Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ligji për studentët e mjekësisë “djeg etapat” drejt miratimit, pavarësisht kundërshtive

Pas një diskutimi prej më shumë se tre orësh, Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë miratoi me shumicë votash projektligjin, i cili detyron studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri deri në pesë vite pas diplomimit.

Në vetëm më muaj, qeveria Shqiptare arriti të finalizojë të gjithë hapat e procedurës për konsultimin, shqyrtimin dhe miratimin e ligjit, pavarësisht kundërshtisë së studentëve:

  • Në 16 qershor studentët u prezantuan për herë të parë me faktin se do duhej të qëndronin 3 vite në Shqipëri pas studimeve.
  • Kjo deklaratë e Ministres Kushi u prit me kundërshtime nga studentët, të cilët organizuan dy protesta në datën 20 dhe 23 qershor;
  • Në 5 korrik, Kryeministri Rama njoftoi se periudha e “qëndrimit të detyruar” do të shtohet nga tre në pesë vite.
  • Menjëherë më pas, studentët iu rikthyen protestave, ndërkohë që ligji shkoi menjëherë në Parlament, ku u miratua shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar.
  • Projektligji u miratua menjëherë në mbledhjen e radhës të Komisionit Parlamentar me votat e Partisë Socialiste;
  • Ligji pritet të marrë miratimin e Parlamentit në seancën që do të zhvillohet javën e ardhshme.

Në  komision ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u shpreh se ky projektligj nuk i detyron studentët, por i vendos përpara zgjedhjeve. Ndërsa u shpreh se dy janë arsyet kryesore pse vjen ky projektligj: “e para ti motivojmë që të qëndrojnë këtu dhe e dyta që të plotësojmë nevojat”. 

Argumenteve të opozitës se ky projektligj është jo kushtetues ajo iu përgjigj se mundësia që studenti ka për të zgjedhur të paguajnë tarifën, nuk e cenon të drejtën për arsim.

Në diskutimin e komisionit u fol për të gjitha shqetësimet që kishin ngritur studentët e mjekësisë përgjatë tre protestave të mbajtura në rrugë. Me të tjerash, ministrja e arsimit e konsideroi largimin e mjekëve një fenomen jo vetëm në Shqipëri, duke mos ia faturuar dështimin sistemit.

“Disa herë u përmend se mjekët largohen sepse ky është një çedim i sistemit. Ne biem dakord që kemi ende shumë punë për të bërë, që ne kemi problematika… Ndërkohë janë bërë shumë punë, janë bërë shumë përparime, ka shumë zhvillim….Ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, as Shtetet e Bashkuara, sado ti rrisim pagat, sado ta rrisim mirëqenien…Por ama sot ata shkojnë dhe janë të sigurt që menjëherë ju ofrohet një vend pune, madje edhe pa njohur diplomën… Pra ata janë në krizë dhe kjo sigurisht që i tundon mjekët tanë për një jetë më të mirë, për një nivel page më të lartë”,-argumentoi ministrja Kushi.

Sipas saj, mjekësia është kthyer në prioritet të qeverisë duke investuar në kushte më të mira, paga më të larta. Ndërsa sa i përket retorikës së taksave të shqiptarëve të përdorura për shkollim, ajo theksoi se përpos arsimit, paguhet edhe për shërbimin shëndetësor.

Duke shprehur se i mirëkupton kërkesat e studentëve, ministrja Kushi theksoi se shteti shqiptar nuk ka luksin të paguajnë edhe tarifat e studimit dhe kostot e tjera.

“Që unë i mirëkuptoj, pa dyshim i mirëkuptoj në shqetësimet e tyre, në ambiciet e tyre, në kërkesat që kanë, në lirinë që kërkojnë, por ju deputetët e opozitës e thatë pak më parë që ata qëkur regjistrohen në vitin e parë paralelisht bëjnë edhe kursin e gjermanishtes që të largohen. Pra ata edhe pa e ditur nëse do jenë të kënaqur apo jo pas 6 vitesh, pa e ditur a do jenë të kënaqur me cilësinë ata kanë objektiv të shkojnë në Gjermani. Po mirë, e kemi ne luksin si shtet që t’jua paguajmë ne edhe tarifat e studimit edhe të gjitha kostot e tjera kur jemi të vetëdijshëm që ata nuk do të mbulojnë nevojat tona, për kujdes shëndetësor”.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri në 10 vitet e fundit janë larguar 3040 mjekë. Ndërsa gjatë pandemisë, Shqipëria numëronte vetëm 1.2 mjekë për 1000 banorë. Shifër kjo e cila është rritur sipas ministres Kushi.

“…sot jemi 1.93 mjekë për 1000 banorë. Por prapë jemi mbrapa, prapë jemi më poshtë se vendet e rajonit, prapë jemi më poshte se vendet e OECD-së. këto janë statistikat zyrtare të ministrisë së shëndetësisë. Të arrijmë 2.6 dhe pse jo pastaj edhe 3.6”, -theksoi Kushi.

Ndërsa rritja e pagave të mjekëve vitet e fundit, qoftë për ata të përgjithshëm dhe për specialistët është politika më e freskët e qeverisë sipas ministres Kushi.

“Kompromisi është gri! Bluzat tona janë të bardha!” 

Studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar sërish protestë mëngjesin e 20 korrikut, para Kuvendit. Ata kanë ftuar këdo për mbështetje, ndërsa shprehen se do të nisin proces gjyqësor për këtë projektligj.

Më herët studentët kanë protestuar tre herë para Rektoratit të Universitetit, te Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe te Kuvendi.


Ata kanë kërkuan heqjen dorë nga miratimi i këtij projektligji që i detyron të punojnë deri në pesë vite në Shqipëri pas diplomimit, përndryshe nuk do të mund të tërheqin diplomën.


Zgjedhja tjetër e ofruar nëse nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen për të qëndruar në Shqipëri është pagesa e plotë e tarifës së shkollës.

Në protestë, studentët e kanë konsideruar projektligjin të padrejtë, ndërsa kanë bërë një paralelizëm me kushtet në të cilat studiojnë dhe zhvillojnë praktikat. Ata kanë denoncuar mungesën e bibliotekave, sallave të studimit dhe të leksioneve dhe mos zhvillimin e praktikave në qendra apo spitale. Ndërsa kanë deklaruar se do të bojkotojnë vitin e ardhshëm akademik nëse projektligji kalon në Kuvend.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *