Citizens.al

Sindikalistët i përgjigjen Kryeministrit: “Gjuha e urrejtjes nuk ofron zgjidhje”

“Ne nuk mund ti zëvendësojmë dot sindikatat dhe rolin e tyre. Fatkeqësisht sindikatat në Shqipëri janë fantazma. Më vjen shumë keq ta them, por kështu janë”,-u shpreh Kryeministri Rama në një takim të zhvilluar pak ditë më parë në një fasoneri në Kamëz.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Rama artikulon “mungesën e sindikatave” në Shqipëri. Në vitin 2015, në një takim me “konfindustrian” italiane ai i bëri thirrje investitorëve të vijnë në vendin tonë pasi “nuk ka senat, sindikata dhe të majtë radikale”.

Së fundmi, Kryeministri duket se ka përqafuar një qasje më miqësore ndaj punëtorëve, duke akuzuar së pari sipërmarrësit si shfrytëzues dhe fajtorë për emigrimin e forcës punëtore, e së fundmi duke rikthyer një artikulim krejt tjetër për rëndësinë e sindikatave.

Ky ndryshim u prit me shqetësim nga Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë, të cilët përshëndetën këtë qasje të re të Kryeministrit ndaj të drejtave të punëtoreve, por nuk dakordësohen me gjuhën e përdorur ndaj lëvizjes sindikaliste në Shqipëri.

Koalicioni theksoi se goditja e sindikatave në prani të punëtorëve i demoralizon ata për t’u organizuar në formë sindikale në sektorin e fasonerisë.

Sipas Edison Hoxhës, përfaqësues i Qendrës për të Drejtat në Punë (CLR), pavarësisht rezervave dhe shkallës së ulët të sindikalizmit në Shqipëri, zgjidhja nuk vjen duke filluar nga viti zero dhe duke mohuar gjithçka.

Edison Hoxha, CLR

Vitet e fundit janë shënuar përpjekje për të fuqizuar strukturat sindikale në disa prej sektorëve kyç të ekonomisë, punë e cila po vazhdon ditë pas dite”,– u shpreh Hoxha për Citizens Channel.

Koalicioni për të Drejtat në Punë shprehet kundër zgjidhjes së ofruar nga Kryeministri Rama, përmes ‘kontraktimit me punëdhënësin” për të drejtat në punë.

“Një qasje totalisht e gabuar, e cila inkurajon zgjidhje të paplotë, përmes eliminimit të instrumenteve demokratikë të parashikuar në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar të ratifikuar nga Shqipëria, siç janë sindikatat, të cilat punojnë për të mbrojtur dhe promovuar interesat e anëtarëve të saj në vendin e punës dhe dialogu social”,-thuhet në deklaratën e Koalicionit.

Sipas Edison Hoxhës qëndrimi i Kryeministrit lë mënjanë një pjesë të përgjegjësisë: “Duhet të ndihemi të shqetësuar për çfarë ndodh në të vërtetë në vendin e punës, me presionin e vazhdueshëm për të penguar organizimin e punëtorëve, në dhunimin e pothuajse të përditshëm të të drejtave në punë, si ne kompanitë private por edhe në institucionet publike”,-u shpreh Edison Hoxha, i cili shton se qeveria e gjuha e urrejtjes ndaj sindikatave, nuk ofron zgjidhje, por pengesa.

“A ekzistojnë sindikatat fantazmë?”

Genti Stroni, përfaqësues i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, krijuar në vitin 2019, pranon se ekzistojnë sindikatat fantazmë.

“Janë pikërisht ato sindikata, të cilat trashëguan nga regjimi i vjetër një pjesë të mirë të ekonomisë së bashkimeve profesionale ku hyjnë qysh nga kampet e punëtorëve, shtëpitë e pushimit etj. Dhe të qenurit kaq të pasur, këto sindikata nuk e kanë pasur asnjëherë as mendjen as nevojën, as për pjesën finaciare dhe as për ti qendruar pranë punonjësve të ndryshëm”, -tha Genti Stroni.

Genti Stroni, Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor
Foto: Top Channel

Mirëpo Stroni thekson se Kryeministri duhet të bëjë diferencimin mes sindikatave të vjetra dhe atyre që po krijohen së fundmi.

“Nuk ka arsye pse këto lloj sindikatash të reja që po formohen, të mbartin mëkatet e atyre sindikatave të formuara pinjoll të qeverive të ndryshme dhe që bëjnë në interesat e qeverive, por bëjnë ato që s’duhet të bëjnë, thjesht marrin fonde dhe lulëzojnë ose ngelin në mënyrë të tillë deri sa ata të ndërrojnë postet”,-argumenton Stroni.

Sipas Stronit, mos përfaqësimi i punëtorëve nga sindikatat ekzistuese bëri që në shumë sektorë në Shqipëri prej vitit 2019 të lindnin grupime të reja sindikaliste, mes tyre edhe Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor.

“Veçanërisht gjatë kohës së para-pandemisë ne lobuam për ndryshimin e ligjit për goditjen e mjekëve dhe të infermierëve në detyrë. Dhe nga një gjobë që ishte kaloi në tre vite burg heqje lirie. Ky ka qenë aksioni i parë që ne u grumbulluam dhe filluam të ekzistonim”,-shprehet Stroni.

“Terreni i vështirë pengon lindjen dhe qendrueshmërinë e sindikatave të reja” 

“Qasja e re e Kryeministrit tregon se ai tashme e ka pranuar atë qe ne e kemi thënë në krye të herës që zgjidhja nuk vjen dhe s’ka për të ardhur nga punonjësit nga Bangladeshi”, u shpreh Edison Hoxha nga CRL.

Mirëpo, angazhimi sindikal kërkon mbështetje në burime, të cilat mbeten sfidë për sindikatat e krijuara rishtazi.

“Vullnetarizmi mbaron deri në njëfarë mase sepse nuk mundet tashmë që cdo gjë të bëhet në aspektin vullnetar”,-argumenton Genti Stroni, i cili shton se financat e brishta e pengojnë rritjen e sindikatave të reja. Ai shprehet se tanimë po kthehen në konsolidimin e anëtarësimit me qëllim që të kenë dhe fonde nga anëtarësimi.

Situata është e njëjtë edhe për sindikatat në sektorin e call center-it, të krijuara së fundmi në periudhën e pandemisë.

Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë (SKOT) e krijuar po ashtu në vitin 2019 shprehet se mbetet e brishtë në aspektin financiar dhe zgjidhja e vetme ka qenë ndihma e kërkuar nga organizatat e shoqërisë civile.

“Kemi gjetur mbështetje te Qendra për të Drejtat në Punë dhe Qendra për Fuqizimin Ligjor. Këto na kanë ndihmuar me avokatë, por dhe këto na ndihmojnë deri në njëfarë pike se edhe vetë kanë financa të kufizuara. Çështjet janë goxha voluminoze dhe nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti”,-shprehet Ilir Xhemalaj, kreu i sindikatës.

Po ashtu SKOT është duke ndjekur në gjykatë dy procese kolektive dhe një mori çështjesh individuale. Gjykata është adresimi i fundit sipas tyre, pas ankesave pranë Inspektoratit të Punës dhe Komisionerit kundër Diskriminimit.

“Kemi 3 vjet me një proces dhe jemi ende në seancat fillestare. Edhe në qoftë se marrin vendim, këto janë kompani shumë të fuqishme dhe vënë përballë studio ligjore jashtëzakonisht shumë të fuqishme”,-përfundon Xhemalaj.

Lexo më shumë për sindikalizmin në Shqipëri: Analizë: “Rizgjimi i vështirë i sindikalizmit shqiptar”

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW