Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën një projektligj për administrimin e ndërtimeve pa leje. Ndërtimet që u konfiskuan gjatë një aksioni të qeverisë në shtator 2022, janë kryesisht kate shtesë në kullat e larta të ndërtuara në zonat më të lakmuara të Tiranës.
VKM-ja, ku u bazuan konfiskimet e këtyre 15 objekteve, u akuzua si një mënyrë për të amnistuar ndërtuesit e kullave, duke i dhënë mundësinë t’i shpëtojnë dënimit dhe të ri-bljenë sipërfaqet e ndërtuara në shkelje të ligjit.
Projektligji i publikuar rishtazi parashikon se objektet do përdoren për interes publik apo strehim social si dhe për zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara. Mirëpo në të gjithë pikat që shoqërojnë projektligjin, vëmendje i kushtohet shitjes apo nxjerrjes në ankand të ndërtesave me vlerë disa dhjetëra milionë euro dhe jo mënyrës se si do ti shërbejnë strehimit social.
“Përveç përcaktimit në titull që do të përdoren për qëllim strehimin social, në përmbajtje të projektligjit nuk ka asnjë përcaktim se si do të përdoret fondi tepricë që do të mblidhet nëpërmjet shitjes në ankand të pronave të konfiskuara për zbatimin e programeve sociale“,-shprehet juristi Gentjan Serjani.
Qeveria ka parashikuar se pas konfiskimit, godinat e ndërtuara pa leje mund të kalojnë në shitje, fillimisht duke i dhënë mundësi parablerje pronave që i kanë ndërtuar apo persona që kanë marrëveshje me ta, e nëse ata nuk preferojnë t’i blejnë, godina kalon në ankand publik.
Ajo që mbetet e paqartë sipas juristëve, është mënyra si paratë e gjeneruara nga shitja do t’i rikthehen qytetarëve në formën e strehimit social.
“Projektligji përcakton në pikën 7 të nenit 20 se: Fondet e përfituara nga programi i shitjes së objekteve të konfiskuara kalojnë në fondin e veçantë të objekteve të konfiskuara dhe përdoren me vendim të Komisionit. Siç shihet do të jetë Komisioni që do të vendose sesi do të përdoret ky fond. Ndërkohë që, nëse qëllimi qeverisë do të ishte ashtu siç përcaktohet në titull të projektligjit, mund të përcaktonte që x % e caktuar do të kalonte automatikisht në buxhetin e ministrisë apo njësisë së vetëqeverisjes vendore ku ndodhet prona për zbatimin e një prej programeve të strehimit social,”-thekson Gentjan Serjani.
A do të përfitojnë të pastrehët nga kullat e ngritura pa leje?
”Ka një trend në kohët e fundit për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga bashkitë apo nga KKT-ja”, shprehej ministrja Belinda Balluku më 7 shtator 2022.
Një ditë më pas qeveria nisi aksionin publik të konfiskimit, me një vizitë të ministres Balluku dhe përfaqësuesve të policisë dhe IKMT-të në një pallat 9-katësh në zonën e Farkës, një objekt prej rreth 8,000 m2 i ndërtuar totalisht pa leje.
“Se si kjo ka ndodhur, ky për të thënë të drejtën është një mister për ne”, deklaronte Balluku nga Farka.
Në një analizë pas nisjes së procesit së konfiskimit, Citizens Channel sjell në vëmendje se ky proces, megjithëse i përcaktuar në VKM se i shërben strehimit social, në fakt nuk u shërben të pastrehëve.
Nëse do të kryejmë një analizë të kuadrit ligjor dhe zbatimit të tij tregon se deri më tani qeveria nuk ia ka dalë të përfitojë apartamente për të pastrehët nga privatët.
Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19-të se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.
Zbatimi i këtij ligji duket se ka rezultuar i pasuksesshëm në Bashkinë e Tiranës, ku po realizohet pjesa dërrmuese e ndërtimeve të reja.
Gjatë periudhës 2020-2021 në Tiranë u shtuan rreth 3.7 milion m2 ndërtime të reja. Megjithatë Bashkia e Tiranës ka marrë në dorëzim vetëm dy apartamente në rrugën e Kavajës, me një hapësirë përkatësisht 160 m2 dhe 67.38 m2, të cilat janë ende në proces ndërtimi.
Pavarësisht kundërshtimit nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës vendosi ta modifikojë mënyrën e vjeljes së sipërfaqes me anë të një Vendimi të Këshillit Bashkiak, që i jep të drejtë ndërtuesve ta konvertojnë sipërfaqen e ndërtimit në vlerë monetare.
Duket se as ky ndryshim nuk ka rezultuar efektiv, pasi në një përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Citizens Channel në maj 2022, Bashkia e Tiranës u shpreh se përfitimi i vlerës monetare sipas përcaktimit prej 3% të ligjit të strehimit nuk ka ende realizim.
Pavarësisht se neni 19-të i ligjit “Për Strehimin Social” duket të mos ketë gjetur zbatim, qeveria shqiptare ka marrë përsipër ta ndryshojë, pas ankesave nga Shoqata e Ndërtuesve. Në maj të këtij viti, Ministria e Financave çeli për konsultim një sërë ndryshimesh në ligjin e vitit 2018, mes të cilave edhe nenin 19 i cili ndryshon sasinë e metrave që ndërtuesit duhet t’i japin fondit të banesave sociale.
Nëse më parë ndërtuesit ishin të detyruar t’i jepnin fondit të strehimit 3% të sipërfaqes për çdo objekt të ndërtuar mbi 200m2, me ndryshimet e ligjit ata duhet të heqin dorë vetëm nga 3% e sipërfaqes ndërtimore mbi 2000m2.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).