pesë gjykata të apelit dhe katër gjykata administrative të shkallës së parë.
“Shqetësimi më i madh është ai i funksionimit vetëm të një gjykate apelit të juridiksionit në rang kombëtar ”, – tha Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptarë të Helsinkit (KSHH), gjatë prezantimit të një dokumenti pozicional, ku analizohen efektet që ri-shpërndarja e gjyqësorit do të ketë tek qytetarët.
Skendaj analizoi rastin e shteteve si Moldavia apo Holanda, ku është aplikuar e njëjta praktilkë, por nga ana tjetër ka vijuar të funksionojnë seksione apo degë të gjykatave, gjë që ka lehtësuar aksesin e qytetarëve në drejtësi.
“Vlerësimi i hartës së re nuk analizon varfërinë në vend dhe as cilësinë e transportit në vend, mjetet e munguara të transportit në disa zona të thella rurale dhe aksesin e grupeve të disavantazhuara ekonomikisht”, – theksoi Skëndaj.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda i cili pohoi se këto mangësi duhet të rimbursohen nga shteti.
“Ky proces nuk është shoqëruar me një faturë ekonomike, aty ku ka distanca të tilla shteti i rimburson qytetarët, për kosto shtesë që mund t’i krijohen atyre, sidomos në një moment që ka të bëjë me drejtësinë”, – analizoj ai.
Klajdi Karameta, Zëvendës Ministër i Drejtësisë replikoi duke theksuar se reformat duan kohë për të prodhuar rezultate, duke sjellë si krahasim vettingun e reformës në drejtësi:
“Rezultatet e vetingut kanë arritur deri ty sa 67% e administratës që janë betuar nuk kanë rezultuar të denjë për të mbajtur pozicionin e tyre. Ky është një rezultat shumë pozitiv se ka pastruar sistemin e drejtësisë”, – u shpreh Karameta.
Komiteti i Helsinkit analizon hartën e re gjyqësore:
KSHH ka ngritur shqetësimin se harta e re gjyqësore u miratua pa një proces të gjerë konsultimi, i cili e vuri sistemin përpara një sërë problemesh:
- Mungesën e transparencës karshi publikut të veprimtarisë së GNP-së së ngritur nga KLGJ.
- Mungesën një procesi konsultativ gjithëpërfshirës përgjatë fazës së hartimit të raportit të vlerësimit nga ky grup pune.
- Mungesën e një studimi apo vlerësimi objektiv dhe të gjithanshëm, me avantazhet dhe disavantazhet e ri-organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave të tyre tokësore.
Në lidhje me zbatimin e deritanishëm të hartës së re gjyqësore KSHH shpreh shqetësimin se është përballur me mungesë transparence dhe aksesi gjatë kërkesave për informacion dhe pjesëmarrjes në procesin e konkretizimit të kësaj iniciative.
KSHH ngre shqetësimin se ka pasur shumë pak oponencë nga vetë gjykatat e shkallës së parë që janë pjesë e ri-organizimit, duke ngritur dyshime se kjo “heshtje” është tregues i interesit të vetë gjyqtarëve për tu transferuar drejt gjykatave më të mëdha.
Dëgjo podcastin e plotë:
Podcasti “Zëra nga harta e re gjyqësore” ka analizuar vendimin e qeverisë për mbylljen e 18 gjykatave në vend, duke e centralizuar sistemin me premtimin se ai do të jetë më efektiv.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.