Citizens.al

Kryeministri Rama ndryshon retorikën ndaj punëtorëve në prag zgjedhjesh

“Ato gratë që i kanë marrë që në vitet ’90 dhe i ka paguar me pagën minimale dhe ju kanë marrë shpirtin të shtunën, të dielën, me tre turne…sot i ka ardhur mosha e pensioneve. Me kë do ti zëvendësojnë?”,-u shpreh Kryeministri Rama sot për sektorin e fasonerive gjatë një takimi me sipërmarrjen.

Ai shkoi më tej duke paralelizuar zëvendësimit e tyre me vajzat (brezin) që përdor rrjetin social Tik-Tok për të treguar se 40 mijë lek nuk mjaftojnë si pagë mujore për to, e kësisoj sistemi duhet ndryshuar.

Ky takim vjen pas njoftimit për rritjen e pagës minimale me 40 mijë lek në sektorin shtetëror dhe atë privat.

Kryeministri Rama i doli në mbrojtje punëtorëve, duke akuzuar sipërmarrësit se “i kanë hapur gropën vetes vit pas viti”, sa i përket luftës për të ruajtur burimet njerëzore.

“Marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara te shfrytëzimi dhe te fitime të padeklaruara shumë më të mëdha se sa të deklaruara të sipërmarrësve, shumë vite”,– u shpreh Rama në fjalën e tij.


Kryeministri ceku një sërë sektorësh sikurse, ndërtimin, fasonerinë, teknologjinë dhe turizmin.

Ombrella e të gjithë fjalës për këta sektorë kishte të bënte me pagat e ulëta dhe kushtet e punëtorëve në secilin sektor.

Sipas tij, punëtorët nuk kanë nevojë vetëm për para për të blerë bukë, por kanë nevojë të ndjehen të respektuar, të motivuar dhe të sigurt për veten dhe familjen.

Në përfundim, Rama u shpreh se “ne sigurisht që do bëjmë edhe si të tjerët, sigurisht që do marrim dhe punonjës të huaj etj. etj, por nuk bëhet shtëpia me miell hua dhe mbi të gjitha ne nuk jemi në kushtet e Gjermanisë. Gjermania nuk ka ku i gjen gjermanët e rinj për të plotësuar gjithë ato nevoja. Ne kemi ku i gjejmë shqiptarët e rinj”.

Nga lavdet për punëtorët e huaj tek “shtëpia nuk mbahet me miell hua” 

Deklarata e sotme e Kryeministrit, duket shumë e ndryshme nga një vit e gjysmë më herët, kur gjatë takimeve me pronarë të fasonerive promovonte marrjen e punëtorëve të huaj.

“Të huaj e bëjnë punën shumë herë më mirë dhe pa llafe” si dhe “kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi jo politika, jo demokracia, jo liria” ishin disa nga qëndrimet e kryeministrit Rama në vizitën në një fasoneri në Shkodër në mars të vitit 2021.

Po atë vit, Kryeministri u krenua se qeveria sapo kaloi ligjin e ri për rekrutimin e punëtorëve të huaj, duke e shkurtuar procedurën në vetëm shtatë ditë.

“Unë e di që kjo është bisedë e rrezikshme për ne se na hidhen në fyt dhe pastaj kur u tregojmë këto thonë se kjo nuk është punë, është skllavëri, është poshtërsi. …7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj dhe po të them me këtë pagë që ke ti e ke të garantuar, kanë filluar të marrin edhe të tjerët,  punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, Indi”,-shprehej kryeministri në 2021-in.

Sipas INSTAT në vitin 2022, popullsia e Shqipërisë ra me 1.3%, ose 36 mijë persona. Ndërsa në Shqipëri edhe punëtorët e huaj janë duke u larguar, duke e përdorur Shqipërinë si një vend tranzit për në vendet evropiane.

Punëtorët kanë nisur të kërkojnë të drejtat e tyre  

Mëngjesin e 4 janarit të 2023 punëtoret e një fasonerie në Bilisht dolën në protestë për largimin nga puna të kryetares së Sindikatës së Punëtoreve të Fasonerisë, Mirjeta Mulla.

Punonjëset pretendonin se kompania “Toni Oli” e shkarkoi Mirjetën pasi ajo kërkoi në emër të punëtoreve ditët e pushimit për festat e fundvitit si dhe kundërshtimin ndaj uljes së pagës për disa gra punëtore.

Por këto probleme nuk janë të vetmet. E drejta e organizimit sindikal, kushtet e punës, lidhja e një kontrate pune, pagesa e raporteve mjekësore, ditëve të festave, kryerja e plotë e lejes vjetore janë të tjera të drejta të mohuara nga fasoneritë.

Pas inspektimit në terren në kompaninë “Toni Oli” në Bilisht Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore renditi 8 shkelje të kompanisë, mes tyre edhe mbajtja e pagës për pesë punëtore në mënyrë të padrejtë.

Në tetor të vitit 2022, punonjësit e call center të kompanisë italiane PARR u organizuan në protesta pas mos pagesës së ditëve të pushimit prej gjashtë vitesh. Ata kërkuan respektimin e Kodit të Punës, duke afirmuar edhe përkatësinë e tyre në një sindikatë sikurse Sindikata kombëtare e Operatorëve telefonikë (SKOT).

Në 2015, kryeministri Edi Rama, i cili përfaqëson një parti të majtë, u bëri thirrje sipërmarrësve italianë të investonin në Shqipëri pasi nuk kishte sindikata.

“Ne nuk kemi senat, nuk kemi sindikata, nuk kemi të majtë radikale dhe nuk kemi komikë në parlament”,-u shpreh Rama.

Mirëpo, vitet e fundit mos përfaqësimi nga sindikatat e vjetra ka sjellë nevojën për krijimin e organizimeve sindikale të reja, me gjithë vështirësive financiare dhe ligjore.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW