Rreth një vit më parë B.S pranoi hapur identitetin e tij gjinor. Ndjesia se nuk i përkiste trupit të një vajze, e shtyu drejt vetëpranimin se ishte një djalë transgjinor.
“Nuk kam pasur informacion për identitetin gjinor, thjesht e dija që ndjehesha kështu siç ndjehem, por kur nuk ke se si ta kuptosh apo të kesh informacion më shumë,” -shprehet B.S, ndërsa rrëfen fillesat me identitetin e ri gjinor.
Për I.R, po ashtu një djalë transgjinor, pranimi ndodhi gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa pëlqimin për vajzat e kishte kuptuar në moshë më të hershme, në klasën e shtatë.
“Kurse për pjesën e identitetit gjinor, ka qenë gjithë kohës në mendim. Kam nja një vit e gjysmë, gati dy vjet që isha: po, unë jam djalë. Informacioni ka të bëjë shumë. ”,-rrëfen I.R teksa përpiqet të kthehet pas në kohë.
Djalë/burrë transgjinor: një person që është lindur femër, por identiteti gjinor i të cilit është mashkull.
Vajzë/grua transgjinore: një person i cili është lindur mashkull, por ka identitetin gjinor të një femre.
Të dy djemtë transgjinorë ndjekin terapi psikologjike, të ofruara nga organizatat LGBTI+ në Tiranë.
“Unë shkoj edhe në terapi, kam kohë që shkoj. Gjatë seancave më ka dalë si çështje dhe jam përballur”,- tregon B.S për Citizens Channel.
Dalja hapur i shkëput personat transgjinorë nga familja
B.S nuk ka asnjë kontakt me familjen që prej kohës që lëvizi nga shtëpia.
“Unë kam ikur nga shtëpia, nuk jam nga Tirana. Kam ardhur këtej kur kam qenë 18 vjeç. Jam munduar me aq mundësi sa kisha të isha disi i pavarur, Tani jam… Ata të familjes nuk janë mbështetës, nuk kemi kontakt fare”-tregon B.S.
Identiteti gjinor: gjinia me të cilën identifikohet një person. Kjo jo detyrimisht përputhet me seksin biologjik.
Ai rrëfen se familja nuk është e hapur ta dëgjojë apo të marrë informacione për përkatësinë e tij gjinore. Ndërsa, në ndryshim nga pindërit, gjyshërit kanë qenë më shumë pranues ndaj vendimit të tij për ta jetuar jetën si djalë.
“Më thanë që e kanë vënë re, pastaj për identitetin gjinor nuk është se kanë informacion. Por ajo që më ka pëlqyer është se arrijnë ta ndajnë të paktën çfarë është e rëndësishme, që ti je njeri i rëndësishëm për ne dhe sido që të jetë ne jemi me ty”,-tregon me sytë që i shkëlqejnë B.S.
I.R nuk ka dalë ende hapur tek familjarët, mirëpo ai tregon se e kanë kuptuar që në momentin që e ëma gjeti në sendet e tij personale një kanatjere që fshihte gjoksin. Largimi nga shtëpia ia shkëputi marrëdhëniet me familjen, të cilën së fundmi ka nisur ta rikuperojë.
“Kemi folur nga pak me mesazhe, pastaj 3-4 muaj nuk ju kam folur fare. Se thonin të kuptojmë, të mbështesim, por nuk e jepnin këtë shenjën që më mbështesnin. Tani kam filluar duke folur me mamin dhe me vëllain. Nga vëllai nuk e prisja të ishte shumë mbështetës. Nuk ju kam bërë “coming out” akoma, por e dinë, se kanë dalë llafet, fillojnë dhe flasin njerëzit, jemi në Shqipëri“-rrëfen I.R në bisedë e sipër.
Tranzicioni vetëm social, ai fizik i kushtueshëm dhe i pamundur në Shqipëri
B.S dhe I.R deri më tani kanë kryer vetëm tranzicionin social. Ata janë të vetëdijshëm që ndodhen në trupa të gabuar, mirëpo e kanë të pamundur të kryejnë tranzicionin fizik.
Sipas tyre, nisja e një terapie hormonale është një sfidë, jo vetëm për pjesën emocionale, por edhe se kjo procedurë është mjaft e kushtueshme. Kjo edhe për shkak se nuk realizohet në Shqipëri, pasi shteti nuk ka miratuar ende një protokoll mjekësor.
“Mendoj që do më ndihmonte shumë. Po i jap kohë vetes, por nga ana tjetër është edhe problemi i mundësive që ke për ti aksesuar këto. Këtu në Shqipëri nuk janë akoma, nuk është protokolli. Janë edhe shumë të kushtueshme. Në qoftë se bëhen e mira do të ishte që të ishin të rimbursueshme hormonet”,-shpjegon B.S
Tranzicioni gjinor– çdo hap që ndërmerr një person për të afirmuar identitetin e tyre gjinor. Mund të përfshijë pamjen fizike, ndryshim të emrit, ndryshim të përemrit me të cilin i drejtohesh; nga “ai” ne “ajo”, ose nga “ajo” në “ai”; marrjen e hormoneve: për djemtë transgjinorë merret testosterone, ndërsa për vajzat transgjinore merret estrogjen. Si dhe hapi i fundit është kryerja e operacionit që përshtat trupin sipas identitetit gjinor.
Sipas tyre, procedura e marrjes së hormonit mashkullor (testosteron) kërkon ndjekjen me psikologë dhe psikiatër, gjë që në Shqipëri nuk është e mundur. Kjo situatë ka sjellë që shpesh procedura të ndiqet në të zezë, duke shkaktuar rrezik për shëndetin.
“Mund të japë për shembull probleme me zemrën edhe kur je me mjekun ai e di dhe të jep mbrojtje për këtë gjë. Ose edhe pjesa e psikiatrit se ka shumë çrregullime pastaj të humorit. Mund të kalosh në depresion. Prandaj duhet të jetë edhe mjeku edhe psikiatri. Por edhe nga ana fizike, mund të bëhet shumë e rrezikshme nëse nuk i merr me mjek, se të paktën testosteroni mund të çojë deri në vdekje nëse nuk merret ashtu siç ka nevojë trupi jot”,-rrefën I.R
Dy të rinjtë rrëfejnë se ka persona nga komuniteti LGBTI+ të cilët në pamundësi për të kryer tranzicionin në Shqipëri, i janë drejtuar vendeve fqinje, kryesisht klinikave private në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Po ti kesh lekët përshembull, mund të shkosh ta bësh të gjithë tranzicionin në Serbi, me marrë mjek e me të gjitha, por është shumë e kushtueshme“,-rrëfen I.R
Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës LGBT i tha Citizens Channel se mungesa e protokolleve nga ana e Ministrisë së po e përball komunitetin me rreziqe të shtuara.
“Kemi një numër të madh të komunitetit që detyrohet të udhëtojnë në vende të tjera për të aksesuar këto shërbime, të cilat kanë një kosto shumë të lartë dhe për shkak të udhëtimeve të shumta qe duhen për të realizuar konsultat më mjekët. Pjesa tjetër e cila nuk ka mundësinë të udhëtojë përfundon duke marrë mjekime në tregun e zi, pa monitorimin e mjekëve gjë që i vë në rreziqe të larta për shëndetin e tyre”,-sjell në vëmendje Xheni Karaj.
Xheni Karaj, aktiviste
Alba Ahmetaj, përfaqësuese e Historia Ime, tregon gjetjet e një hulumtimi të realizuar për këtë problematikë.
”Ne zbuluam që vajzat dhe djemtë transgjinorë i marrin terapitë hormonale pa rekomandim nga mjeku nëpër farmacitë e Tiranës nën dorë, duke ditur që mund të kenë probleme të shumta shëndetësore prej tyre”, tregon Ahmetaj, e cila shton se kostot e një operacioni për transformimin gjinor arrijnë në 15.000 mijë euro
Sipas hulumtimit të “Historia Ime”, procesi i tranzicionit për personat transgjinorë në shumicën e rasteve nuk trajtohet me psikolog apo psikiatër.
Alba Ahmetaj
“80% e të anketuarve i merrnin shërbimet shëndetësore në privat, ndërsa 70% prej tyre nuk trajtoheshin nga një psikolog ose psikiatër”, sqaron Ahmetaj.
Xheni Karaj shprehet se në Shqipëri ka mjaft profesionistë të aftë për të asistuar personat transgjinorë për të filluar kurat hormonale, por duke mos pasur një kuadër ligjor, ata janë të frikësuar ta japin këtë mbështetje.
“Në këto kushte është emergjente dhe e një rëndësie jetësore që të miratohet ligji për njohjen gjinore dhe që Ministria e Shëndetësisë të krijojë sa më shpejt protokollin mjekësor për këtë komunitet në mënyrë të tillë që të gëzojnë trajtim të barabartë mjekësor”,-shtjellon më tej Karaj.
B.S dhe I.R shprehen për Citizens Channel se do duan shumë që në të ardhmen të bëjnë tranzicionin e plotë fizik.
“Është eksperiencë shumë personale. Ka edhe persona transgjinorë që nuk duan të marrin as hormone asnjë gjë, është zgjedhje e gjithsecilit, si të ndjehet më rehat. Unë me aq sa kam kuptuar, do kisha shumë dëshirë që ti merrja. Edhe për pjesën e operacionit, mendoj se ajo është një gjë që unë personalisht mendoj që do ta bëja pasi të merrja hormonet”,-shton B.S.
Ndërsa I.R, po pret që kjo mundësi ti ofrohet në Shqipëri.
“Do pres nja 5 vjet, po nuk u bë gjë pastaj do vazhdoj. Por dua ta provoj shumë këtu. E di që do më ndihmojë shumë, do jetë një plus shumë i madh. Edhe për pjesën e operacionit është zgjedhje e gjithsecilit. Kanë që duan ti bëjnë, kanë që sduan ti bëjnë. Ka që duan të bëjnë vetëm njërën pjesë, varet. Unë me dëshirë i bëj të dyja, me lekë nuk bëj dot gjë”, tregon I.R.
“Paraqitem si çun, por në kartë figuroj vajzë”
Personat transgjinorë, mes të tjerash kanë probleme edhe me identifikimin në dokumente.
“Po do ishte shume e çuditshme që të jem unë me mjekër dhe të thonë “o goca” sepse ashtu është në kartë…”-tregon I.R
Ai rrëfen se përpos sikletit kjo i sjellë pasiguri dhe frikë edhe për tu punësuar.
“Është shumë e sikletshme që paraqitem si çun dhe kur të jap kartën aty dal femër. Plus edhe emri në kartë komplet ndryshe. Pastaj edhe pjesa për të gjetur punë më mbrapa. Unë kam pasur fatin që punoj me të huaj edhe janë pranues edhe nuk e kanë problem, por po të punosh në vende të tjera jam i sigurt që nuk do e ashtu fare….”
Për B.S, çështja e identitetit në kartë krijon shpesh situata të sikletshme në jetën e përditshme.
“Kisha marrë diçka në postë dhe kur më pyesin për emrin unë duhet ta qartësoj a të duhet emri i dokumentave. Nëse të duhet me se s’bën emri i dokumentave do ta jap emrin, por nëse nuk duhet pse jo ti jap emrin tim. Atje nuk e kërkonin kështu që kisha shkruar emrin B.S me të cilin identifikohem dhe më hapën probleme, mendonin se nuk isha i njëjti person. Gjë që mund të verifikohej edhe shumë lehtë sepse më ka ardhur mesazhi dhe unë po ta shpjegoj që jam një djalë transgjinor, por nuk kanë informacion dhe thjesht thonë pse nuk ke të njëjtin emër”,-rrëfen B.S një nga shumë situatat e përditshme përmes së cilave duhet të kalojë.
Mos njohja ligjore e gjinisë si pasojë e mungesës së vullnetit politik
Në Shqipëri, identiteti gjinor përmendet vetëm në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Vendi ynë nuk ka një legjislacion që bën të mundur njohjen ligjore të gjinisë.
“Një ligj i tillë u draftua nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtar në vitin 2012 ku organizatat LGBTI dhe Këshilli i Europës lobuan që kjo nismë ligjore ti prezantohej nga Ministria e Shëndetësisë së asaj kohe Ministrisë së Drejtësisë. Për fat të keq Ministria e Drejtësisë nuk tregoi asnjë vullnet politik për ta prezantuar nismën ligjore në parlament”,-rrëfen Xheni Karaj për Citizens Channel.
Sipas saj, ka pasur një mungesë vullneti politik përgjatë gjithë këtyre viteve.
“Edhe pse në Planet Kombëtare të Veprimit për personat LGBTI për vitet 2012-2020 dhe 2021-2027 është parashikuar draftimi dhe aprovimi i ligjit për njohjen ligjore jemi përballur me rezistencë dhe mungesë të vullnetit politik gjatë gjithë këtyre viteve”.
Kjo ka sjellë edhe diskriminim në ofrimin e shërbimit mjekësor te personat transgjinorë.
“Për shkak të stigmës dhe diskriminimit gjatë punë sonë jemi hasur me raste të shumta ku komunitetit transgjinor i është mohuar ofrimi i shërbimit shëndetësor ose ndaj tyre është përdorur gjuhë denigruese nga personeli mjekësor”,-tregon më tej Karaj.
Gjë që ka bërë që shpesh aktivistë të të drejtave për komunitetin LGBT në Shqipëri të shoqërojnë personat transgjinorë në klinika shëndetësore private, me qëllim që shërbimi mjekësor të jetë dinjitoz. Megjithatë, Xheni rrëfen se kjo nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë.
“Shërbimi shëndetësor është një e drejtë themelore që duhet të gëzohet nga çdo individ i këtij vendit akoma më shumë nga komunitete vulnerabel pa qenë nevoja që organizatat LGBTI të luajnë rolin e policëve në mënyrë të tillë që profesionistët e mjekësisë të japin ndihmën mjekësore“,-argumenton Xheni Karaj.
Sipas saj, në vendet e BE-së implementohen ligje që i japin mundësinë personave transgjinorë të kenë akses në shëndetësi, për kurat hormonale apo operacionet si dhe emrin në dokumentet ligjore.
“Shqipëria si një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të ndërhyjë në kuadrin ligjor ekzistues duke përmirësuar legjislacionin në mënyrë të tillë që ti përgjigjet nevojave dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve vulnerabël”,-përfundon Xheni Karaj.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).