Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Avokati i Popullit: Gjatë 2022 institucionet shkelën të drejtat e njeriut dhe u sulmuan protestuesit

Raporti i fundit i publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit në Kuvend, kritikon dhe sjell në vëmendje një serë praktikash ligjore që cenuan dhe kufizuan të drejtat e njeriut gjatë vitit 2022. Konkretisht, Avokati i Popullit sjell në vëmendje ndikimin e reformës në drejtësi, trajtimin çnjerëzor nga policia, të drejtën e tubimit, lirinë e medias si dhe ndikimi i këtyre praktikave në komunitetet vulnerabël në Shqipëri.

Sistemi gjyqësor

Raporti nga Avokati i popullit nxjerr në pah se sistemi gjyqësor në të gjitha nivelet ka vijuar të funksionojë me vështirësi.

Efektet e reformës në drejtësi kanë rritur volumin e punës në sistem për shkak të mungesave dhe largimeve të një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe moszëvendësimit të tyre me të rinj”, – shkruhet në raport.

Një tjetër kritikë ndaj reformës në drejtësi është dhe propozimi i hartës gjyqësore. Prej këtij muaji, dhjetë gjykata të rretheve u mbyllën. Harta e re gjyqësore ul në vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë (nga 6 ekzistuese). Këto dy gjykata do të jenë në Tiranë dhe në Lushnjë. Harta po ashtu parashikon pasjen e vetëm një Gjykate Apeli, e pozicionuar në Tiranë.

Avokati i Popullit vlerësoi se ky propozim nuk e përmirëson aksesin në drejtësi për qytetarët e kategoritë vulnerabël, ndaj u rekomandoi organeve rishikimin e hartës së re gjyqësore, rekomandime të cilat nuk u pranuan”, – shkruhet në raport.

Sipas këtij raporti, qytetarët, veçanërisht ata që i përkasin grupimeve të margjinalizuara, do të kenë kosto to shtuar në ndjekjen e proceseve gjyqësore.

Parandalimi i dhunës dhe torturës

Avokati i Popullit sjell në vëmendje rastin e bërë publik disa mua më parë, që u pasua me shoqërimin e shtetasit G.Sh i cili sulmoi fizikisht ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një tubimi. Pamjet filmike të të riut të shoqëruar tregojnë se ai teksa merrte shërbime në Spitalin e Traumës, ishte i prangosur.

Nga analizimi i kuadrit ligjor nё fuqi, konstatuam se procedura e mbajtjes tё prangosur tё personave tё arrestuar apo ndaluar nga Policia e Shtetit nё kushte spitalore, nuk është e bazuar në aktet normative në fuqi”, – thuhet në raport.

E drejta e protestës

Institucioni i Avokatit të Popullit pohon se ka monitoruar nga afër protestat e zhvilluara në disa qytete të vendit gjatë muajit mars 2022 kundër rritjes së çmimeve.

Në media janë shfaqur pamje të personave të veshur civilë, të cilët kanë kufizuar fizikisht protestues dhe më pas i kanë dorëzuar ata tek punonjës të policisë të veshur me uniformë për t’i shoqëruar në mjediset e policisë, shkruhet në raport. Avokati i Popullit ka nisur një hetim mbi ligjshmërinë e personave civilë për të arrestuar qytetarë ku u arrit në përfundimin se legjislacioni aktual nuk vendos kufizime për punonjësit e policisë të veshur civilë, në rast se ka dyshime për kryerje të veprave penale.

Evidentuam se këta punonjës gjatë kapjes dhe shoqërimit të shtetasve nuk mbanin në mënyrë të dukshme dokumentin e identifikimit, siç parashikohet në Rregulloren e Policisë së Shtetit dhe në përputhje me praktikën e GJEDNJ”, – thuhet në raport.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Avokati i Popullit është ngarkimi i një numri të madh veprash penale ndaj protestuesve, “me qëllim për të justifikuar arrestimet e kryera dhe intimiduar qytetarët që të mos marrin pjesë në tubime, për të shprehur pakënaqësitë e për të kërkuar të drejtat e tyre”.

Krahas qytetarëve, gazetarët janë po ashtu të penguar nga forcat e policisë për të ushtruar detyrën e tyre, thuhet në raport.

Punonjësit e medias janë përballur me vështirësi të ndryshme, dhunuar fizikisht e psikologjikisht si dhe penguar në ushtrimin e saj nga subjekte të ndryshme private dhe shtetërore”.

E drejta e pronës dhe e strehimit

Raporti i dorëzuar në Kuvend nga Avokati i popullit nënvijëzon se sa i përket të drejtës së pronës dhe dëmshpërblimet, situata vijon të mos ketë ndryshim.

Ligji 133/2015 parashikonte se afati i kryerjes së pagesës ndaj personave që kanë fituar me vendim të formës së prerë të drejtën e kompensimit, duhej të përfundonte brenda dhjetë viteve nga momenti i hyrjes në fuqi i këtij ligji.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, deri në vitin 2025 duhet të dëmshpërbleheshin afro 26.100 qytetarë, por aktualisht janë dëmshpërblyer në total vetëm 400 prej tyre.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Avokati i Popullit është dëmshpërblimi i familjeve që janë prekur nga procesi i shpronësimit në favor të rindërtimit si dhe të familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti.

Në kërkesat tona kemi kërkuar vazhdimisht informacion lidhur me kohëzgjatjen e procesit administrativ, transparencë, fazën në të cilën gjenden, aktet administrative të nxjerra”, – shkruhet në raport, ku theksohet se “përgjigjet e marra nuk kanë qenë ezauruese si dhe në disa raste kemi konstatuar një qëndrim jo transparent nga institucionet”.

Të drejtat e komuniteteve vulnerabël

LGBTIQ+

Avokati i Popullit konstaton se Shqipëria është ende shumë larg përfshirjes së plotë të personave LGBTIQ, të cilët vazhdojnë të përballen me diskriminim, stigmatizim, gjuhë urrejtjeje dhe madje edhe dhunë fizike.

Më tej, Avokati i Popullit konstatoi se gjuha e urrejtjes është shtuar, sidomos dy vitet e fundit në mediat dhe platformat online.

Minoritetet etnike

Raporti nënvijëzon se minoritetet rome dhe egjiptiane vazhdojnë të hasen me sfida që lidhen me nevojën për: (i) përmirësimin e kushteve të jetesës; (ii) përmirësimin e dispozitave ligjore që sigurojnë akses të familjeve Rome dhe Egjiptiane në sistemin e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale; (iii) stimulimin për pjesëmarrje dhe standarde gjithëpërfshirëse në procesin mësimor edukativ të fëmijëve dhe të të rinjve Rom dhe Egjiptianë, (iv) ecurinë e procesit të legalizimit për banesat e familjeve Rome dhe Egjiptiane, etj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *