Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Miliona euro nga buxheti i shtetit për keq menaxhimin e spektrit të frekuencave 700 MHz

Autor: Elvin Luku* | Citizens Channel | Tiranë

Lirimi i brezit të frekuencave 700 MHz DD2 nga operatorët televiziv, i cili do të përdoret për teknologjinë 5G, do ti kushtojë shtetit shqiptar një tjetër faturë që varion nga 4.5 deri në 5 milion euro. Fondet do të lëvrohen në formën e kompensimit financiar nga buxheti i shtetit për televizionin publik TVSH dhe subjektet me licencë kombëtare TV Klan, Top Channel, Digitalb, ADTN dhe Media Vizion.

Këto të fundit do të dëmshpërblehen për investimet që kanë kryer ligjërisht në këtë brez, pasi u licencuan nga AMA në vitin 2017 për të përdorur edhe brezin 700 MHz për 15-vite. Autoriteti rregullues injoroi me vetëdije vendimin e Unioni Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve i cili kishte vendosur më herët që ky brez duhej liruar brenda 5-viteve të ardhshme, për tu përdorur më pas nga kompanitë e telekomunikacionit.

Argumenti zyrtar i përdorur atë kohë nga Bordi i AMA-s në raportin vjetor të vitit 2018 lidhej me faktin se “në kushtet kur procesi i digjitalizimit ende nuk ka përfunduar, lirimi i brezit DD2 në një periudhë afatshkurtër do të çonte në mos përmbushjen e një detyrimi ndërkombëtar të digjitalizimit të shërbimeve audiovizive, i cili duhej të ishte realizuar në Qershor 2015”.

Për ish-drejtuesen e AMA-s përgjatë viteve 2009-2014, Endira Bushati, ky kompensim është një dhuratë e shtetit për operatorët: “Po të ishte zbatuar Strategjia e Digjitalizimit dhe Ligji i medias, sigurisht që jo vetëm do të ishin shmangur dëmshpërblimet nga paratë e taksapaguesve, që më shumë se dëmshpërblime janë dhurata të qeverisë për pronarët e mediave, por edhe konsumatori shqiptar do të kishte përfituar më parë nga interneti 4 dhe 5 G”, – shprehet Bushati për Citizens Channel.

Edhe për ish-anëtarin e AMA-s, Zylyftar Bregu, zgjidhja e ndërmarrë në atë kohë ishte afatshkurtër. “Duhej dhe mund të menaxhohej më mirë. Format e zgjidhjet janë të shumta. Por, së pari, stafi teknik i AMA-s dhe më pak Bordi nuk kanë bërë punën e tyre si duhet, duke parashikuar, menduar dhe zgjidhur problemet që dolën, të cilat janë në një plan afat shkurtër”, – përfundon Bregu.

Zylyftar Bregu, ish-anëtar i AMA

Nga ana tjetër, nëse do të ekzistonte vullneti nga drejtuesit e Autoritetit të Mediave Audiovizive të dyja proceset mund të ecnin paralelisht. Procesi i digjitalizimit mund të vijonte dhe fatura mund të shmangej nëse në licencat e operatorëve parashikoheshin klauzola për lirimin e brezit 700 MHz, sipas afateve në marrëveshjet ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e fundit në procesin e lirimit të brezit 700 MHz DD2, ndërsa Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia e kanë liruar atë më herët. Por ndërsa Kosova ka dhënë licencat për operatorët që do ofrojnë shërbim 5G në brezin 800 MHz, vendi ynë tejkaloi dy herë afatet finale të përcaktuara si pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare, Qershorin e vitit 2020 dhe Qershorin e vitit 2022, duke krijuar një sërë problematikash financiare dhe privim të qytetarëve shqiptarë nga shërbimet 5G.

MIE fsheh faturën e kompensimit financiar: Është sekret tregtar!

Institucionet e përfshira në procesin e lirimit të brezit 700 MHz, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive kanë tentuar të mbajnë të fshehtë procesin negociues me operatorët dhe faturën e kompensimit financiar që do të lëvrohet nga buxheti i shtetit.

Ndonëse spektri i frekuencave si burim i kufizuar është pasuri publike, AMA si agjencia e cila e menaxhon atë pranon se ka kryer një sërë takimesh me operatorët për lirimin e brezit 700 MHz përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, por pohon se “në asnjë prej tyre nuk ka mbajtur procesverbale të diskutimeve” duke ngritur dyshime mbi mënyrën sesi operon autoriteti publik.

Vendimi i AMA për miratimin e planit të ri të frekuencave: 

Nga ana tjetër, MIE refuzoi ti përgjigjej kërkesës sonë për informacion, ndërsa e detyruar nga Zyra e Komisionerit Publik, ka vënë në dispozicion një kopje të reduktuar të raportit të përgatitur nga grupi i ekspertëve ndërkombëtarë. Në këtë dokument specifikohej se operatorët vlerësojnë se “dëmi i tyre financiar për procesin e migrimit është 5.13 milionë euro”.

Në lidhje me pyetjen se sa do të jetë vlera e dëmshpërblimit për secilin operator MIE konkludon se “kompensimi nga buxheti i shtetit për secilin prej operatorëve mediatik është konfidencial dhe përbën sekret tregtar”, duke u përpjekur për të fshehur totalin e parave të taksapaguesve që do të përdoret për të mbuluar keq menaxhimin e AMA-s. Nga ana tjetër, Drejtoresha e Telekomunikacionit dhe Strategjisë së Zhvillimit, Irena Malolli, tha gjatë një seance përballje pranë zyrës së Komisionerit se “nuk kemi ende një dokument final mbi kompensimin e operatorëve”.

Megjithatë, burime konfidenciale pranë MIE-s dhe AMA-s konfirmojnë se ka një faturë dëmshpërblimi e përpiluar nisur nga vlerësimi që kanë bërë grupi i ekspertëve ndërkombëtare që po asiston qeverinë shqiptare në këtë proces. Sipas tyre operatorët do të kompensohen në një shumë e cila varion nga 4.5 deri maksimumi 5 mln euro. Nga kjo vlerë, rreth 2.6 milionë euro do të shkojnë për Televizionin Publik, rreth 723 mijë euro për TV Klan, grupi Top Channel – Digitalb – ADTN do dëmshpërblehet afro 730 mijë euro dhe shoqëria Tring (Vizion Plus) do marrë rreth 450 mijë euro. Ndërkohë subjekti lokal “Era Dixhital” rrezikon të humbë licencën.

Ndërkaq, burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë me dije se fatura e dëmshpërblimit për operatorët do të lëvrohet në tre këste përgjatë viteve 2023-2025. Një opsion, sipas tyre, është lëvrimi i menjëhershëm i 50% i vlerës së kompensimit dhe më pas do të disbursohen dhe pjesa e mbetur.        

Në vlerësimin e tyre, ekspertët ndërkombëtar, sikurse konfirmohet edhe nga raporti konfidencial me titull Përcaktimi i kostove të migrimit të frekuencave për lirimin e brezit 700 MHz nga operatorët ekzistues”, që mban datën 9 Dhjetor 2022, një kopje të të cilit disponohet nga Citizens Channel, evidentohet se në vlerën e dëmshpërblimit është marrë parasysh fakti se “60% e pajisjeve që janë investuar në ndërtimin e rrjetit dhe që do të çmontohen mund të përdoren sërish dhe kostoja e kësaj zhvendosje është 20% e një pajisje të re”. Kjo sipas tyre e redukton vlerën e dëmit të shkaktuar. Në këtë dokument theksohet gjithashtu se “një pjesë e konsiderueshme e antenave dhe pajisjeve teknike mund të shiten me vlerën 25% të kostos fillestare”, – vlerësohet në raportin e pesë ekspertëve të huaj, të kryesuar nga Serena Romano.

Ky është dëmshpërblimi i dytë që qeveria planifikon të lëvrojë për lirimin e DD2, pas 5 milion eurove që iu dhanë operatorëve për lirimin e brezit 800 MHz DD1, spektër ky që u morr në përdorim nga kompanitë e telekomunikacionit për shërbimet 4G.

AMA nuk ka afat për lirimin e brezit! Humbje në buxhet nga mos alokimi i DD2, qytetarët pa shërbim 5G

Edhe pse Shqipëria është ndër dy vendet e fundit në rajon në procesin e lirimit të brezit DD2, duke kaluar dy herë të gjitha afate ndërkombëtare, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk janë në gjende të japin një afat se kur do të ndodhë lirimi i 700 MHz dhe kalimi i tij nën administrimin e AKEP.

Autoriteti nuk ka një afat përfundimtar mbi lirimin e brezit DD2”, – thuhet në përgjigjen zyrtarë të AMA-s, që pavarësisht se është institucioni përgjegjës që sipas ligjit menaxhon këtë spektër frekuencash, pohon se nuk ka kryer dhe nuk “disponon material për analizën mbi pasojat dhe dëmet që sjellin vonesat në lirimin e këtij brezi”. Ndërkohë, si agjencia ashtu dhe ministria argumentojnë se procesi është kompleks dhe në të përfshihen një sërë institucionesh.

Sipas ekspertit shqiptar, pjesë e grupit teknik të ekspertëve në procesin e migrimit, Inxhinier Pirro Koçi, arsyeja se përse vendi ynë ndodhet në këtë situatë, vjen për shkak të vonesave në miratimin e Strategjisë së Migrimit: “deri në dhjetor 2020 nga institucionet përgjegjëse (MIE, AKEP dhe AMA), në bashkëpunim me ekipin konsulent të financuar nga BE, është përfunduar hartimi i Strategjisë së Migrimit. Mbetet që kjo Strategji të miratohet nga Këshilli i Ministrave në mënyrë që t’i hapet rrugë vënies së tij në jetë. Eksperti Koçi nënvizon se në vendet e BE-së ky brez është vënë në dispozicion të shërbimeve 5G, pasi këto të fundit “miratuan udhërrëfyesin dy vjet përpara fillimit të procesit të migrimit. Kjo bëri që procesi të zhvillohej normalisht pa krijuar shqetësime tek përdoruesit”, – përfundon ai.

Për Laureta Zelën, pedagoge e “Raportimit ekonomik dhe biznesin” në Departamentin e Gazetarisë “vonesat në shërbimin 5G janë të dëmshme në të gjitha aspektet pasi në radhë të parë privojnë investitorët potencial nga mundësitë për inovacion”. Studiuesja Zela bën analogji me “hyrjen e teknologjisë 4G në tregun shqiptar që solli përshpejtimin e shërbimeve bankare online, shitblerjeve online apo dhe përdorimin masiv të e-Albania, ndonëse edhe në këtë rast u paraqit me vonesë dhe pas kompensimit të brezave 800 MHz”. Sipas saj “kjo mënyrë alokimi është jo-eficente sepse ul përfitimet e publikut nga shitja e të drejtave të përdorimit duke pamundësuar primin që do të mund të përfitohej nga pjesëmarrja në inovacion.

Dy bizneset më të mëdha në vend që preken drejtpërdrejt nga shtyrja për një kohë të pacaktuar e lirimit të brezit DD2 për aplikimin e teknologjisë 5G, Vodafone Albania dhe One Albania, nuk i janë përgjigjur pyetjeve tona lidhur me dëmet e mundshme dhe fitimet e munguara nga këto vonesa në planifikimet e tyre buxhetore.

Por ndërsa bizneset heshtin, dëmet janë reale dhe për buxhetin e shtetit. Për ekspertët është i vështirë kalkulimi i saktë i fitimit të munguar nga dhënia në përdorim e brezit 700 MHz. Por, nëse marrim për bazë kontratat aktuale që AKEP ka nënshkruar për brezin 800 MHz, për dy nga tre blloqet, respektivisht Blloku A2 i marrë në përdorim nga Vodafone Albania për vlerën e 7.44 mln €/15 vjet dhe Blloku A3 i përdorur nga One Albania për vlerën e 7.44 mln €/15 vjet, rezulton se humbja nga vonesa në lirimin e brezit 700 MHz, përllogaritet në afro 1 milionë euro për një vit. Ky dëm është akoma më i madh nëse shtojmë, detyrimet e munguara tatimore nga të ardhurat e subjekteve që do ta përdorin këtë spektër frekuencash.

Më 30 Qershor 2023 shënohet plot një vit nga skadimi i afatit final për lirimin e brezit DD2. Çdo vonesë tjetër nga institucionet shqiptare do të thellonte akoma më tej humbjet në buxhetin e shtetit por dhe hendekun digjital të shqiptarëve në përdorimin e shërbimeve 5G.

*Autori është gazetar me një përvojë 15-vjeçare në televizion, shtypin e shkruar dhe mediat online. Aktualisht është i angazhuar me një seri shkrimesh investiguese pranë MediaLook. Në vitin 2021, investigimi i tij për kontrabandën e makinave të luksit, u vlerësua me cmimin “Vangjush Gambeta” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, si “raportimi më i mirë ekonomik i vitit”. Elvin Luku ka fituar gradën shkencore “Doktor” në Shkenca Komunikimi pranë Departamentit të Gazetarisë & Komunikimit në Universitetin e Tiranës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *