Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Lajmëtari i pranverës”, në rrezik zhdukje

Është gëzim i madh! Kur vijnë lejlekët erdhi pranvera, shenja e parë”, – kështu shprehet Kosta Greko nga fshati i Vunoit në Sarandë, i cili prej vitesh “pret dhe përcjell” lejlekët që folezojnë te kambana e kishës që ai kujdeset.

Lejlekët vijnë nga Afrika në Shqipëri në fillim të pranverës dhe largohen në vjeshtë. Ardhja në vendin tonë mund të zgjasë deri në dy mauj. “Vijnë zakonisht nga 15 mars-20 mars. Fillimisht vjen mashkulli. Parapërgatit folenë, bën ndonjë meremetim dhe pas një jave, dhjetë ditë maksimale, vjen femra”.

Ardhja e lejlekëve simbolizon për Kosta Grekon ikjen e dimrit të ftohtë dhe ardhjen e një stine plot prodhime.

Gjë e bukur, të kënaqet shpirti. Thuhet: tani ndryshon koha. Avash-avash çelin pemët. Erdhi pranvera, është mirë. S’ka gjë më të bukur”.

Zogjtë kalisin krahët që të fluturojnë/ Foto: PPNEA

Të njëjtin përjetim ka edhe Mustafa Buçaj nga fshati Çukë. Mustafai tregon se sapo vijnë lejlekët, gjëja e parë që bën është përhapja e lajmit të mirë.

Sa herë vijnë lejlekët, marr në telefon vëllain, Qaninë, i them: Erdhën lejlekët! Edhe ai gëzohet shumë!”, – rrëfen Mustafai. Njejtë si në Vuno, edhe në fshatin Çukë, lejlekët qëndrojnë mbi kambanën e kishës. Mustafai, pasi lajmëron vëllain, lajmin e përcjell te organizatat që merren me ruajtjen e specieve në rrezik në Shqipër.

Lejleku ushqen zogjtë e vegjël/ Foto: PPNEA

Për ne si studiues është shumë e rëndësishme që të marrim informacionin se kur ato vijnë për herë të parë. Ne kemi fatin ta marrim këtë informacion nga banorët lokalë”, – shprehet Vorpsi nga “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA).

Mustafai rrëfen se në fshat ka pasur prej dy vitesh mungesë të çiftit të lejlekut, mungesë të cilën e ka përjetuar shumë. “Se ç’na mungonte një gjë”, – thotë ai. Mustafai ka në zotërim një kioskë të vogël në fshat, me të cilën nxjerr jetesën. “Sikur i kisha klientë këtu në kioskë”.

Lejlekët, lloj i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje

Lejlekët listohen si lloj i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje, shpjegon ornitologia Ledi Selgjekaj nga PPNEA. Në Shqipëri kemi më pak se 10 çifte lejlekësh.

Janë disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e popullatës së këtij lloji; elektroshoku apo përplasjes me shtyllat elektrike, mungesa e habitateve apo e zonave të folezimit, persekutimi apo e gjuetia e paligjshme e llojit”, – thotë për Citizens Channel Selgjekaj.

Mungesa dhe dëmtimi i zonave të folezimit për lejlekët çon në uljen e popullatës.

Kjo ka bërë që PPNEA të ndërtojë platforma artificiale të vendosura në shtyllat elektrike, të përshtatshme për lejlekët “që krijojnë hapësirë për folezimin e lejlekut dhe në të njëjtën kohë informojnë distributorët e energjisë ose banorët lokalë mbi rëndësinë dhe ligjin që e ruan këtë lloj”, – shpjegon Zydjon Vorpsi.

Vendosja e platformave artificiale për folezimin e lejlekëve

Një tjetër nismë që synon forcimin e lidhjes së komunitetit me lejlekët dhe ruajtjen e këtij lloji të rrezikuar në Shqipëri është monitorimi 24 ore përmes kamerave live të vendosura në platformat artificiale, që transmetohen në Youtube.

Këto të dhëna na ndihmojnë edhe ne për të mësuar më shumë për etologjinë apo sjelljen e lejlekut, por gjithashtu shërbejnë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtij lloji në vendin tonë”, – shpjegon Ledi Selgjekaj.

Lejleku cilësohet si një lloj shumë social i cili bashkëjeton në harmoni të plotë me komunitetet. “Marrëdhënia kaq e mirë mes lejlekut dhe njerëzimit ka filluar që në kohë të lashta”, – thekson Selgjekaj.

Familja e lejlekëve gjatë qëndrimit në Shqipëri/ Foto: PPNEA

“Njerëzit në kohë të dikurshme, kur vinte periudha e prerjes së barit apo krijimit të hapësirave të reja, ndihmonte në një farë mënyre dhe për krijimin e zonave për lejlekun, për t’u ushqyer”.

Lidhjen e ngushtë të komunitetit e konfirmon edhe Mustafa Buçaj. “Po edhe burrat e fshatit… ore tha njëri ‘kur pashë lejlekët sikur më erdhën fëmijët në shtëpi’, se i ka në emigrim” .

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *