Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Një aktiviste në Këshillin Bashkiak, Lëvizja Bashkë rrit shpresat për të majtën e re

Në orët e fundit të mbylljes së procesit të numërimit, një pjesë e aktivistëve të Lëvizjes Bashkë, po prisnin rezultatin të mbledhur në Logun e Shkëndijës, të kthyer tashmë në selinë e kësaj lëvizjeje.

“Kemi pritur çdo votë me ekranin përballë, mbajmë mend votën e parë që erdhi nga njësia dy, ishim të emocionuar”, thotë Viki Çipi.

Prej tre ditësh aktivistët e Lëvizjes Bashkë kanë vëzhguar procesin e numërimit në çdo KZAZ deri në orët e para të mëngjesit.

Aktivistët e Lëvizjes Bashkë në Logun e Shkëndijes duke kalkuluar votat/ Foto: Arbjona Çibuku

Ata shprehen se procesi ka qenë i lodhshëm, por entuziazmi i ka mbajtur deri në orën e fundit.

“Aty beson se e pamundura bëhet e mundur dhe këtë e vërtetojnë votat e Arlindit dhe fitorja e Mirelës për këshillin bashkiak. Ato vota janë dhënë nga njerëz që besojnë te ne, janë mbrojtur deri në kutine e fundit nga aktivistët dhe jam e sigurt që Mirela do të jetë zëri i të gjithëve ne”, thotë Geraldina Mançka, aktiviste e Lëvizjes Bashkë.

Lëvizja Bashkë kandidoi për herë të parë në zgjedhjet vendore të 2023, me Arlind Qorin si kandidat për kryetar bashkie dhe një listë prej 62 kandidatësh për këshill bashkiak.

Biçikletat e përdorura si billboard gjatë fushatës për kandidimin e Arlind Qorit/ Foto: Arbjona Çibuku

Arlind Qori mori 13 851 vota duke dalë i treti në garë, ai la pas kandidatin e Partisë Demokratike, Roland Bejko.Si subjekt zgjedhor, Lëvizja Bashkë mblodhi 7538 vota, që i siguruan një vend në këshillin bashkiak të Tiranës.

Aktivisti i Lëvizjes Bashkë Fjoralb Nezha shprehet se rezultati ishte deri diku surprizë për të.

Fjoralb Nezha, aktivist Lëvizja Bashkë/ Foto: Arbjona Çibuku

“Rezultati ishte surprizë deri diku duke menduar edhe vështirësitë që kemi kaluar që me krijimin e partisë e me pengesat që hasëm nga KQZ, mendoj se Lëvizja Bashkë ka bërë një hap të madh në sistemet partiake duke dal edhe forcë e tretë e duke lënë pas një parti historike si PD. Fakti që kemi hyrë në këshill është gjëja më pozitive përpos 13 851 votave që kemi marrë për kryetar”, thotë Nezha për Citizens Channel.

Mirela Ruko, një aktiviste në Këshillin Bashkiak të Tiranës

Kryesuesja e listës së Lëvizjes Bashkë për Këshillin Bashkiak është Mirela Ruko, gjithashtu sekretare organizative e lëvizjes. Ajo është 29 vjeç dhe ka lindur në Strum të Fierit, pas përfundimit të gjimnazit është zhvendosur në Tiranë ku ka përfunduar studimet për Sociologji në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Prej 9 vitesh ajo ka qenë pjesë e Organizatës Politike dikur, tashmë Lëvizja Bashkë. Mirela është një nga figurat e njohura të Lëvizjes Bashkë, pjesëmarrëse në shumë protesta, organizime punëtorësh e aksione të ndryshme.

Mirela Ruko, sekretare organizative e Lëvizjes Bashkë dhe antare e Këshillit Bashkiak/Foto: Arbjona Çibuku

Shumëkush e mban mend Mirelën për aksionin e guximshëm kundër ministres së arsimit Lindita Nikolla në vitin 2016. Si aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, Mirela njollosi me salcë ministren Nikolla si kundërshtim ndaj ligjit për Arsimin e Lartë, të cilin LPU e ka kundërshtuar prej vitesh.

Ulur në atë që dikur ka qenë dhoma e leximit në Logun e Shkëndijës, e sot është kthyer në një zyrë për organizimin e fushatës, Mirela ndan historikun e saj dhe bashkimin me Lëvizjen Bashkë, që nga Universiteti në Rrezik, Lëvizja për Universitetin, Organizata Politike e deri tek zgjedhja e saj si sekretare organizative e lëvizjes.

Mirela rrëfen se për herë të parë është bashkuar me Organizatën Politike në shkurt të 2014, kur asokohe ata protestonin kundër rritjes së çmimit të biletës për transportin publik.

Mirela Ruko duke protestuar në vitin 2016, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit Lindita Nikolla

“Kemi bërë disa protesta dhe aty ishte momenti që unë u njoha me grupimin dhe Logun e Shkëndijes që ishte qendra ku mblidheshin aktivistët e Organizatës Politike. Ajo që ata kërkonin mu duk e drejtë dhe prandaj u bashkova”, rrëfen Mirela momentin e parë të bashkimit me lëvizjen.

Mirela tregon se e njihte grupimin prej kohësh, që prej pjesëmarrjes në protestat kundër armëve kimike.

Aktivistë të Organiztës Politike duke përgatitur pankarta në Logun e Shkëndijes

Ajo rrëfen se para se të niste studimet, ka pasur një lloj antipatie ndaj partive politike, por ende nuk e kishte krijuar një vetëdijesim politik dhe të kuptonte se ku përkiste ajo.

“Ajo që kuptoja ishte se diçka nuk shkonte, unë vij nga një familje ku nuk kemi pasur mundësi ekonomike, për mua çdo gjë ka qenë sakrificë, arsimi, jetesa kanë qenë sakrificë, e në këtë kuptim unë e kam jetuar padrejtësinë, por nuk i jepja dot shpjegim”, thotë Mirela teksa shton se partitë politike nuk e kishin tërhequr asnjëherë, sepse nuk i pëlqente qasja që ato kishin.

Por të jetuarit në Tiranë për Mirelën ka qenë sfidë, sikurse ajo shprehet ishte e pamundur që ajo mos të vepronte politikisht. Vështirësitë ekonomike që ajo ka pasur e kanë detyruar  të punojë herët gjatë kohës së studimeve dhe përballja me këtë jetë të re në kryeqytet, e ka formësuar Mirelën edhe politikisht.

Antipatia ndaj partive nuk e ndaloi që ajo të përfshihej politikisht, por në një formë tjetër, në atë të aktivizmit të rrugës e të organizimit.

“Ju bashkova këtij grupimi të rinjsh që besonin për një të ardhme më të mirë, që donin të luftonin kundër padrejtësive, që donin Arsim Publik Falas, shëndetësi falas, të drejta në punë. E duke parë për çfarë ata luftonin mendova se çdokush duhet me qenë politik sot, kur padrejtësia është kaq e prekshme, të qenurit politik kthehet në detyrë”, sqaron Mirela mbi momentin kur ajo fitoi vetëdijesimin politik.

Mirela Ruko gjatë fushatës për Kartën Sociale

Së pari, ajo thotë se ka nisur me arsimin, angazhimi i saj i parë për të ndryshuar diçka në shoqëri ka qenë arsimi, pasi kjo e prekte dhe atë drejtpërdrejtë si studente. Më pas si aktiviste e organizatës ajo është angazhuar tek çështja punëtore ku është marrë me organizimin e punëtorëve në sindikata.

“Ka nisur pra si nevojë për të ndryshuar kushtet e tua por pastaj vetëdijesohesh dhe kupton nevojën se kushtet duhet të ndryshojnë jo vetëm për njërin nga ne por për të gjithë shoqërinë”, shprehet Mirela.

Sot Mirela Ruko është zyrtarisht anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës pas zgjedhjeve të 14 majit. Prej protestave në rrugë, aksioneve të ndryshme, dhunës në protesta, arrestimeve në komisariat, Lëvizja Bashkë përmes Mirela Rukos po futet për herë të parë në një institucion zyrtar, që është Bashkia Tiranë.

Mirela ka marrë përsipër në emër të Lëvizjes Bashkë të përfaqësoj në këshillin bashkiak, zërin e qytetarëve që i besuan votën këtij subjekti, por dhe shumë të tjerëve që nuk arrijnë të përfaqësohen në këshill.

“Ndonjë emocion personal nuk kam, por më vjen mirë që në kandidimin e parë Lëvizja Bashkë ka marrë një rezultat të mirë, duke fituar minimalisht nëj vend në këshill, dhe kemi fituar një mbështetje të madhe nga qytetarët. Tani ajo që kemi në dorë të bëjmë është të çojmë përpara programin tonë dhe të ngrejmë zërin për çdo padrejtësi që do të bëhet në këshill, zëri im do jetë zëri i qytetarëve të Tiranës, i aktivistëve të Lëvizjes Bashkë, dhe i çdokujt që nuk mund të dëgjohet”, thotë Mirela sa i përket ndjesive që ka për zyrtarizmin e kandidimit të saj në këshill bashkiak.

Zëri i Mirelës në këshillin bashkiak 

Pjesëmarrja në këshill do të transformojë edhe punën e Lëvizjes Bashkë. Ajo thotë se puna në këshill do të shoqërohet edhe me një strategji dhe një modifikim të punës së përditshme që ata bëjnë.

“Puna në këshill është punë që kërkon një kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, ashti sikurse e mendojmë ne. Kjo është e vetmja mënyrë që të jesh koherent me qëndrimet e tua”, thotë Mirela.

Ajo thotë se ka përpara një rrugë të vështirë, pasi ka në dorë vetëm një votë, teksa në këshill bashkiak Partia Socialiste ka 34 mandate, koalicioni Bashkë Fitojmë ka 15, Partia Social Demokrate ka 3 mandate, Partia Demokratike ka 4, PR, LZHK, PDIU dhe Nisma Thurje kanë nga 1 mandat.

“Të gjitha propozimet që kemi në program do mundohemi që me anë të pranisë sime në këshill t’i dërgojmë përpara, pastaj ata që janë aty për mendimin tim nuk janë në shërbim të popullit do na e vështirësojnë punën, por ne do të përdorim mjete të tjera, si mobilizimet. Por qoftë edhe informimi i publikut, të bërit transparencë se çfarë ndodh aty brenda është një hap i madh përpara”, shprehet Mirela.

Fletushka të vendosura në tabelë në një prej zyrave në Logun e Shkëndijes/Foto: Arbjona Çibuku

Ajo thotë se çdo padrejtësi që ajo do të konstatojë në këshill do të shërbej si pika për mobilizim për Lëvizjen Bashkë, për të mos e lejuar që të kalojnë nën heshtje.

Pikat kryesore të programit të Lëvizjes Bashkë për qytetin e Tiranës janë, urbanistika, strehimi, transporti, uji, arsimi, ndotja, grupet e margjinalizuara dhe barazia gjinore.

“Ne do të advokojmë për të çuar përpara këto pika, por nga ana tjetër është e rëndësishme edhe kundërshtimi i vendimeve të padrejta që rëndojnë në jetën e qytetarëve të Tiranës”, thotë Mirela.

Sa i përket planit urbanistik, Lëvizja Bashkë ka kundërshtuar modelin zhvillimor të Partisë Socialiste, i cili ka qenë densifikimi sa i madh i qendrës urbane. Bashkë ka sugjeruar hartimin e një plani të ri urbanistik me zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithashtu ndalimin e lejeve të ndërtimit brenda zonën historike të qytetit.

Strehimi po ashtu ka qenë një pikë e rëndësishme e programit. Lëvizja BASHKË e konsideron strehimin një të drejtë sociale themelore, të cilën duhet ta gëzojë çdo njeri, pavarësisht mundësive ekonomike dhe kapacitetit për të paguar. Prandaj ata kanë sugjeruar taksim progresiv të apartamenteve të dyta, të treta, të katërta e me radhë, “duke i nxitur pronarët e tyre t’i fusin apartamentet në tregun e banesave dhe siguruar kësisoj uljen e çmimit të tyre”.

Raft me libra dhe megafonë në Logun e Shkëndijes/ Foto: Arbjona Çibuku

Taksimi i veçantë të apartamenteve bosh, duke nxitur kësisoj futjen e tyre në treg, rritjen e ofertës së apartamenteve dhe uljen e çmimeve të tyre.

Këto janë disa nga pikat e programit, të cilat Mirela do përpiqet t’i ngrejë si çështje në këshill bashkiak.

Aktivizmi politik për gratë dhe vajzat një sfidë më shumë

Të qenurit grua në aktivizmin e saj politik, Mirela e ka parë edhe si sfidë por në të njëjtën kohë shprehet se e ka fuqizuar edhe me tepër. Ajo e sheh angazhimin politik të vajzave dhe grave tepër të rëndësishëm, por shton se vajzat dhe gratë mund të merren me politikë edhe përtej çështjeve gjinore.

“Ne shohim gratë në politikë në parlament, që përdoren si kuota gjinore dhe që dalin të flasin vetëm tek forumi i grave apo i jepet zë gjatë muajit tetor. Unë dhe aktivistët e Lëvizjes Bashkë mendojmë se ky lloj modeli duhet përmbysur, të qenurit grua apo vajzë në politikë nuk do të thotë që mund të merresh vetëm me çështje gjinore. Për shembull për ne lufta për barazi gjinore është në vëmendjen e të gjithëve dhe jo vetëm të grave e vajzave në lëvizje”, shprehet Mirela teksa e pyesim se si e sheh faktin që lëvizja është duke dërguar një vajzë në Këshill Bashkiak.

Mirela Ruko me gratë punëtore të fasonerive në Bilisht gjatë protestës përballë kompanisë

Po ashtu ajo shprehet se gjen frymëzim tek aktivistet e tjera të lëvizjes. Ajo kujton në 2011 një nga protestat e organizatës asokohe, ku kishte dëgjuar për herë të parë një vajzë duke thirrur me megafon. “Ishte frymëzuese”, thotë Mirela.

Në këtë kuptim Mirela mendon se modeli që Lëvizja Bashkë ka, duhet të transmetohet edhe në shoqëri por edhe në politik bërje. Ajo shprehet se gratë në politike kanë një zë shumë të dobët për shkak të strukturës që kanë partitë por edhe të një kompromisi të brendshëm që ato kanë bërë.

Sakaq, Mirela shprehet se barazia gjinore është një nga pikat kryesore të Lëvizjes Bashkë, si në programin për Tiranën por edhe në manifestin e Lëvizjes.

“Ne besojmë te barazia gjinore dhe luftojmë kundër çdo akti dhune, kërcënimi, nënçmimi e poshtërimi të gruas në shtet, shoqëri e familje”, thuhet në manifestin e Lëvizjes Bashkë.

“E majta e re”, çfarë synon Lëvizja Bashkë

Lëvizja Bashkë identifikohet si një parti e majtë, socialdemokrate. Bashkë ka tre kauza kryesore, për të cilat ka luftuar dhe synon ti çojë përpara: kauzën punëtore, ngritjen e sindikatave, kauzën studentore dhe kauzat sociale.

Shqipëria ka në qeveri Partinë Socialiste, e cila në zgjedhjet e fundit vendore fitoi 54 bashki të vendit.

Aktivistët e Lëvizjes Bashkë mendojnë se Partia Socialiste nuk ka të bëjë me të majtën dhe atë që ajo përfaqëson. Sipas tyre partitë e vjetra nuk kanë një bosht politik, por janë parti klienteliste që qëllimin e tyre kryesor kanë fitimin.

“Ka një ndryshim thelbësor në atë që PS përfaqëson dhe atë që përfaqësojmë ne. Në një vend ku qeveris një forcë e majtë, nuk mund të jetë populli ai që vuan dhe në Shqipëri vuan populli. Në një vend ku qeveris një forcë e majtë nuk mund të ketë shërbime publike me PPP. Qartazi në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me një qeverisje të majtë”, thotë Mirela teksa shton e vetmja gjë që ka Partia Socialiste të majtë është emri.

Mbi rezultatin e zgjedhjeve në rang kombëtar ajo e vendos gishtin tek mungesa e opozitës dhe drejtimi i saj nga figura të vjetra e të korruptuara. Por në fund të kësaj ajo sheh shpresë tek votuesit e Lëvizjes Bashkë.

Poster i vendosur ne murin e Logut te Shkendijes/ Foto: Arbjona Çibuku

“Ajo që unë e shoh tepër të rëndësishme në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht fitores së thellë të Partisë Socialiste që vjen si pasojë e mungesës së një opozite në vend dhe mekanizmave që pushteti ka në dorë, si kapja e administratës etj, mendoj që votat që ne kemi marrë si subjekt kanë krijuar një frymë të re që këtu mund të ketë ndryshim”, shprehet Mirela mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Më tej shprehet se këto zgjedhje i kanë bërë të kuptojnë se tanimë janë në një fazë tjetër të organizmit shoqëror. “Shoqëria ka vendosur të lëviz përpara për mendimin tim. Vota e 14 mijë qytetarëve nuk është thjesht mbështetje por është veprim”, thotë Mirela.

Lëvizja Bashkë ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentarë të vitit 2025.

“Prej 12 vitesh ne kemi qenë në rrugë, në sheshe, kemi organizuar studentë, punëtor, kemi ndërmarrë nisma ligjore si minimumi jetik, ne vendosëm të ktheheshim në parti pasi mendojmë se thjesht konstatimi i problemeve nuk mjafton por mendojmë se ka ardhur momenti për të ndërmarrë veprime. Për të kaluar një ligj ne kemi nevojë për vota në parlament”, shprehet Mirela.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *