Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: Krimi mjedisor në Shqipëri mbetet i pa adresuar

Raporti i OSCE-së mbi hetimin dhe ndëshkimin e krimeve mjedisore në Shqipëri nxjerr në pah se kundrejt avancimit ligjor, në praktikë vendi ynë has vështirësi në procedimin e rasteve si pasojë e mbivendosjes së roleve të institucioneve, numrit të ulët të stafit dhe mungesës së njohurive.

Kemi një ambiguitet ligjor për efekt të kompetencave që u janë dhënë autoriteteve”, – tha gjatë prezantimit të raportit Olsi Çoku, eksperti ligjor.

Sipas të dhënave të marra nga Prokuroria e Përgjithshme, më të raportuarat dhe më të proceduarat janë ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës, dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe prerja e pyjeve. Gjithashtu, vërehet se në Shqipëri ka një tendencë ulje të procedimit të veprave penale mbi krimin mjedisor me 41.6% krahasuar me vitin 2020.

Gjykata në 2021-shin ka vendosur në 29.23% të rasteve dënimin me gjobë të shkelësve dhe në 70.77% dënim me burg. Megjithatë, në 71% të rasteve dënimi është pezulluar dhe fajtori është vendosur në provë”, – u shpreh më tej Çoku.

Raporti nxjerr në pah se veprat penale të kategorizuara si “Kundër mjedisit” në zonat e mbrojtura ishte 4.46% në vitin 2021, ndërsa në vitin 2020 ishte 7.25%.

Të dhënat statistikore tregojnë një ulje të procedimeve me 41,67% për veprën penale të parashikuar në Kodin Penal “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” në krahasim me vitin 2020”, – theksohet në raport.

Shpërndarja më e lartë e krimeve kundër mjedisit shënohet në qarkun e Tiranës me 39,12%, pasuar nga Elbasani dhe Lezha, ndërsa në Mat është regjistruar numri më i ulët i krimeve mjedisore, për vitin 2021.

Përgjatë këtij viti numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për vepra penale kundër mjedisit, ishte në prokuroritë e Krujës dhe Beratit, me 11% të numrit total të procedimeve, në Elbasan me 10% dhe Tiranë me 9%.

Gjetjet kryesore: Institucionet kanë mbivendosje, paqartësi dhe mungesë trajnimi rreth krimit mjedisor

Sipas ekspertes mjedisore Ornela Shoshi, institucionet që merren me mjedisin karakterizohen nga mbivendosja e detyrave, mungesa e kapacitetit njerëzor dhe punësim të personave që nuk kanë edukimin e duhur në fushën e mjedisit.

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKZM) nuk ka një sektor apo drejtori të dedikuar për krimin mjedisor. Nuk kemi ndarje të qartë të kompetencave me inspektoratit e tjera që merren me mjedisin”, – tha Shoshi gjatë fjalës së saj. “Shpesh kemi kompetenca jo të qarta me IKMT-në kur dalin në inspektim”.

AKZM, si Agjencia e Pyjeve ashtu edhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, nuk kanë inspektorë të mirëfilltë por kanë persona në terren të cilët monitorojnë dhe raportojnë kur identifikojnë çështje të krimit mjedisor”, – shtjellon më tej Ornela Shoshi.

Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Pyjeve sipas të dhënave të evidentuara në raport kanë një mbivendosje në strukturë sa i përket inspektimit në pyje dhe numër të ulët personeli.

Në këtë agjenci fusha e arsimimit të personelit nuk është e përshtatshme për pozicionin e punës në shumicën e rasteve”.

Shoshi më tej theksoi se sipas gjetjeve nga OSCE, inspektoratet shpesh herë nuk kanë mjete për transport, nuk kanë kompjutera, tabletë apo GPS.

OSCE rekomandon shtimin e stafit, kryerjen e trajnimeve periodike, përcaktime dhe role të qarta për inspektorët mjedisorë, informim dhe ndërgjegjësim i mëtejshëm i qytetarëve nga institucionet si dhe të riaktivizohet grupi ndërinstitucional kundër krimit mjedisor.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *