Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pasojat e Korrupsionit”, projektet që prangosën Vangjush Dakon lënë qytetarët pa strehë dhe hapësira publike

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u arrestua të martën me urdhër të SPAK, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës. Dy çështjet për të cilat Dako dhe tetë zyrtarë të Bashkisë Durrës akuzohen, janë shëtitorja në zonën e Currilave dhe abuzimi me lejen e ndërtimit për një pallat 11-katësh në rrugën Hysen Myshketa.

Citizens Channel ka raportuar pak javë më parë për të dy këto problematika, të cilat kanë privuar qindra qytetarë nga të drejta themelore si strehimi dhe aksesi në hapësira publike.

“45 familje kanë mbetur pa strehë, ndërsa presin shembjen e pallatit”

Njëra nga akuzat që çoi në arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako nga SPAK, është lejimi i katër kateve shtesë në pallatin e ndërtuesit Fiqiri Farruku në lagjen nr. 5 në Durrës. Pallati nisi ndërtimin në vitin 2010, me një leje të miratuar për vetëm 7 kate, ndërsa në vitin 2012, godinës iu shtuan katër kate të tjera shtesë.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 e dëmtoi rëndë këtë godinë duke lënë të pastrehë 45 familje. Bashkia Durrës i konfirmoi Citizens Channel se nuk disponon mjetet e duhura për ta shembur këtë pallat, edhe sot kur kanë kaluar më shumë se tre vite nga tërmeti i nëntorit 2019.

SPAK ka gjetur se leja e ndërtimit për këtë objekt është zbardhur nga Kryetari i Bashkisë Durrës dhe Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit, një vit e gjysmë pasi pallati kishte përfunduar. Pavarësisht se pallati nuk është ndërtuar as sipas projektit të miratuar me lejen e dytë, pasi ka pasur mangësi në zbatimin e punimeve, nga kolaudatori është përpiluar akti i kolaudimit, në të cilit pasqyrohej se pallati është ndërtuar sipas projektit, kur në fakt nuk ka rezultuar diçka e tillë.

“Projekti është ndryshuar tërësish nga fillestari, janë shtuar kate, ka marrë leje për garazhde, e ka zhvilluar njësi shërbimi”,- tha për Citizens Channel Ramiz Copa, një nga banorët e këtij pallati.

Bashkë me Vangjush Dakon u arrestuan edhe pesë zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrës, ndërtuesi i firmës së ndërtimit Fakle SH.P.K , ndërsa tre nëpunëse gra u lanë me masën e arrestit shtëpiak.

“Një zero më shumë në tenderin e shëtitores”

“Kjo kodër i është rikthyer qytetarëve si një vend shëtitjeje dhe argëtimi”, deklaronte ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në mars të vitit 2015, gjatë inaugurimit të projektit për shëtitoren e Currilave.

Dako premtoi mbjelljen e 50 mijë fidanëve, korsi biçikletash dhe shëtitore për qytetarët, por pa kaluar një vit nga inaugurimi , i gjithë investimi i kryer u shndërrua në një përrua balte.

Prokuroria e Posaçme ka akuzuar ish-kryebashkiakun dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës për rritje me 10-fish të kostove të punës në projektin për këtë shëtitore.

“Vlera e tarifës së projektimit del 2,2 milionë lekë dhe jo 22 milionë lekë, pra është llogaritur më tepër”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Në muajin Maj 2015, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, është konstatuar parregullsi e përllogaritjes së fondit limit, duke i lënë detyrë administratës së Bashkisë Durrës që të rikuperojë dëmin ekonomik.

Nga ana e Administratës së Bashkisë Durrës, jo vetëm që nuk janë marrë masat përkatëse për rikuperimin e dëmit ekonomik, por në Muajin Dhjetor 2015, ka të dhëna se është bërë pagesa edhe e 40% të vlerës së mbetur nga kontrata, duke i shkaktuar Buxhetit të Bashkisë Durrës një dëm ekonomik prej 18.000.000 (tetëmbëdhjetë milion) Lekë.

Vangjush Dako u zgjodh kryetar i Bashkisë së Durrësit në vitin 2007 post që e mbajti deri më 2019, kohë kur u vendosi të mos rikandidojë. Në 31 korrik të vitit 2019 ai  u shpall person non grata prej departamentit amerikan të shtetit me argumentin se ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni ose shkelje të të drejtave të njeriut

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *