Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Familja që humbi tre fëmijë nuk arriti të provojë në gjykatë ndotjen e Patos Marinzës

Dallandryshe dhe Leonard Poshnjari jetojnë pak metra larg një impiant të trajtimit të gazit në zonën e Patos Marinzës. Në vitin 2015, ata u zhvendosën nga banesa, pasi një marrëveshje me kompaninë “Bankers Petroleum”, e cila instaloi një impiant për kapjen e gazit pranë ambienteve ku ata banojnë.

Familja u kompensuar për 6 muaj, kohë kur kompania instaloi dhe testoi pajisjet për impiantin e gazit VRU. Pas rikthimit në banesë, ata tregojnë se jetesa e tyre u përkeqësua ndjeshëm.

Dallandyshja ka pësuar tre aborte, për të cilat akuzon ndotjen e lartë të ajrit dhe të ujit në zonë, ndërsa bashkëshorti i saj vuan nga infeksionet dhe problemet e zemrës.

Ata vendosën të ngrenë një padi ndaj kompanisë  “Bankers Petrolium“ në vitin 2021, duke pretenduar se impianti dhe puset e hapura pranë banesës së tyre e kanë bërë zonën të pajetueshme.

“Kur janë bërë shtëpitë këtu të gjitha, këta s’kanë qenë fare këtu, kanë ardhur kanë bërë 20 puse këtu”, – tregon Leonard Poshnjari.

Më 27 mars 2023 Gjykata e Fierit e rrëzoi padinë e çiftit Poshnjari, të cilët nuk arritën të provojnë dëmin shëndetësor dhe psikologjik të shkaktuar nga ndotja dhe zhurmat.

“Ka shumë nëna që vuajnë si puna ime por që jo të gjitha e kanë pasur ndoshta mundësinë, ndoshta nuk kanë dashur, ndoshta nuk e di, jo të gjitha e kanë denoncuar faktin por që po ka shumë”, – tregon Dallandryshja.

Në përfundim të procesit, Gjykata e Fierit doli në përfundimin se parametrat e ndotjes në këtë zonë rezultuan brenda kufijve të lejuar në aktet ligjore si dhe gjendja shëndetësore e paditësve apo ndërprerja e shtatzënive të Dallandyshe Poshnjarit nuk janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të palës paditëse.

“Ndotja mjedisore vetë monitorohet në mirëbesim”

Agjencia Kombëtare e Mjedisit i konfirmoi Citizens Channel se kompanitë naftë nxjerrëse dorëzojnë raporte vetë monitoruese çdo tre muaj. Institucioni deklaron se ky monitorim nuk mund të kryhet nga vetë AKM – ja për arsye të vetë legjislacionit dhe mungesës së buxhetit.

“Në momentin që subjektet dorëzojnë raportin e vetë monitorimit dhe analizat janë të kryera nga këto studio të akredituara Agjencia e merr të mirëqenë raportin që është brenda komformitetit. dhe rregullave të saj”, – thekson për Citizens Channel Enkeleda Shkurta, nga Sektori i Informacionit dhe Regjistrave Mjedisorë në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Enkeleda Shkurta, Agjencia Kombëtare e Mjedisit

Enkeleda Shkurta shton se deri në këto momente AKM – ja nuk e ka të lejuar të bëjë analiza me të tretët, por bën monitorim vetëm për cilësinë e mjedisit dhe gjendjes së mjedisit urban në total dhe jo për ndotjen industriale që vijnë nga kompani që ushtrojnë aktivitete të ndryshme.

“Dyer të mbyllura për median dhe qytetarët”

Pamje jashte nga zyrat qendrore te Bankers, Fier

Citizens Channel së bashku me Dallandyshe Poshnjarin iu drejtuan zyrës së ankesave të “Bankers Petrolium“ në Marinëz. Përfaqësuesit e kompanisë deklaruan se nuk mund të na presë, askush pasi ankesat shqyrtohen vetëm në zyrën qendrore në Fier.

Nisur nga kjo përgjigje, iu drejtuam zyrës qendrore në Fier, ku sërish askush nuk na priti për të folur mbi rastin e Dallandyshes por deklaruan se duhet të rikthehemi në zyrën e Marinzës pasi aty duhet ët na kishin pritur.

Pas ping pongut të kalimit të përgjegjësive mbi trajtimin e problematikave shëndetësore të qytetarëve nuk mundëm të takonim askënd përgjegjës për të trajtuar rastin në fjalë.

“Mendova se drejtësia shqiptare do vepronte ashtu siç duhej. Sa më ka kushtuar? Më ka kushtuar shumë po, shumë edhe nga ana psikologjike, edhe nga ana shpirtërore, nga ana financiare”, – përfundon Dallandyshe Poshnjari.

Edhe pse Gjykata ka vendosur rrëzimin e padisë familja Poshnjari do ta ndjek çështjen edhe në Gjykatën e Apelit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *