Më 9 qershor godina e ish-Radio Tiranës, monument kulture i kategorisë së dytë, u rrethua me skela. Jashtë godinës nuk ka asnjë tabelë informuese për të treguar llojin e ndërhyrjes që parashikohet, afatet apo institucionin përgjegjës mbi punimet që do të kryhen mbi objekt.
“Skela edhe mund të jetë një lajm i mirë, por ndofta nuk na thotë edhe asgjë. Për sa kohë nuk ka një vendim, i cili është i afishuar publikisht pranë rrethimit apo në një nga portalet zyrtare, gjithsesi objekti mbetet në rrezik”, thotë për Citizens Channel arkitektja Doriana Musai.
Godina e Radio Tiranës mund të jetë e vetmja që do i mbijetojë shkatërrimit të ansamblit historik të vilave në rrugën Kont Urani. Plani i Detajuar Vendor (PDV), i miratuar së fundmi nga Bashkia e Tiranës parashikon që dy vilat krah radio Tiranës, të ndërtuara 1920, do t’i shemben për t’i lënë vend një pallati 11-katësh.
Projekti i kompleksit te pallateve ne rrugen Kont Urani
Miratimit të këtij plani i kanë paraprirë një sërë vendimesh kontradiktore të institucioneve, që fillimisht i kanë dhënë statusin monument kulture vilave, për t’ja hequr dy vjet më vonë.
“Ne nuk dimë pse kjo godinë ka status dhe tjetra ngjitur me atë nuk ka status”, – shpjegon Doriana Musai duke shtuar se përzgjedhja e monumenteve realizohet sipas një seleksionimi arbitrar
“Heqja e statusit monument i paraprin planeve për pallat”
Harta e objekteve te shpallura monument ne rrugen Kont Urani
Vila 8 në rrugën “Kont Urani”, e ndërtuar rreth vitit 1928, njihet si “Kuplaraja” apo “Hoteli i Italianëve” dhe mbahet mend për funksionin e saj si shtëpi publike. Banorët e zonës tregojnë se godina ka qenë e strukturuar si shtëpi publike me sportel, dalje nga ana e pasme dhe me orendi luksoze nga brenda.
Në vitin 2015 “Vila 8” u skedua me kodin II- 143, duke fituar statusin Monument Kulture Kategoria II, me urdhrin nr. 276 të Ministrisë së Kulturës. Vetëm dy vite më pas, një relacion i hartuar nga restauratori Fatjon Saliu, rekomandoi që për shkak të degradimit, objekti “nuk përbën vlera të veçanta për trashëgiminë kulturore”, duke propozuar heqjen e mbrojtjes. Bazuar në këtë relacion, Ministria e Kulturës urdhëroi heqjen e statusit, vetëm dy vite pasi e kishte mbrojtur, me anë të vendimit nr. 547 të vitit 2017.
Të njëjtin fat ka pasur edhe “Vila Lezo”, që e humbi statusin në muajin shkurt të vitit 2021, nga relacioni i të njëjtit restaurator. Fill pas këtij vendimi, Bashkia Tiranë miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor (PDV), që parashikoi ndërtimin e një pallati 8-katësh.
Ansamblii vilave monument, ngjitur me ish–Radio Tiranën do të shembet për t’i hapur rrugë një kompleksi pallatesh 17 mijë metra katrorë. Një pjesë e vilës që gjendet ngjitur me ish-Radio Tiranën është shembur që më qershor të 2021.
Ekspertja Doriana Musai shpjegon se mënyra sesi ne i përqasemi ruajtjes vetëm të arkitekturës dhe objekti të izoluar nga pjesa tjetër e kontekstit urban është tërësisht e gabuar.
“Nuk është vetë objekti si skulpturë, si arkitekturë e bukur po është edhe çfarë ndodh përreth pasi Radio Tirana sot e ka vlerën pikërisht sepse është midis dy godinave të tjera, pra është pjesë e një ansambli mund ta quajmë urban, i cili njëherë është shkatërruar dhe ajo do të ngelet vetëm dhe si e tillë do të dali e tepërt pastaj, në atë strukturën e re urbane që do zhvillohet”, – përfundon ajo.
Përgjatë viteve 2016-2021, 36 objekte monument kulture në Tiranë janë zhveshur nga statusi i mbrojtjes dhe deri tani 17 prej tyre janë kthyer në pallate.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.