Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Fikni kamerat”, gazetarët u kërcënuan gjatë raportimit të mbledhjes së Partisë Demokratike

Pesë gazetarë që raportojnë nga selia e Partisë Demokratike janë përballur në orët e para të së mërkurës me kërcënime dhe dhunë verbale.

Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, në ambientet e jashtme mbështetës të deputetit Lulzim Basha, njëkohësisht ish-drejtues i partisë, u përpoqën të hiqnin kamerat dhe mikrofonat si dhe të shtynin gazetarët, duke mos i lejuar ata të filmonin apo raportonin.

“Ishte gjithçka e organizuar, ata-personat e paidentifikuar dhe të paautorizuar për të qenë në mbledhjen e kryesisë,  kishin ardhur me qëllime të qarta që të kërcënonin deputetët, dhe situata të mbahet e fshehtë, ndaj tentuan mbylljen e gojës me çdo mjet të atyre pak gazetarëve që kishim mbetur aty”,-u shpreh Isa Myzyraj, i pranishëm në vendngjarje.

Isa Myzyraj, gazetar pranë Ora News

Në këtë mbledhje u vendos që të hapej gara për kryetar të partisë, ndërsa gazetarët dëshmuan presion të ushtruar nga mbështetësit e Bashës kundrejt deputetëve dhe më pas gazetarëve të pranishëm.

Ardit Hoxha, gazetar pranë Euronews Albania

“Në kryesi, kishte dy rryma kryesore, rryma “pro Basha” që kërkonte zgjedhjet për kryetar fillimisht dhe më pas zgjedhje në strukturat vendore të Partisë Demokratike dhe rryma tjetër “pro Bardhi”, i cili kërkonte të kundërtën që fillimisht të bëheshin zgjedhjet nëpër degë dhe nëpër struktura lokale dhe zgjedhja e kryetarit të bashkisë të bëhej në një moment të dytë, më vonë. Ky është po themi ndarja midis dy grupimeve që shkaktoi dhe tensione”,-sqaroi për Citizens Channel, Ardit Hoxha, gazetar pranë Euronews Albania.

Gazetarët e pranishëm dëshmuan se situata mund të kishte kaluar edhe në dhunë fizike.

“Një grup personash të cilët qëndronin jashtë dyerve ku po zhvillohej mbledhja e kryesisë së PD, pasi shanë dhe ofenduar disa deputetë të PD që dolën nga mbledhja, kërcënuan gazetarët që të fiknin kamerat, telefonat dhe të mos regjistronin asgjë. Më pas ata shanë, ofenduan dhe tentuan të dhunojnë fizikisht edhe gazetarët. Të mos kishte qenë për disa individë dashamirës ndaj medias, pjesë e grupit Basha, dhuna fizike ndaj nesh do kishte qenë e paevitueshme”,-u shpreh gazetari Osman Stafa nga News 24.

Ndërsa gazetari Ardit Hoxha u shpreh se u desh ndërhyrja e dy drejtuesve të degëve të PD-së për të mos u përshkallëzuar situata.

“Në atë moment kur këta panë që ne po filmonim dhe ishim me telefona në duar , na u kthyen edhe neve, duke na intimiduar, duke kërcënuar që hiqe telefonin se të thyej këmbët apo hiqe telefonin se të thyej në mes apo ofendime dhe sharje familjare”,-tha Hoxha.

Sipas tij, raportimi nga selia e PD-së nuk ka qenë i lehtë prej 2021-it.

“Në eksperiencën time gati 4-5 vjeçare si reporter i politikës, një situatë kaq e rëndë dhe një trysni kaq e fortë dhe një presion kaq i madh ndaj gazetarëve, unë është hera e parë qe e has. Më duhet të theksoj që, që nga 9 shtatori 2021-it e deri në vazhdim pothuajse të gjithë gazetarët dhe reporterët e politikës që mbulojnë Partinë Demokratike nuk e kanë pasur të lehtë për të raportuar dhe për të bërë punën e tyre se në shumë raste ka pasur tensione, përplasje apo intimidime nga njerëz që qëndronin afër drejtuesve të të dyja grupimeve”,-përfundoi gazetari Hoxha.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt e ka ndjekur me shqetësim situatën dhe i ka kërkuar Partisë Demokratike të distancohet publikisht nga incidenti.

“Rrjeti Gazetarët e Sigurt i kërkon Partisë Demokratike që të distancohet publikisht nga ky incident dhe të dënojë veprimet e mbështetësve të saj. Pritet një deklaratë zyrtare, ku do të pranohet ashpërsia e situatës dhe do të përshkruhen veprimet për të siguruar që një incident i tillë të mos përsëritet. Rrjeti më tej kërkon që të zbatohen masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen, duke garantuar sigurinë dhe lirinë e gazetarëve”,-thuhet në deklaratën e Rrjetit.

Përfaqësuesja e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri, Blerjana Bino u shpreh se sulmi i fundit ndaj gazetarëve është tregues i rreziqeve me të cilat përballen gazetarët në Shqipëri.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt

Nënvizon nevojën thelbësore që partitë politike, anëtarët e tyre, mbështetësit dhe publiku i gjerë të respektojnë rolin dhe hapësirën e gazetarëve. Kjo është gjithashtu një kujtesë fillestare se si ndjenjat antimediatike nga politikanët dhe përdorimi i gjuhës nxitëse kundër gazetarëve mund të nxisin kërcënime fizike, duke gërryer themelet thelbësore të gazetarisë së pavarur dhe profesionale”,-u shpreh Bino.

Rrjeti u shpreh se do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *