Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“A pi ujë drejtësia”, hidrocentrali i pezulluar nga gjykata vijon të ndërpresë rrjedhën e lumit

Aktivistë dhe banorë nga Zall-Gjoçaj shkuan dje në terren për të verifikuar nëse hidrocentrali “Zais”, mbi lumin Flim, vijon të prodhojë energji. Në nëntor të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi në formë të prerë t’i heqë licencën për prodhim energjie këtij hidrocentrali.

Pamjet në terren tregojnë se diga ka bllokuar rrjedhën e lumit i cili rrjedh në tuba dhe jo në shtratin natyral. Pas vizitës, aktivistët shpalosën banderolën “A pi ujë drejtësia?”, e cila u var përballë digës së HEC-it.

Aktivistët vendosin banderolën përballë digës në Zall-Gjoçaj

Firma koncensionare “Seka Hydropower” u licencua në vitin 2020 nga Enti Rregullator i Energjisë që të prodhojë energji përmes dy HEC-eve “Sekë” dhe “Zais”, duke shfrytëzuar dy lumenjtë, Flim dhe Urakë.

Pas një beteje disa vjeçare të komunitetit dhe padive në gjykata, ERE i hoqi licencën hidrocentralit “Zais”, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, duke lënë aktive vetëm lejen për hidrocentralin tjetër, “Sekë”.

I themi qeverisë, i themi gjithë institucioneve shtetërore: zbatoni vendimet e drejtësisë shqiptare. Se ne te drejtësia atje besojmë dhe kemi shpresën”, – tha Adem Xhokola, banor i fshatit Gjoçaj, pas vizitës së djeshme në terren.

Sokol Muceku, administrator i firmës “Seka Hydropower” tha për Citizens Channel se po respekton vendimin e gjykatës dhe koncesionari nuk prodhon energji përmes hidrocentralit “Zais”, por rrjedha e lumit Flim shkon për shfrytëzim në HEC-in tjetër, “Sekë”.

Uji pasi kalon nga Zaisi, përdoret për HEC-in poshtë, “Sekë”. Ne na është hequr licenca e prodhimit të energjisë, nuk prodhojmë energji te “Zaisi” po “Seka” prodhon energji”, – pohon Muceku. “Licencën e ujit e kemi, nuk na është hequr licenca e ujit”, – vijon më tej ai.

Natyrë apo energji?

Firma “Seka Hydropower” mori leje në vitin 2018 për ndërtimin e dy hidrocentraleve, “Sekë” dhe “Zais”. Disa muaj më vonë pas dhënies së lejes për ndërtimin e dy HEC-eve, ishin po institucionet shqiptare që bashkuan zonwn e Zall-Gjoçajt, aty ku sot është ngritur diga e hidrocentralit “Zais” me Lurën, për të formuar Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”.

Sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, në zonat e shpallura Park Kombëtar nuk lejohet ndërtimi i hidrocentraleve.

Është një pasuri kombëtare. Burimet kristale të bjeshkëve tona, futen në tubat e turpit”, – thotë Dhimitër Koleci, lindur dhe rritur në fshatin Melth të Zall-Gjoçaj. Ai, së bashku me banorë të tjerë, kanë ngritur tre padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Njëra prej padive ka kaluar tre shkallët e gjyqësorit dhe është marrë vendimi në favor të komunitetit, ku u argumentuar se hidrocentrali “Zais” është ndërtuar brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Në janar të vitit 2022, pas rivlerësimit të zonave të mbrojtura, Parku Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” u reduktua në sipërfaqe. Zona ku sot është ngritur diga në Zall-Gjoçaj u hoq nga harta e parkut.

Nga 2022, me VKM nuk është zonë e mbrojtur, ashtu siç ka qenë përpara 2018-tës. Ka fillu ai projekt dhe kur janë marrë të gjitha lejet nuk ka qenë zonë e mbrojtur”, – thotë në vijim për Citizens Channel administratori Muceku.

Banorët nga ana tjetër kërkojnë që zonës t’i kthehen burimet ujore, të drejtë të cilën e kërkojnë në rrugë ligjore prej vitesh dhe që tashmë e kanë fituar.

Po, ne kemi pasur një besim që e drejta do të triumfojë një ditë. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, oligarkët shkojnë dhe vijnë, e drejta do të dalë”, – përmbledh Dhimitër Koleci.

Organizatat mjedisore kanë hedhur në gjyq vendimin për rivlerësimin e zonave të mbrojtura, duke argumentuar se ky vendim do të çojë në betonizim të pasurisë kombëtare. Aktivistë të Zall-Gjoçaj shprehen se sytë janë sërish drejt drejtësisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *