Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“40 mijë të rinj më pak”, popullsia e Shqipërisë po plaket

Popullsia e Shqipërisë po shkon drejt plakjes, e ndikuar nga emigrimi. Vendi është prekur nga rritja graduale e moshës së popullsisë, e cila po ndryshon strukturën demografike të vendit.

Të dhënat e Institutit të Statistikave, tregojnë se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, me rënie 1.1%. Një vit më parë vendi numëronte 31.8 mijë persona më shumë.

Rënia më e madhe, sipas të dhënave, vihet re tek grup moshat e reja. Kryesisht grup moshat deri ne 29 vjeç.

Kjo është grupmosha që është prekur edhe më tepër nga vala e emigrimit, ku të rinjtë janë larguar për shkollim, punë ose bashkim me familjen. Krahasuar me një vit më parë vendi ka 40 mijë të rinj më pak, ndërsa numri i të moshuarve mbi 60 vjeç po shtohet.

“Vala e re e emigrimit”

Vitet e fundit Shqipëria është prekur nga një valë e lartë emigracioni, të cilën ekspertët e krahasojnë me atë të viteve 90. Kjo valë është shoqëruar si me emigrimin e paligjshëm por edhe me atë që njihet si “ikja e trurit”, pra largimi i të rinjve që kane përfunduar studimet në Shqipëri.

Britania e Madhe është një nga destinacionet më të kërkuara nga emigrantët shqiptar. Sipas të dhënave të Zyrës së Emigracionit në Britaninë e Madhe, numri i aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptar në 2022 ishte 15,925. Kjo është shifra më e lartë e azilkërkuesve sipas të dhënave që nga viti 2001.

Sipas BBC-së, në vitin 2022, 12 mijë shqiptarë kaluan kanalin e La Manshit. Nga këta 10 mijë ishin djem të rinj, shifër kjo e cila sipas Instat përbën 1% të krahut të punës në Shqipëri.

Citizens Channel ka realizuar një cikël rrëfimesh që sjellin plagën e emigrimit përmes videove dhe podkasteve.

“Pezull” është një seri videosh dhe podkastesh e prodhuar nga Citizens Channel që hedh dritë mbi pasojat e fenomenit të emigrimit ilegal dhe masiv të shqiptarëve. Përmes tyre rrëfehen historitë e njerëzve që ndërmarrin udhëtime të rrezikshme të emigrimit të paligjshëm, të nxitur nga problemet e thella sociale dhe ekonomike që hasen veçanërisht në zonat periferike të vendit.

“I ngecur… mes rrugëve të emigrimit të paligjshëm”

Mungesa e perspektivës, kushtet ekonomike dhe dëshira për të qenë afër miqve dhe familjarëve e shtynë Gjergjin që të braktisë shkollën dhe të emigrojë. Ai është 23 vjeç, ka lindur në Dibër dhe aktualisht jeton në Kamëz. Në tre vitet e fundit, ai ka tentuar të gjitha mënyrat për të mbërritur ilegalisht në Angli.

“Tranzit, jeta përballë kufirit të ndaluar”

Florini ishte 16 vjeç kur braktisi shkollën dhe vendin e tij për të shkuar në Britaninë e Madhe. Edhe pse minoren, vështirësitë ekonomike të familjes përgjegjësia për t’i parë familjarët më mirë, mori një rrugë aspak të lehtë, duke kaluar nga Italia në Francë me qëllimin përfundimtar Anglinë.

“I rikthyeri… i huaj në vend të vet”

Fatlumi është një djalë i ri me origjinë nga Kukësi. Ai është kthyer nga Britania e Madhe me vullnetin e tij, por tashmë sërish është me sytë drejt migrimit. Fatlumi provoi të përshtatej me realitetin shqiptar, por sërish ndjehet i huaj në vendin e tij.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *