Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studentët e mjekësisë i përgjigjen qeverisë me protesta

Studentët e mjekësisë e zhvendosën sot protestën e tyre përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Dhjetëra prej tyre, përpos faktit se janë në sezon provimesh marshuan nga Rektorati i Universitetit të Mjekësisë drejt Kuvendit, për të kundërshtuar projektligjin që i detyron t të qëndrojnë në Shqipëri jo më pak se pesë vite pas përfundimit të studimeve.

Ky projektligj u bë publik dje, nga vetë Kryeministri, Ministrja e Shëndetësisë dhe Ministrja e Arsimit. Sipas projektligjit, i konsideruar prej qeverisë si një paketë masash mbështetëse për studentët që do të nisin këtë vit akademik studimet në mjekësi do të nënshkruajnë një kontratë ku detyrohen të qëndrojnë pesë vite pas përfundimit të shkollës në Shqipëri. Ndërsa diplomën do ta tërheqin vetëm pasi të përfundojnë shërbimin pesë vjeçar.

Sipas studentëve, kjo i vendos me shpatulla pas murit, duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhen.

“Unë e kisha menduar largimin me thënë të drejtën, jo qëkur hyra në mjekësi, por sidomos gjatë viteve të fundit kur kam nisur lëndët klinike e kam menduar dhe stërmenduar sepse kam vënë re që aty nuk bëhet as praktika, nuk bëhet as mësim. Pedagogët janë shumë të papërgjegjshëm, literaturat janë shumë shumë të parakohshme. Shumica janë maksimumi të vitit 2005,. Kështu që edhe njohuritë që ne marrim, qoftë ato teorike, qoftë ato praktike, nuk janë të mjaftueshme që ne të dalim si mjek dhe të ndihemi të aftë”,- tregoi për Citizens Channel Kevin Zykaj, student i vitit të katërt në mjekësi të përgjithshme.

Kevin Zykaj, student, viti i katërt, mjekësi e përgjithshme

Për Rafaelo Hoxhën, kushtet në të cilat studiojnë dhe ushtrojnë praktikat janë të vështira për shkak të mos investimit nga qeveria.

“Unë mendoj që shumica e gjërave janë thjesht premtime sepse si student përveç tarifës së shkollës nuk kam një konvikt, nuk kam një mensë, nuk kam një bibliotekë ku unë të studioj dhe për mua këto janë thjesht gënjeshtra sa për të na shuar atë nxitjen që ne kemi për momentin. Dhe nuk na hyjnë në punë këto gënjeshtra sepse kemi parë ku studiojmë. Nuk kemi një godinë, nuk kemi kushte. Në radhë të parë duhet të na meritojnë, sepse kjo është një dëbim për ne, nuk është një nxitje që të qëndrojmë këtu”,- deklaroi Rafaelo Hoxha, student i vitit të tretë të mjekësisë së përgjithshme.

Rafaelo Hoxha, student, viti i tretë, mjekës i përgjithshme

Studentët, qëndruan para Kuvendit ndërsa brenda godinës po diskutohej kalimi i projektligjit me procedurë të përshpejtuar.

Ata u shprehën se deri dje, ky ishte vetëm një draft dhe po  kalon si ligj pa konsultim e transparencë. Ndërsa artikuluan problemet e sektorit mjekësor dhe mungesën e sigurisë dhe pagat e ulëta të mjekëve.

“Lajmi largimit të mjekëve shqiptarë realisht është një problem për shoqërinë. Por kush është ai person që do të marri rrugën e emigrimit dhe të largohet nga familja e tij. Çfarë na shtyn ne që të largohemi? Mungesa e kushteve të punës, mungesa e pagave dinjitoze, mungesa e sigurisë në vendin e punës. A nuk kemi pasur pafund raste qe mjekët janë dhunuar? Dhe pse ndodh dhunimi? Është shumë logjike. Nuk ka infrastrukturën e mjaftueshme spitali në Shqipëri. Mjekët nuk kanë aparaturat, nuk kanë medikamentet dhe këto pengesa sjellin përplasje sociale mes pacientëve të cilët nuk arrijnë të marrin shërbimin, por edhe mjekëve të cilët konsumohen, lodhen dhe në fund përsëri dhunohen pavarësisht sakrificës së tyre”,- u shpreh përmes megafonit, Trevor Xhixha, student i vitit të katërt në mjekësi të përgjithshme.

Sipas Rafaelos, prezantimi i këtij projektligji si një paketë mbështetëse për studentët nuk qëndron për sa kohë nuk kanë një godinë e kushte të favorshme për të zhvilluar mësim e praktika.

“Unë mendoj që shumica e gjërave janë thjesht premtime sepse si student përveç tarifës së shkollës nuk kam një konvikt, nuk kam një mensë, nuk kam një bibliotekë ku unë të studioj dhe për mua këto janë thjesht gënjeshtra sa për të na shuar atë nxitjen që ne kemi për momentin. Dhe nuk na hyjnë në punë këto gënjeshtra sepse kemi parë ku studiojmë. Nuk kemi një godinë, nuk kemi kushte. Në radhë të parë duhet të na meritojnë, sepse kjo është një dëbim për ne, nuk është një nxitje që të qëndrojmë këtu”-theksoi Rafaelo Hoxha.

Studentët shprehen se detyrimi për të qendruar pesë vite, në fakt do ti pengojë maturantët të zgjedhin degën e mjekësisë.

Trevor Xhixha, viti i katërt, mjekësi e përgjithshme.

“Kjo do të rezultojë edhe në një ulje të maturantëve që do të duan të studiojnë mjekësi sepse në fillim mbase secili futet me ide të qarta për tu larguar mbase nga Shqipëria, për tu perfeksionuar nga ana profesionale në degën që ai ka zgjedhur, duke ikur jashtë shtetit. Por edhe ata që vijnë në vit të parë me mendjen për të qëndruar në Shqipëri, kur përballen me kushtet mund të ndryshojnë mendje duke parë situatën dhe mënyrën se si gjërat funksionojnë këtu. Dhe për mendimin tim shumë maturantë do të stepen nga ky detyrim, sepse pesë vite realisht janë shumë”,-tha Trevor Xhixha, student i vitit të katërt, në mjekësinë e përgjithshme.

Studentët deklaruan se do të vijojnë protestat e tyre deri në tërheqjen e qeverisë nga ky projektligj. Ndërsa përforcuan deklaratën se do të bojkotojnë vitin e ri akademik që nis në tetor.

Në përfundim të protestës, studentët thanë se do të ndërmarrin hapa ligjorë kundër këtij projektligji, duke e cuar cështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Ne me një grup studentësh, dhe me një grup juristësh do të përgatitemi të bëjmë një padi në gjykatë kushtetuese. Dhe dua ta deklarojmë publikisht që kërkojmë ndihmën e të gjitha organizatave që janë në mbrojtje të ë drejtave të njeriut në Shqipëri dhe të gjitha organizatave që ofrojnë shërbime ligjore falas që ne ta çojmë këtë çështje në gjykatë kushtetuese dhe më pas në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”,-u shpreh një nga studentët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *