Një projektvendimi i Këshillit të Ministrave, i cili pritet të firmoset nga kryeministri Edi Rama parashikon shkrirjen e Aademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Sipas dokumentit qeveria do të mbylljë veprimtarinë e akademisë, duke transferuar të gjitha funksionet tek Akademia e Shkencave, e drejtuar nga Skënder Gjinushi. Projektvendimi u bë publik për mediat vetëm dje, edhe pse s’ka asnjë datë për të kuptuar se kur është hartuar.
“ Ne nuk kemi një njoftim as nga minsitria as nga institucione të tjera, për ne merren vendimet diku ku nuk jemi pjesë. I zoti nuk di gjë e tjetër kund bëhet dasma” – tha sot Luan Përzhita, rektori i ASA.
Projektvendimi parashikon që njësitë kryesore ekzistuese si Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve edhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë ASA të riorganizohen si njësi të kërkimit të studimit pranë Akademisë së Shkencave brenda 31 dhjetor 2023.
“ Jemi në procedurë, akti kryer ndodh vetëm kur kryeministri firmos. Ne mendojmë që nuk ka humbur ende aryseja ” – shtoi rektori Përzhita.
Përzhita thekson se ndryshe është trajtuar qasja karshi albanologjisë në ligjin e arsimit në 2018 të miratuar nga ish-ministria e asaj kohe Lindita Nikolla i cila njohu statusin si institucioni kërkimor shkencor dhe ndryshe po trajtohet ky institucion sot.
“ Unë mendoj që ka një tjetër tendencë që nuk e di kujt i shërben” – pohon ai.
Sipas projektvendimit të gjitha asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në administrim të ASA do të kalojnë në administrim të Akademisë së Shkencave e cila ka detyrim ti ruajë dhe ti mirëmbajë këto pasuri.
Përzhita paralajmëron se do të të ndjekin hapat ligjore dhe nëse këto vendime janë brenda kuadrit ligjor.
“Pas kësaj nuk do të ketë më kërkim albanologjik në Republikën e Shqipërisë” – përfundon Përzhita.
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike kundërshton projektvendimin
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike ka renditur një sërë arsyesh pse kundërshtojnë projektvendmin e propozuar. Arsyet listohen si më poshtë:
- Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s.
- Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.
- Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.
- Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.
- Ndërpret karrierën e afro 100 studiueve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.
- Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.
- Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.
- Ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj.
Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në mars të vitit 2008 në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.